Taçi me familjen merret nën hetim për pesë akuza

Dec 23, 2013 | 12:04
SHPËRNDAJE

Rezart Taçi
Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar dosjet e bizneseve të Rezart Taçit në bankat e nivelit të dytë në vend pas padisë së bërë nga Policia, Tatimet e Doganat ndaj sipërmarrësit dhe familjarëve të tij.  Padia e bërë disa javë më parë në Prokurori mësohet se është kthyer tashmë në procedim penal nga Njësia Task- Forcë Antikorrupsion, e cila ka nisur hetimet për akuzat: “fshehje e të ardhurave”, “mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “moskryerja e detyrave nga organet tatimore” “falsifikimi i dokumenteve”, “krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Nën hetim janë marrë biznesmeni Rezart Taçi së bashku me të afërmit e tij, Anika Taçi, Mustafa Taçi dhe bashkëpunëtorët Drita Aliçka, Arjanit Kolgega dhe Irgen Selfo. Dyshimet që ngre policia në padinë e saj lidhen me një shumë prej rreth 15 milionë dollarësh që pretendohet se është “fshehur” dhe nxjerrë nga llogaritë e Rezart Taçit para se të mbaheshin detyrimet nga organet e taksave dhe doganave. Sipas Prokurorisë, grupi i hetimit ka sekuestruar dokumentet me të dhënat e detajuara në lidhje me lëvizjet financiare të kryera në gjithë llogaritë e biznesmenit, të afërmve dhe familjarëve të tij. Grupi i hetimit nuk e ka përjashtuar mundësinë që biznesmeni të thirret për të dhënë shpjegime ditët e ardhshme në cilësinë e personit nën hetim.    
Hetimi
“Po mbledhim dokumentacionin për gjithë pretendimet e ngritura në kallëzimin penal. Po kështu do të marrim edhe deklarimet e personave të dyshuar për të mësuar shpjegimin që ata kanë në lidhje me veprimet që kanë kryer”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, në padinë e bërë nga Policia e Shtetit përshkruhen një sërë veprimesh bankare ku thuhet se në fund të afërmit e Rezart Taçit kanë përfituar 12 milionë euro. “Nga të dhënat rezulton se familjarët e shtetasit Rezart Taçi kanë përfituar në bankën RZB dhe Tirana Bank për një periudhë dyditore shumën 12 milionë euro, nga të cilat janë tërhequr me para në dorë shuma   5 754 000 euro. Ndërsa në BKT është tërhequr në total shuma 6 400 000 euro nga transfertat e përfituara nga llogaritë personale të familjarëve të Rezart Taçit nga banka RZB”, thuhet në padinë e bërë nga policia në ngarkim të biznesmenit. Policia pretendon se transfertat bankare në shuma të mëdha nuk janë shoqëruar me dokumentacionin përkatës që justifikon lëvizjen e tyre. Po kështu, në padinë e bërë në prokurori pretendohet se nga ana e biznesmenit dhe të afërmve janë krijuar dhe falimentuar disa kompani brenda dhe jashtë vendit, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitimin nga skema e TVSH-së. Në hetim mësohet se janë edhe punonjës të Tatimeve dhe Doganave.

Personat në hetim
1. Rezart Taçi,

i datëlindjes 7.6.1971
2. Anika Taçi,

e datëlindjes 25.6.1975
3. Mustafa Taçi,
i datëlindjes 18.4.1934
4. Drita Aliçka

e datëlindjes 7.5.1945
5. Arjanit Kolgega,
i datëlindjes 8.1.1975
6. Irgen Selfo,
i datëlindjes 13.7.1986

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura