Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shtetit të tij duhet t’i jepet shtysë drejt integrimit evropian, si përgjigje ndaj “kërcënimeve të sigurisë”, që sipas tij, vijnë nga Serbia.
Gjatë konferencës “Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euroatlantik”, Kurti tha se sa i përket Serbisë, që e cilësoi si “regjim autokratik”, duhet të përdoret qasja e njëjtë që Bashkimi Evropian dhe NATO kanë përdorur ndaj Rusisë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 2022.
Ai tha se BE-ja dhe NATO-ja iu përgjigjën drejt pushtimit rus të Ukrainës duke pranuar në aleancë Finlandën dhe Suedinë dhe duke i dhënë statusin e vendit kandidat Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.
“Kërcënimet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nga Serbia duhet të trajtohen duke përdorur të njëjtën qasje, pra duke i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti tha se gjatë dy vjetëve të qeverisjes së tij, Serbia solli katër herë ushtrinë e saj në kufi me Kosovën, “sponsorizoi terroristë dhe vazhdimisht shpërndanë gënjeshtra dhe narrativë të rremë për të justifikuar aktet agresive ndaj Kosovës dhe rajonit”.
Këto deklarata të Kurtit janë referencë për tensionet e rritura në disa raste mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë ngritje barrikadash në veriun e Kosovës nga serbët lokalë për shkak të disa vendimeve të Qeverisë në Prishtinë, por edhe për një sulm të armatosur të një grupi serbësh ndaj Policisë së Kosovës. Sulmi në Banjskë të Zveçanit në shtatorin e kaluar la të vrarë një polic të Kosovës dhe gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kosova për sulmin në Banjskë, që e cilëson terrorist, e ka fajësuar Serbinë, por Serbia ka thënë se nuk ka gisht në të.
Gjatë konferencës, Kurti foli për integrimin evropian dhe atlantik të Kosovës dhe tha se ky rrugëtim nuk mund të bëhet pa mbështetjen e miqve të saj ndërkombëtarë, por as pa reforma të brendshme.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 2023 dhe për në BE në fund të vitit 2022.
Megjithatë, në asnjërën prej këtyre proceseve integruese nuk është shënuar përparim dhe Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka statusin e vendit kandidat.
“Mungesa e përparimit në anëtarësimin e Kosovës në BE dhe Këshillin e Evropës nuk kanë të bëjnë me mungesën e demokracisë dhe mbrojtjes së fortë të të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave të njeriut, por në sjelljen e një regjimi autoritar sepse Serbia nuk është e interesuar për anëtarësim në NATO apo BE. Ajo kërkon të bllokojë përparimin e gjithë rajonit, duke frenuar të gjithë rajonin”, tha Kurti.
Kurti këto deklarata i bëri pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, një ditë më herët akuzoi shtetet perëndimore se po intensifikojnë presionin ndaj Serbisë që të njohë de facto dhe de jure Kosovën, të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe të ndryshojë qëndrimin ndaj Kinës.
Serbia, aleate e Rusisë, nuk i ka vendosur sanksione Moskës për shkak të luftës së nisur ndaj Ukrainës, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar. Ndërkaq, javë më parë Beogradi tha se mbështet politikën e Pekinit se ishulli vetëqeverisës i Tajvanit është pjesë e Kinës.
Sipas Vuçiqit, qëllimi përfundimtar i shteteve perëndimore është që në Serbi të vijë një “regjim kukull” e Perëndimit sepse sipas tij, “një Serbi e lirë dhe e pavarur nuk është e popullarizuar në Evropë.
Gjatë një adresimi televiziv, Vuçiq foli edhe për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë. Ai tha se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa me para të gatshme, ka përkeqësuar situatën në Kosovë.
“Ne do të detyrohemi të marrim vendime të ndryshme me të cilat do të veprojmë ose do të gjejmë zgjidhje alternative për t’i paguar para popullit tonë në ‘Kosovë dhe Metohi’”, tha Vuçiç.
Serbët në Kosovë që nga përfundimi i luftës së fundit kanë përdorur dinarin serb.
Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Kosovës të shtyjë vendimin, i cili është në fuqi që nga 1 shkurti, duke argumentuar se ai nuk merr për bazë ndikimet negative te komuniteti serb./rel
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al