HALIL RAMA
Mjeshtër i Madh
Në filmin dokumentar kushtuar këtij kolosi të letrave shqipe, ikona e teatrit e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”, interpreton mjeshtërisht disa nga poezitë e lirikut famoz Shefki Karadaku… ndërsa për profilin krijues dhe vlerat ideoartistike të prozës e poezisë së tij, flasin personalitete të letrave e publicistikës si: Sadik Bejko, Xhevat Mustafa, Kozeta Mamaqi, Sakip Cami, Hyqmet Zane etj… Qendra Kombëtare e Artit dhe e Letërsisë “NACIONAL” dhe Federata Shqiptare e Veteranëve, organizojnë sot (16 mars 2022) në 81-vjetorin e lindjes dhe 1-vjetorin e vdekjes të autorit të 35 veprave letrare (10 romane, 13 novela dhe 12 vëllime me poezi), Akademinë Përkujtimore “ADN-ja e PANDRYSHUAR E SHEFKI KARADAKUT”.
Akademia përmban shfaqjen e filmit dokumentar me të njëjtin titull, si dhe referime e trajtesa për profilin krijues dhe veprat letrare të këtij autori në vite.
Në filmin dokumentar kushtuar këtij kolosi të letrave shqipe, ikona e teatrit e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”, interpreton mjeshtërisht disa nga poezitë e lirikut famoz Shefki Karadaku… ndërsa për profilin krijues dhe vlerat ideoartistike të prozës e poezisë së tij flasin personalitete të letrave e publicistikës si: Sadik Bejko, Xhevat Mustafa, Kozeta Mamaqi, Sakip Cami, Hyqmet Zane etj…
Në laboratorin krijues të Shefki Karadakut gjen një arsenal veprash krijuese. Nga “Kënga e karrove të drithit” te “TORAKS”, ky krijues brilant prodhon emocione të freskëta, me origjinalitet të këndshëm e të besueshëm që gjelbërojnë humanizëm, me mesazhe befasuese, të ndjeshme e me sens dashurie njerëzore.
TË MËDHENJTË E LETRAVE PËR KARADAKUN…
Shefki Karadaku me korpusin e tij letrar ka hyrë denjësisht në historinë e letërsisë shqipe. Një bilanc më konkret e gjejmë te libri “Absurdi Mbretëror”, (shënime kritike, ese, këndvështrime për krijimtarinë e Shefki Karadakut), në të cilin autori i 35 veprave letrare në prozë e në poezi portretizohet si një nga shkrimtarët e dalluar të kohës së tij.
Gjejmë në këtë libër kolosët e letrave shqipe: Dritëro Agolli, Llazar Siliqi, Petro Marko, Adriatik Kallulli, por dhe personalitete të njohura të letrave shqipe, si: Moikom Zeqo, Roland Gjoza, Riza Lahi, Petraq Risto, Agim Cerga, Milianov Kallupi, Dr.Lutfi Turkeshi, Faruk Myrtaj, Sazan Goliku, Halil Rama e Sakip Cami, të cilët vlerësojnë maksimalisht veprën letrare të Shefki Karadakut ndër vite.
Në librin “ABSURDI MBRETËROR”, botuar në 75-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, Bardhyl Ajazi ka përmbledhur artikuj kritikë ese.
Këndvështrime për krijimtarinë e Shefki Karadakut. Dhe nëse patriarku i letrave shqipe, Dritëro Agolli, vlerëson konceptimin popullor të realitetit në përmbledhjen “Meloditë e Shkumbinit” të Shefki Karadakut, ku evidenton gjuhën e pasur të vargjeve të tij të ngjashme me motivet popullore, si “Vajza e mullixhiut”, “Nata e fundit e aksionit” e të tjera……
Kallulli shprehet për pleksjen bukur e me forcë të ngjyrave, e heroikes me tragjiken, të fëlligështisë e dobësisë morale të armiqve të egër. Adriatik Kallulli për një nga poezitë më të njohura shkruan se poezia e Shefki Karadakut është në shumë raste një poezi pikturë, ai e ndien që lexuesit i duhet shprehur në një mënyrë të tillë që të parafytyrojë me kthjelltësi atë që ka parë një herë poeti.
Shembulli tipik për këtë është poezia “Kënga e karrove të drithit”, ku gëzimi për korrjen, për bollëkun e grurit, shprehet me një kuadër plot lëvizje: “Kur të fillojë të bredhë nesër dielli,/Në largësinë e fushës, si lejlek,/ Atëherë, pas karrove të drithit,/Udhën e kaltër të arave do ndjek…”
Po ashtu, poeti ynë Llazar Siliqi do të shprehej se, “kur më 1967 Shefki Karadaku doli me vëllimin e tij të parë, ‘Këngën e karrove të drithit’, ne u gëzuem që radhët e poetëve shqiptarë u shtuan me një poet të ri, me një lirik të qetë e të ambël, me ndjenja të holla, me dorë piktori të akuarelit”.
Ndërsa shkrimtari i madh Petro Marko, pasi ka lexuar novelën e Shefki Karadakut, të titulluar “Rrugët e para” shprehet: “Sikur ta kishte këtë botim në vargje dhe ta kishte pagëzuar po me këtë emër, ne përnjëherësh do të thoshim: poeti, pasi njeh rrugët e para të jetës, ka zbuluar në to fenomene dhe tinguj, ose ngjyra të reja dhe tani po na i dhuron me dashuri…”.
Dr.Lutfi Turkeshi, gazetar dhe studjues nga Republika e Maqedonisë së Veriut, jo më kot, e vlerëson Shefki Karadakun si “Khajamin e ditëve tona”.
Në këtë konkluzion ai arrin pasi ka lexuar romanet “Puthja e ngrirë”, “Një mijë vjet dashuri”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Filantropi”, “Panagjerikus” e të tjerë, dhe vëllimet poetike “Kënga e korrave të drithit”, “Melodi të Shkumbinit”, “Ylberi”.
“Lumi me njëqind zemra” e “Feniks” të poetit e shkrimtarit Shefki Karadaku, i cili asnjëherë nuk do t’i nënshtrohej jetës edhe pse e vuante atë…
“Si feniks, shkëlqen me ide kuarci duke ndërtuar “udhë betoni”… I tillë është poeti Shefki Karadaku. Tërë vargjet e poemës ‘Feniks’ janë të harmonizuara estetikisht në të gjitha nivelet e të shprehurit emocional, individual, stilit origjinal dhe figuracionit. Këto poezi janë shprehje e një personaliteti poetik jo të zakonshëm…
Ka poeti edhe idilin e vet të vendlindjes që është “… me çuka, rrape-qiparisa dhe subtropiku mund t’i flasë qershisë, por jo ajsbergë…”.
Por, ka poeti edhe dashurinë e shprehur si Naimi e Çajupi: “Të këndoj ty bukuroshe si alku, unë s’jam poet i vjetër melik, po zemra po aq e lashtë sa dheu, përpara teje rreh si det antik…, që pastaj të vijojë: ‘Po zemra e kërkon nudon e bukur, le të jetë ajo si mbretëreshë, që nëpër gjoksin e saj malli i shkurtër si tajfun floride të përqeshë…’. Si të përfundojmë?! Shkurt, poezi e veçantë, e jashtëzakonshme, e bukur…
Është e tillë poezia e poetit Shefki Karadaku… Është shumë refleksive, sa më shpesh ta lexosh dhe rilexosh, gjithnjë do të nxjerrësh ndonjë ndriçim nga qielli me plot yje lirike të poetit të madh. Pra, kjo lirikë është identiteti poetik si katarzë”, shkruan Dr. Lutfi Turkeshi-Gazetar, studiues (“IDENTITETI SI KATARZË” – gazeta “Fakti”, 8 mars 2001, Shkup).
Petraq Risto si redaktor i romanit “Puthja e ngrirë” vlerëson ndërthurjen plot dritë dhe hije, si një afresk bardh e zi nga autori, të lirizmit, heshtjes, frikës, rebelimit, ankthit, jetës, dashurisë…. Edhe Moikom Zeqo nuk e ka të vështirë për të deklaruar se Shefki Karadaku është një poet nga më të spikaturit në lirikën shqiptare. Shefki Karadaku portretizohet si një nga shkrimtarët e dalluar të kohës.
Karadaku është një nga përfaqësuesit më të spikatur për gjininë e lirikës ku absorbohen përvojat e poetikave tradicionale me ato moderne e avangardiste evropiane dhe real izohet kundërvënia ndaj traditës letrare. Tipare të futurizmit, ekspresionizmit, surrealizmit, madje dhe krepuskolarizmit janë përthithur dhe pasqyruar në poetikat e këtij autori.
KORPUSI LETRAR I SH. KARADAKUT PËRBËN NJË THESAR TË ÇMUAR…
Teksa lexon veprën e Shefki Karadakut, vetëtimthi të kujtohet krijimtaria letrare mjaft cilësore e këtij poeti dhe prozatori që shkruan prej pesë dekadash, si romanet: “Puthja e ngrirë”, “Një mijë vjet dashuri”, “Argonautët”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Gjergj Elez Alia”, si dhe disa novela e vëllime me poezi. Korpusi letrar i Sh. Karadakut përbën një thesar të çmuar që rrezaton dritën e artë.
Gjetjet metaforike, forca krijuese, gjuha e pasur e shpesh poetike, përdorimi mjeshtëror i fakteve, kronikat, përshkrimi i heronjve, legjendat dhe episodet e bëjnë të këndshme prozën e këtij shkrimtari. Rrallë gjen në historinë e letërsisë shqipe një autor si Shefki Karadaku, të vlerësuar nga pena të spikatura si: Agim Cerga, Perikli Jorgoni, Milianov Kallupi, Riza Lahi, Jusuf Shahini, Leonard Veizi, Faruk Myrtaj, Mujë Buçpapaj, Ramazan Vozga, Namik Selmani, Sazan Goliku, Sakip Cami, Neritan Dragoti, Ahmet Banushi, Ermir Hoxha, Kostandin Dhamo, Tomor Jolldashi, Mihal Disho etj. Krijimtaria e Shefki Karadakut është botuar edhe në gjuhë të tjera europiane. Revista letrare gjermane “Literatura Nr. 11”, ndërmjet 20 autorëve nga Gjermania dhe vendet e tjera të Europës dhe Ballkanit boton edhe fragmente nga krijimtaria e shkrimtarit shqiptar Shefki Karadaku.
Revista është botuar nga shoqëria letrare “Marburg” e Universitetit të Marburgut. Kopjet e saj ruhen në bibliotekën gjermane sipas ISSN. Para pak kohësh, me kontributin e familjes u botua në anglisht romani i Shefki Karadakut
“PUTHJA E NGRIRE”, nga një kopje e të cilit iu dhurua selive të huaja diplomatike në Tiranë. Dhe menjëherë vjen vlerësimi i ambasadorit gjerman Peter ZINGRAF për këtë roman tejet të arrirë, që me të drejtë është mirëpritur e vlerësuar në botën letrare të kryeqytetit.
Nuk është rastësi që poeti e prozatori Shefki Karadaku mirëpritej e botohej kudo në trevat shqipfolëse, si në Prishtinë, Dibër të Madhe, Ulqin, Strugë etj. Madje, në vitet ‘73- ‘74 gazeta prestigjioze “RILINDJA” e Prishtinës botoi në 6 numra radhazi novelën e tij “Kur kërcasin boçat e pishave”. Trashëgimia letrare që na la Shefki Karadaku me 13 vëllime me poezi dhe 12 romane e 10 libra me tregime e novela, që të gjithë me subjekt të zgjedhur e të arrirë nuk është pak.
Ato janë një kontribut i çmuar për të sotmen dhe për të nesërmen që të mos ketë “Puthje të ngrirë”, që fjala e lirë të rrjedhë si “Ujëvarë”, që “Gjergj Elez Alia” t’u transmetohet brezave si njeri trim dhe i besës, si njeri i zgjuar dhe i ditur, që respekton njerëzit e tij, por edhe vizitorët e huaj të rajonit e të botës, që “Shkumbini” të mos shkatërrojë tokat, por të përmirësojë ekologjinë tonë, që “Elbasani i bukur” të çlirohet nga ndotja dhe të shndërrohet në turizmin tradicional shekullor. Ky është mesazhi që përcjell vepra e Shefki Karadakut.
Ndaj, shkrimtarë të tillë si Ai, që kanë sjellë risi në letërsinë tonë, meritojnë vëmendje nga kritika letrare dhe, në mungesë të Lidhjes së Shkrimtarëve, nga Ministria e Kulturës e nga Presidenti i Republikës. Personalitete si Ai, meritojnë vëmendje, sepse janë truri i kombit.
KANË THËNË E SHKRUAR PËR POEZINË DHE PROZËN E KARADAKUT
Petro Marko: KUR SHKRIMTARI E NJEH DHE E DO NJERIUN E THJESHTË
Poeti i ri, Shefki Karadaku, doli tani me një novelë, të titulluar “Rrugët e para”. Sikur ta kishte këtë botim në vargje dhe ta kishte pagëzuar po me këtë emër, ne përnjëherësh do të thoshim: poeti, pasi njeh rrugët e para të jetës, ka zbuluar në to fenomene dhe tinguj, ose ngjyra të reja dhe tani po na i dhuron me dashuri… Gazeta “Drita”, 2 shkurt 1969
Llazar Siliqi. Poet: “MELODITË E SHKUMBINIT”
Kur më 1967, Shefki Karadaku doli me vëllimin e tij të parë, “Këngën e karrove të drithit”, ne u gëzuem që radhët e poetëve shqiptarë u shtuen me një poet të ri, me një lirik të qetë e të ambël, me ndjenja të holla, me dorë piktori të akuarelit. Gazeta “Drita”, 13 janar 1969
Moikom Zeqo – Shkrimtar, studiues: LIRIKA POLISEMANTIKE E SHEFKI KARADAKUT
Poeti Shefki Karadaku, i njohur në vitet ‘60 si një talent i vërtetë lirik, të kujtonte një Esenin shqiptar të ndrojtur, tepër modest, me trillet origjinale të imazheve të vendlindjes së tij. Lirika e tij imazhiniste qe e ngrohtë, plot ndjesi fusharake, me një romantikë të pranueshme, po me arketip figurash popullore… Gazeta “Drita”, 30 janar 1994 – libri “Feniks” përmbledh ditarët e tij intimë poetikë (vitet 1972-1985)
Dr. Lutfi Turkeshi – Gazetar, studiues: Karadaku, Khajami i ditëve tona Pas shumë shekujsh, kur rebeli pasardhës do të tundë prapë selvinë, që e preku (vite më parë) me diç të “hekurt”, si me turp do ta shoh se rreth saj do të mbijnë bota, sisteme, grushte shteti, piramida… Martesa njerëzish dhe qivure. Është ky mesazhi poetik i Khajamit të ditëve tona, poetit Shefki Karadaku, i cili me më se 20 vepra në prozë dhe poezi amësoi në hapësirat e demokracitë letrare… “IDENTITETI SI KATARZË” – Gazeta “Fakti”, 8 mars 2001, Shkup
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al