Teodor Laço, rrëfimtari e protagonisti i letrave e politikës shqiptare

Sep 29, 2016 | 14:06
SHPËRNDAJE

Teodor Laço, shkrimtari, dramaturgu, publicisti e politikani, mbush sot 80 vjeç. Janë 80 vite, që ai nuk i ka çuar më kot. Vepra në prozë, gjithnjë e freskët, dramat, skenarët e filmave, që edhe pse të realizuar gjatë viteve të realizmit socialist, shihen edhe sot me ëndje, publicistika dhe kontributi në politikë, flasin për një jetë të mbushur, të cilën kushdo do ta kishte zili.

teodor laco

Në këtë 80-vjetor, redaksia e gazetës “Panorama” i uron jetë të gjatë shkrimtarit dhe një prej ndjekësve më të rregullt të gazetës, ku ai herë pas here kontribuonte me shkrimet dhe mendimet e tij të urta.

NGA KRISTAQ BALLI

Sot, Teodor Laço, një prej figurave të shquara intelektuale e krijuese shqiptarë, mbush 80 vjet. Një përvjetor që më shumë se sa si Kronosin e viteve biologjikë, ai e përjeton i vetëdijshëm si një reflektim të veprimtarisë së tij të gjatë, i angazhimit të tij të gjerë e të ngjeshur poliedrik në disa skena të rëndësishme të jetës kulturore, artistike, shoqërore, politike në kontekst me shoqërinë dhe kohën ku dhe kur ai ka jetuar, por edhe me një rreze largpamësie, vizioni e reflektimi që e bën atë një vegimtar e protagonist të pararojës së shndërrimeve e progresit të jetës e shoqërisë shqiptare.

Ai mbetet, së pari, një lëvrues i suksesshëm, ndofta nga më të bujshmit e letërsisë shqiptare në disa gjini, që për më se 50 vjet i dhuroi asaj më shumë se 50 vepra, njëra më e bukur se tjetra dhe shumica e të cilave mbeten në fondin e letrave dhe historisë së artit shqiptar si shembuj pozitivë të një talenti gjenuin dhe të një niveli të veçantë artistik e mjeshtëror. Prodhimtaria e lartë, mjeshtëria dhe niveli vetjak origjinal artistik mbeten tiparet kryesore të krijimtarisë së tij artistike. Ai mbetet një talent autentik qysh me tregimet e tij të hershme të sprovës që do ta impenjonin më tej në një prej gjinive më “konkurruese” të asaj periudhe, por edhe gjatë gjithë jetës së tij.

Tregimi e novela e shkurtër, kryesisht klasike, apo neorealiste shpërfaqin intuitën dhe finesën e rikrijimit të situatës apo ngjarjes spontane e të zakonshme në një zgjidhje letrare befasuese, të gdhendjes së personazheve e sidomos të momentit të tyre psikologjik, të lakonizmit, lirizmit e stilit të admirueshëm narrativ. Midis tyre vëllimet me prozë të shkurtër, si “Rruga e Bardhë”, “Një natë shiu”, “Ajri i Ftohtë i Mesnatës”, “Portat e Dashurisë”, “Pylli në Vjeshtë”, “Vdekja e Nëpunësit X” etj., mbeten modele krahasuese e referuese në prozën e shkurtër shqiptare.

Romanet, si një prej impenjimeve dhe prurjeve të shumta në krijimtarinë e tij letrare, mbeten pjesa më përfaqësuese e prozatorit të kultivuar tashmë me kulturë e veti të thella artistike e estetike. Janë tablo të mëdha e të rëndësishme të jetës shqiptare në periudha e sfonde specifike historike, ekonomike e sociale me një konotacion të spikatur rikrijues të një mesazheri artistik me vetëdije, qartësi, thellësi analize, fantazie e meditimi profesional, si dhe i stilit elokuent narrativ e gjuhës së bukur letrare. “Tokë e Ashpër” (1971), “Përballimi” (1975), “Lëndina e Lotëve”, “Të gjithë lumenjtë rrjedhin” (1985), “Pushimet e Kolonelit” (1990), “Një vit i hidhur” (1995), “Gropas 67”, “Mjegull” (2009) etj., pasqyrojnë jo vetëm “rendimentin” dhe rrëshqitjen e shfrenuar të penës së tij në prozë, por po ashtu edhe popullaritetin e tyre artistik tek audienca intelektuale dhe lexuesit.

Pjesë integrale e krijimtarisë letrare të tij janë dramat dhe komeditë e shumta dhe po aq të suksesshme. Krahas të tjerash, veçori e tyre mbetet krijimi artistik i intrigës dramatike jo horizontale, por progresive e kulmore, i situatës së zhdërvjellët të mizansenës, i zgjidhjeve artistike jo artificiale dhe larmisë së pafundme të karaktereve e personazheve të këndshëm, disa prej të cilëve kanë ngelur emblematikë. Të tilla drama e komedi si “Shtëpia në rrugicë”, “Një nuse për Stasin”, “Gjëmimi i atij dimri”, “Qyteti i akuzuar”, “Shi në plazh” etj., kanë lënë gjurmët e tyre në repertorin klasik të spektakleve dramaturgjike shqiptare. Në lëmin e kinematografisë, Teodor Laço cilësohet si një prurës autoritar i disa prej skenarëve artistikë, mbi të cilët u realizuan një sërë filmash me prirje të reja regjisoriale e artistike.

Ato i dallon imagjinata, aksioni i rrjedhshëm dhe intensiteti dramaNë 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit e diplomatit Teodor Laço, rrëfimtari e protagonisti i letrave e politikës shqiptare Mes veprave në prozë, dramave, skenarëve dhe kontributi në jetën politike e diplomatike turgjik, aftësia e përzgjedhjes dhe origjinalitetit e shumëllojshmërisë së personazheve, psikoanaliza e tyre, gjuha e shkathët dhe e larme e, si rrjedhim, uniteti i tyre artistik me preferencat e suksesshme regjisoriale. Duke veçuar filmat “Përballimi”, “Dhe vjen një ditë”, “Flutura në kabinën time”, “Vitet e pritjes”, mund të konstatosh se suksesi i tyre në publik u garantua së pari nga skenarët e tyre me vlera potenciale. Nuk mund ta konsiderosh të ezauruar veprimtarinë krijuese të T.Laços pa përmendur edhe publicistikën e tij kulturore, politike e sociale.

Përveç dhjetëra e dhjetëra artikujve të këtyre gjinive, disa libra voluminozë me publicistikë reflektive social-politike e diplomatike cilësojnë atë si një vëzhgues, përjetues dhe analizues të mprehtë të realiteteve historike kombëtare e ndërkombëtare. Midis tyre libri “Një dritare në Kremlin” është pa dyshim pasqyrë e angazhimit të tij serioz në realitete të reja të zhvillimeve politike të Shqipërisë postkomuniste. Shumë prej veprave të tij kanë fituar çmime e vlerësime të rëndësishme kombëtare letrare, ndërkohë që një pjesë e tyre janë përkthyer e botuar në antologji në Francë, Britani, Itali, Rusi, SHBA, Turqi, Greqi, Bullgari, Rumani, Kosovë etj. Një kapitull i rëndësishëm i veprimtarisë intelektuale të T.Laços përbën angazhimi i tij në politikë e shtetari në kuadrin e shpërbërjes së sistemit politik të Shqipërisë gjatë dhe pas viteve ’90 të shekullit të kaluar.

Si një prej intelektualëve antikonformistë, që paraprinë me krijimtarinë e tyre vizionin për nevojën e ndryshimeve politike e shoqërore kah demokratizimit të vendit, ai u përfshi në proceset e krijimit të pluripartitizmit në krahun liberal demokrat, fillimisht si një prej themeluesve e drejtuesve të Partisë Social-Demokrate dhe më pas si krijues e drejtues për 10 vjet i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat. Gjatë kësaj kohe (1997-2005) ai zgjidhet deputet i Parlamentit shqiptar. Midis viteve 1994-1997 emërohet ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe më pas, 2006-2008, e gjejmë si ambasador të Shqipërisë në Federatën Ruse.

Si politikan, ministër dhe diplomat T.Laço dallohet për pjekurinë, kapacitetin, përvojën e pasur jetësore, përkushtimin, konsekuencën, përfaqësimin, pasionin dhe punën e përpjekjet e palodhura për kontribut ndaj shoqërisë shqiptare, urtësinë dhe përqasjen progresive ndaj fenomeneve shqiptare. Ai u largua nga politika me vullnet dhe i suksesshëm, kontribuues dhe sidomos i vetëdijshëm se qarkullimi i brezave dhe elitave intelektuale e politike është e vetmja mendësi e mundësi për të shpejtuar ritmin e zhvillimit dhe progresit të vendit drejt integrimit evropian.

Teodor Laço ka lindur 80 vjet më parë në fshatin e bukur Dardhë të Korçës, të cilën ai e ka cilësuar si margaritar të natyrës dhe humanizmit. Ajo mbetet për të ende vendbanimi i tij i preferuar, jo vetëm sepse e lidh me origjinën dhe përkatësinë e tij familjare, por edhe sepse ai ka qenë vendi i inspirimit shpirtëror, punës dhe realizimit të një numri të madh të veprave të tij, ku vetë ajo, pra Dardha, ndihet shumë herë si skenografi apo arenë e zhvillimit të tyre. Këtë vit, aty, ai është duke shkruar një dramë.

Kur ndodhet në Dardhë, ai nuk rresht së shkruari. Për kontributin e tij intelektual, krijues e veprimtar, Teodor Laço mban Urdhrin “Naim Frashëri të Klasit të Parë”, “Çmimin e Republikës”, si dhe emblemën “Qytetar Nderi” i Qarkut të Korçës. Së fundi, në rrafshin human natyra dhe jeta është treguar tepër dorëlëshuar. Ai mbetet njeriu me veti të rralla shpirtërore; mençuria, dashuria, zemërmirësia, thjeshtësia, humori, dëlirësia, çiltërsia, mbështetja, solidariteti, toleranca, bujaria e mbi të gjitha fisnikëria e tij janë atribute të një vetëdijeje e kapaciteti të rrallë njerëzor e intelektual të rrahur me përvojat më ekstreme të jetës së gjatë personale, familjare e shoqërore.

Është rasti që në këtë përvjetor ta përshëndesim atë për kontributet e tij prej një personaliteti të shquar shqiptar dhe t’i urojmë jetë të gjatë e krijimtari të pashtershme krijuese e intelektuale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura