Teuta mund edhe Tiranën duke rimarrë kryesimin e kampionatit, teksa Skënderbeu kursen goleadën ndaj Lushnjës dhe katapultohet në vend të tretë. Teuta mposht 2-0 Tiranën në stadiumin “Besa” të Kavajës. Bardheblutë kanë shpërdoruar, ndërsa në fund kanë qenë durrsakët që kanë festuar dhe marrë tri pikë të vlefshme. Takimi u nda në dy tablo, me një pjesë të parë të mirë të kryeqytetasve, të cilët u shfaqën më të rrezikshëm duke krijuar raste realisht të pastra. Ndërsa në të dytën historia ndryshoi, pasi “djemtë e detit” morën kontrollin e lojës dhe u shfaqën tepër konkretë para portës së Çakës. Në minutën e 60-të dhe 70-të, Xhafaj dhe Mancaku vulosën shifrat dhe me këtë fitore Teuta rrjedhimisht rikthehet në krye të renditjes, ndërsa Tirana pas kësaj disfate të tretë radhazi e sheh veten në vendin e parafundit. Pjesa e parë ka qenë më e mirë për bardheblutë, të cilët kanë pasur disa raste me Semedon dhe Peposhin, por pa arritur te goli. Edhe 45-minutëshi i dytë nis mirë për ekipin e Dedes, teksa vetëm në të 47′ Limani rrezikon në pozicion të prirët, gjuan, por pret Rizvani. Reagon Xhafaj në minutën e 51-të, por topi i tij devijohet prej Muçës dhe më pas pritet prej Çakës. Në të 57′ Tirana mund të kishte rastin më të mirë për gol. Gabim i Çyrbjas, përfiton Jovanoviç, i futur rishtazi në fushë, i cili kombinohet me Limanin, mesfushori godet bukur, por topi i tij ndalet nga shtylla. Çyrbja bëhet antagonist në këto sekonda, teksa me portë të boshatisur të Tiranës nuk arrin ta dërgojë në rrjetë. Megjithatë, mesfushori rikuperon shpejt gabimin dhe në të 60-n jep një kros perfekt për Xhafajn: sulmuesi, me qetësinë e duhur dhe i pambuluar prej mbrojtësit Kaja i ndodhur aty, e dërgon topin me lehtësi në rrjetë dhe 1-0. Tirana nis të gabojë në mbrojtje, duke mos e përballuar presionin e durrsakëve. Në minutën e 70-të rrjedhimisht vjen goli i dytë. Kaja me Muçën nuk merren vesh, Çyrbja në kontroll të topit pengohet prej Kajës dhe kryesori Hoxha akordon penallti. Gjuan saktë Mancaku dhe 2-0. Nuk ka më histori kjo ndeshje, sepse Tirana nuk ka asnjë shans për të reaguar. Ndërsa në Korçë, Skënderbeu mund Lushnjën në ndeshjen e fundit të javës së pestë, por përtej rezultatit 2-0, ajo çka duhet vënë në dukje ishin rastet e pafundme të humbura nga lojtarët korçarë para portës së portierit Spaho. Takimi u luajt në një ritëm relativisht të lartë, por gjithsesi nën dominimin e kampionëve. Një gol i Shkëmbit shënuar nga pika e bardhë e penalltisë dhe një tjetër i Pejiç i dhanë skuadrës së drejtuar nga Mirel Josa tri pikë, që e ngjisin tashmë në vendin e tretë në renditje, me një pikë më pak sesa Vllaznia, kundërshtar që do t’i bëjë vizitë këtë mesjavë (të enjten) në Shkodër. Nga ana tjetër, Lushnja tregoi edhe një herë se nuk është skuadra tipike e Superiores, teksa shpalosi një tjetër futboll në transfertë, duke vënë në pah inferioritetin e saj përballë kampionëve, jo thjesht në lojë dhe organikë, por edhe në mentalitet. Humbja e dytë në pesë javë dhe rrëshqitje në vend të 7-të në renditje me 7 pikë. Ndërkaq, java e 6-të e Superiores luhet në mesjavë, teksa të mërkurën në orën 14:00 do të përballen: Laçi-Besa, Flamurtari-Bylisi, Kukësi-Partizani, Tirana-Kastrioti dhe Lushnja-Teuta. Ndërsa të enjten, në të njëjtën orë, do të luhet takimi i fundit, Vllaznia-Skënderbeu.
java e 5-të
PARDJE
Partizani-Flamurtari 0-0
Vllaznia-Laçi 3-0
Hajdari 18′, Bushic 60′, 80′
Kastrioti-Kukësi 0-1
Shënues: Allmuça 79′
Bylis-Besa 3-0
Meto 45+1′, Xhejms 62′, Izuçuku 80′
DJE
Teuta-Tirana 2-0
Xhafaj 60′, Mancaku 70′ (p)
Skënderbeu-Lushnja 2-0
Shkëmbi 18′ (p), Pejiç 49′
kategoria superiore
RENDITJA
Nr EKIPI N F B H G+ G- P
1. Teuta 5 3 2 0 8 4 11
2. Vllaznia 5 3 1 1 9 2 10
3. Skënderbeu 5 3 0 2 7 5 9
4. Partizani 5 2 2 1 5 3 8
5. Bylis 5 2 1 2 7 5 7
6. Kukësi 5 2 1 2 4 5 7
7. Lushnja 5 2 1 2 3 4 7
8. Laçi 5 2 1 2 2 4 7
9. Kastrioti 5 2 0 3 3 5 6
10. Flamurtari 5 2 1 2 4 4 4
11. Tirana 5 1 1 3 1 6 4
12. Besa 5 0 1 4 3 9 1
SHËNIM: Flamurtari -3 pikë, i dënuar nga Disiplina.
LEONARD KARAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al