“Telefonin nuk e hapte, shkova në shtëpi s’e gjeta”- Aksidenti tragjik me 3 viktima, rrëfehet nëna e 22-vjeçares! Nga njohja e vajzës së saj me Klevis Ruçajn, te momenti kur mori vesh lajmin

Mar 13, 2023 | 12:23
SHPËRNDAJE

Nëna e 22-vjeçares, Erisilda Abedini, një nga viktima e aksidentit tragjik në rrethrrotullimin e Saukut, ka treguar momentin kur mori vesh vdekjen e vajzës së saj dhe njohjen e të resë me shoferin e makinës, 20-vjeçarin Klevis Ruçaj.

Mira, e cila punon si punonjëse policie prej 16 vitesh pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, tregoi se Klevis Ruçaj ishte kushëriri (djali i tezes) së viktimës tjetër Sikela Perroj, 23-vjeçe.

Ditën e ngjarjes së rëndë, ajo tregoi se Erisilda Abedini kishte shkuar në një qendër tregtare për të blerë një bluze ndërsa shoqja e saj, Sikela Perroj dhe Klevis Ruçaj po ktheheshin nga Elbasani drejt Tiranës.

“Ata ktheheshin nga Elbasani dhe kanë kaluar në qendrën tregtare, dhe e kanë marrë vajzën time me makinë për të ardhur në shtëpi. Vajza në atë makinë u gjend, se shoferi ishte kushëriri i vajzës tjetër që njihej me vajzën time, e që mbeti po ashtu viktimë nga tragjedia”, rrëfeu Mira.

Ajo tregoi se momentin kur ndodhi aksidenti tragjik ka qenë në punë dhe s’ka pasur dijeni për vdekjen e së bijës.

“Duke qenë se isha në punë, unë aksidentin s’e kisha parë në media. Atë pasdite e mora vajzën në telefon, por s’arrita do të kontaktoja se nuk e hapi telefonin. Kur kam shkuar në shtëpi, shoh që nuk ishte vajza as në shtëpi. E mora sërish në telefon, por nuk  mora përgjigje. Ndërkohë më telefonon shoqja ime, dhe më thotë: “Ku je? “Sa mbërrita shtëpi,- i thashë”. “Do vish me mua të shkojmë në një vend”, -më tha. Ok, i thashë, po çfarë halli ke?.  “Flasim nga afër”- më tha…”, tha punonjësja e policisë, duke shtuar: “Telefoni binte deri në orën 23:00 që e kam provuar, edhe kur unë isha para morgut.”

eriselda

Intervista e plotë:

Si u gjend vajza juaj në makinë “Audit A8” që drejtohej nga 20-vjeçari i ndjerë, Klevis Ruçaj? Me cilin nga dy personat kishte miqësi?

E vërteta është se shoferi me vajzën që ndodheshin në makinë ishin kushërinj të parë  (fëmijë tezesh). Ata ktheheshin nga Elbasani dhe kanë kaluar në qendrën tregtare, dhe e kanë marrë vajzën time me makinë për të ardhur në shtëpi. Vajza në atë makinë u gjend, se shoferi ishte kushëriri i vajzës tjetër që njihej me vajzën time, e që mbeti po ashtu viktimë nga tragjedia.

Ishe në dijeni se ku do shkonte atë ditë, dhe kur folët për herë të fundit?

Unë jam prej 16 vitesh punonjëse policie pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Kam folur në drekë me vajzën, kur jam nisur për punë pasi atë ditë isha turni i dytë.

Vajza ime Sisi do të shkonte në TEG për të blerë një bluzë, për të cilën ia dhashë unë lekët.

Si u përballe me lajmin tragjik, të njoftuan apo e mësove nga mediat?

Duke qenë se isha në punë, unë aksidentin s’e kisha parë në media. Atë pasdite e mora vajzën në telefon, por s’arrita do të kontaktoja se nuk e hapi telefonin. Kur kam shkuar në shtëpi, shoh që nuk ishte vajza as në shtëpi. E mora sërish në telefon, por nuk  mora përgjigje. Ndërkohë më telefonon shoqja ime, dhe më thotë: “Ku je? “Sa mbërrita shtëpi,- i thashë”. “Do vish me mua të shkojmë në një vend”, -më tha. Ok, i thashë, po çfarë halli ke?.  “Flasim nga afër”- më tha…

Telefoni i vajzës dilte i hapur?

Po, telefoni binte deri në orën 23:00 që e kam provuar, edhe kur unë isha para morgut.

Jeni takuar me familjarët e djalit që shkaktoi aksidentin, dhe nëse po çfarë ju kanë thënë?

Familjarët e 20-vjeçarit, (që ishte shoferi) nuk di kush janë dhe nga janë.

Çfarë marrëdhënie kishit me vajzën, ju tregonte për gjithçka për shembull nëse ishte e dashuruar apo në një lidhje?

Vajza nuk kishte shok, as lidhje. Ajo hapej me mua dhe ishim si shoqe.

Vajza juaj kishte ëndrra për të qenë pjesë e botës së televizionit. Çfarë synimesh kishte për të ardhmen?

E donte botën e televizionit, edhe pse u diplomua për laborante dentare. Dhe sa i përket natyrës dhe tipit e kisha si djalë, jo vajzë. Jetonim bashkë në zonën “Don Bosko” në Tiranë, pasi vajza e madhe jeton në Paris (Francë), ku dhe ka krijuar familje.

Pas aksidentit, fotot e vajzës suaj dhe dy të rinjve të tjerë që humbën jetën në aksidentin tragjik pushtuan rrjetet sociale. Si mund ta gjejë forcën një nënë e vrarë në shpirt si në rastin tuaj, për të dhënë mesazhin e saj për të rinjtë?

Komunikimi me ju ka qenë i pari. Rrjetet sociale nuk i kam parë se jam e helmuar në shpirt. Nuk kam mundur dot t’i përgjigjem asnjë telefonate, nga miqtë, shoqëria apo kolegët. Nuk mundem, jam e bllokuar totalisht!/ Nga Klotilda Harka në Revista Story

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura