Në kujtim të një prej Legjendave të Diturisë Shqiptare.
Jeta e një prej ciceronëve shqiptarë në SHBA.
Para gjashtë muajsh, e konkretisht më 31 korrik të vitit të shkuar, ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare një prej shqiptarëve më të ditur, profesor Thanas Shkurti. I lindur me një inteligjencë të admirueshme dhe talent të jashtëzakonshëm, ai befasoi që në fëmijëri mësuesit, e më vonë profesorët që shihnin tek ai eruditin e ardhshëm që kishte kaluar me kohë nivelin e bashkëmoshatarëve të vet. Përvetësimi që në fëmijëri dhe adoleshencë i gjuhëve klasike e moderne, si dhe studimi me themel i literaturës së kohës, veçanërisht shkencave humane, bënë që ai të shihej si një djalë me talent të spikatur pavarësisht moshës së re. Njohuritë e përvetësuara, fantazia, oratoria dhe logjika e hekurt bënë që qysh i vogël, babai i tij, avokat Dhimitër Shkurti, një burrë i ditur, mësuar në Athinë dhe Paris, të shihte tek i biri një djalë të pakrahasueshëm. Në mesin e viteve ’40 të shekullit të shkuar mbaroi Gjimnazin e Tiranës. I pajisur me një kulturë të admirueshme, Thanas Shkurti priste t’i dilte e drejta e studimit në një nga shtetet e Lindjes. Ishin vitet e para të pasluftës dhe familja e tij, si tërë familjet intelektuale, shihej me dyshim. Dëshironte të bëhej mjek, por nuk iu dha e drejta e studimit, pavarësisht rezultateve të shkëlqyera. I zhgënjyer, por edhe objektiv për gjendjen dhe kohën kur jetonin, Thanas Shkurti u punësua fillimisht në Agjencinë Telegrafike Shqiptare si përkthyes nga gjuhët anglisht dhe frëngjisht, punë që s’ishte në natyrën dhe temperamentin e tij. Më vonë filloi punë si mësues i Gjuhës dhe Letërsisë, fillimisht në shkollat shtatëvjeçare dhe pastaj në ato të mesme të Tiranës, krahas vazhdimit të studimeve në Institutin Pedagogjik, të cilin e mbaroi në kohë rekord.
Ishte fillimi i viteve ’50, kur profesor Thanas Shkurti u bë i famshëm falë talentit, oratorisë dhe interpretimit të rrallë që elektrizonte sallat e leksioneve, ku për tema të veçanta që kërkohej edhe interpretim artistik, mësimi zhvillohej duke bashkuar dy-tri paralele së bashku. Askush nuk mund ta besojë madhështinë dhe virtuozitetin e tij nëse s’ka qenë të paktën një orë nxënës i tij. E, në ato orë, profesor Shkurti, atëherë një djalosh i brishtë, pak mbi të njëzetat, arrinte të krijonte një atmosferë elektrizuese që shpesh shpërthente instinktivisht në duartrokitje dhe herë të tjera në heshtje, ku nxënësit “zgjoheshin nga magjia”, kur profesori kishte disa minuta që ishte larguar nga klasa. Pavarësisht programeve të gjuhës dhe letërsisë në ato vite, profesor Shkurti ideonte dhe programonte që nxënësit të njihnin tërë letërsinë botërore. Nuk kishte orë mësimi që të mos fillonte me një poezi, novelë apo tregim nga poetët dhe shkrimtarët më të mëdhenj të botës, një pjesë e të cilëve botohej edhe në shtypin periodik të kohës. Kështu që, dashur padashur, nxënësit njiheshin me të gjithë kolosët e letërsisë botërore, pavarësisht se s’ishin në programet mësimore. Vite më vonë, ish-nxënës e studentë të tij e takonin me nostalgji dhe admirim profesorin, të cilit i vinin në dukje se ato orë dhe ato komente letrare që bëheshin atëherë prej tij, nuk i ndeshën më gjatë gjithë jetës së tyre. Vlerësimet nga ish-nxënësit e studentët ishin pa fund. Do t`ju them këtu fjalët e një nxënëseje të tij, që pas shumë vjetësh ishte bërë mësuese. Kur profesor Shkurti shkoi për të dëgjuar disa orë mësimi të saj, ajo qau dhe e mallëngjyer i tha: “U flas vajzave të mia për ju si për një legjendë!”
Njohës me themel i gjuhëve klasike, greqishtes së vjetër e latinishtes dhe atyre moderne, profesor Shkurti, që në fillim të viteve ’50, i foli botës nëpërmjet Radio Tiranës për 13 vjet me radhë në emisionet për të huajt në gjuhët anglisht, frëngjisht e italisht. Pra, çdo ditë nga 5-6 orë mësim, e pasdite në Radio Tirana deri në orët e vona të natës, profesor Shkurti gjente kohë duke studiuar gjithë natën për të qenë të nesërmen në lartësinë e duhur para nxënësve dhe studentëve, të cilët e shihnin si idhullin e tyre. Kur ishte në kulmin e lavdisë, në vitin 1960, në Fakultetin e Filologjisë, u hap për herë të parë Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze me dy profesorë nën drejtimin e profesor Skënder Luarasit, një patriot, burrë i ditur dhe përkthyes i kryeveprave botërore. Ai bëri të pamundurën dhe arriti ta marrë profesor Shkurtin në Degën e Anglishtes, një gjuhë e mësuar prej këtij të fundit në mënyrë autodidakte, por, sa qe gjallë, jo vetëm që s’iu afrua askush, por edhe ata më të zotët ishin shumë larg nivelit të tij. E, në këtë periudhë, me eksperiencën, talentin dhe fantazinë, ai konceptoi dhe programoi lëndët që duhej të zhvilloheshin duke marrë eksperiencat më të mira nga universitetet më prestigjioze të Botës. Një punë e madhe, kolosale, e pallogaritshme, bënë që ai të programonte, ideonte, formulonte dhe të përgatiste leksione të shkruara që u shpërndaheshin studentëve. Një plejadë studentësh e asaj periudhe ishin ata që më vonë u bënë profesorët e diplomatët e ardhshëm e që shihnin te profesor Shkurti eruditin dhe profesorin e pakrahasueshëm. Nuk është vendi të bëj tani analizën e hollësishme, për të zbuluar atë misteriozen e leksioneve dhe sukseseve të tij, por dua të them se akoma dhe sot, pas gjysmë shekulli, nëpër auditorët dhe ambientet e Degës së Anglishtes zihet në gojë emri i një profesori që është bërë proverbial dhe këto janë fjalët e atyre që mbarojnë çdo vit atë Fakultet. Por kjo lavdi dhe famë nxiti xhelozinë dhe zilinë e profesorëve të paaftë dhe mediokër, që s’lanë gur pa lëvizur, derisa e larguan përfundimisht nga Universiteti dhe nga Dega e Anglishtes që ai e ideoi dhe formoi sipas koncepteve dhe standardeve më të mira botërore.
Një kalvar mundimesh e vuajtjesh e shoqëruan mbas kësaj periudhe. Ishte fundi i vitit 1966. Fillimisht e emëruan në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë. I dërrmuar moralisht e shpirtërisht, por gjithmonë “në këmbë”, profesor Shkurti dha disa lëndë, si: letërsi, filozofi, frëngjisht e anglisht, si dhe u mor me hartimin e teksteve mësimore për mësimin e gjuhës angleze, derisa e mbylli ciklin e mësimdhënies në vitin 1982, kur doli në pension në gjimnazin e Kombinatit. Kërkesave të vazhdueshme të miqve për të shkruar dhe të një miku të veçantë që i kërkoi profesor Shkurtit të bënte një monografi për jetën dhe aktivitetin e tij, ky i fundit duke e falënderuar nga zemra profesor Kolë Tahirin me banim në Belgjikë, ndër të tjera i shkruante: “…dua të theksoj se unë si mësues, si profesor dhe si ambasador, s’bëra gjë tjetër veçse detyrën time ndaj Atdheut. Dhe njeriu s’duhet asnjëherë të lëvdohet se ka kryer detyrën. Megjithëse për 50 vjet shteti shqiptar s’më lejoi të shkruaja as në Gazetën e Murit, e donte puna që të kontribuoja me shkrimet e mia në zgjidhjen e shumë problemeve të profesionit…”. Dhjetëra tekste dhe metoda për mësimin e gjuhës angleze për shkollat tetëvjeçare dhe të mesme, libra për mësuesit e fjalorë sinonimesh mbajnë emrin e profesor Thanas Shkurtit si autor. Metoda të shkurtra, koncize, të sakta, të konceptuara mjeshtërisht. Me to kanë mësuar anglisht jo vetëm nxënësit e shkollave, por edhe një numër i konsiderueshëm kuadrosh që shihnin në to të vetmet metoda ku thjeshtësia dhe madhështia qëndrojnë kaq në harmoni me njëra-tjetrën. Nga ana tjetër, dhjetëra esé të shkruara dhe të përkthyera për shkrimtarë të mëdhenj dhe kryevepra botërore, komente për fjalorë të ndryshëm, referate dhe plot materiale filozofike dhe linguistike mbajnë autorësinë e tij.
Fillimi i viteve ’90, pavarësisht se në pension, e gjeti profesor Shkurtin në kulmin e aftësive intelektuale. Në vitin 1992, kur ishte 65 vjeç, qeveria shqiptare, duke ditur kapacitetin dhe kulturën e tij, e emëroi ambasador të Shqipërisë në OKB. Me një energji të admirueshme, por edhe me një staturë për t’u pasur zili, ai u rreshtua krahas diplomatëve më të mëdhenj të botës, të cilët duke ditur kush ishte Shqipëria, e shihnin me indiferentizëm e pa interes diplomatin shqiptar. Por, mjaftuan dy-tri konferenca në selinë e OKB-së në prani të ambasadorëve, që ata të shihnin që ai vend i vogël kishte gjetur pa dyshim personin më të madh për t’i përfaqësuar. Njohuritë e pakrahasueshme në kulturën e përgjithshme, në histori, filozofi, letërsi, shkencat politike dhe njohja me themel e finesë e gjuhëve kryesore europiane, bënë që për një kohë fare të shkurtër ai të ishte figura qendrore, duke u renditur në personalitetin më karizmatik. Shumë diplomatë të vendeve të mëdha e ftonin profesor Shkurtin në selitë e tyre vetëm e vetëm për ta dëgjuar e të diskutonin me të probleme nga fusha të ndryshme të diturisë. Nga ana tjetër, nëpunësit e Ministrisë së Jashtme në Tiranë lexonin me vëmendje shkresat e telegramet që profesor Shkurti dërgonte, duke admiruar stilin brilant të tij, duke thënë: “Tani po, në Amerikë ka vajtur Konica i dytë”. Komuniteti shqiptar në Amerikë e ftonte ambasadorin në raste festash të ndryshme dhe i kërkonin atij të fliste për evenimentin në fjalë. Ligjëratat e tij ishin koncize, me fjalë dhe shprehje të zgjedhura. Në një rast të festimit të Krishtlindjeve, aq shumë u ekzaltuan pjesëmarrësit, saqë një prej tyre, një burrë i ditur, iu drejtua: “Më falni zoti ambasador, teologji keni mësuar ju?!”. Sipas fjalëve të shumë ambasadorëve të huaj të OKB-së, ai nuk përmirësoi, por krijoi imazhin e vendit të tij. U përpoq të fitonte përkrahjen e Botës për Shqipërinë lidhur me institucionet e saj demokratike, gjendjen ekonomike etj. Për disa probleme parimore, më pas filluan edhe kontradiktat, mbasi ai s’mund të ishte skllav i klisheve standarde që shpesh nuk përputheshin me idetë dhe karakterin e tij. Në ato kushte dha dorëheqjen dhe, në dhjetor të vitit 1993, pas një viti e gjysmë, shërbimi u kthye në atdhe. Në vjeshtë të vitit 1995, bashkë me gruan e tij, Lauretën, u nis përsëri në Amerikë, qeveria e së cilës i akordoi para afateve ligjore lejen e përhershme të qëndrimit (Green Card) dhe më pas shtetësinë amerikane. Shumë shpejt pas kësaj, Universiteti i Çikagos, një nga më të famshmit e botës, i ofroi postin e lektorit të Nderit në Letërsinë Britanike. Një ditë, autoritetet arsimore në South Dakota i kërkuan profesor Shkurtit mendimin mbi rëndësinë e mësimit të gjuhëve klasike në shkollë. Pas përgjigjes së tij me shkrim, ata i dërguan një diplomë që e shpallte Shkurtin “Edukator Nderi”. Ditën kur iu dha nënshtetësia amerikane, kolegët e Fakultetit e uruan. Një prej tyre, një zonjë, shkroi: “America acquired a gem!” (Amerika fitoi një gur të çmuar!”). Ironikisht, këto vlerësime i vinin Thanas Shkurtit nga një vend i huaj, jo nga atdheu i tij, Shqipëria së cilës ai i fali gjithë pasionin dhe diturinë e tij! Dekani i Ffakultetit kur njohu nga afër profesor Shkurtin, i la dorë të lirë t’u fliste studentëve për çfarë të donte. E, në ato leksione, ku shpesh merrnin pjesë edhe profesorë të atij Fakulteti, profesor Shkurti zhvillonte leksione dhe tema të lira, ku gërshetoheshin gjithë eksperienca dhe kultura e tij. Aq i madh ishte nderimi i trupës mësimore të atij Fakulteti, saqë kur ai doli në pension (kur i kishte kaluar të tetëdhjetat), dekanati organizoi një takim lamtumire ku fjala e profesor Shkurtit elektrizoi dhe mallëngjeu gjithë auditorin. Para dy vjetësh, familja Shkurti u kthye përfundimisht në Shqipëri. Pak sende personale dhe mbi njëzet baule të mëdha me librat më të zgjedhur të të tëra kohërave nga moria e pafund e botimeve. Kishte karakter të fortë, burrëror, të pamposhtur dhe vullnet të hekurt. Ky karakter i fuqishëm konvergonte me një portret të mirëfilltë intelektuali që, sa ta shihje, ballafaqoheshe me një burrë tepër elegant, gjithë sharm, veshur shik, gjithmonë me kapele borselinë, me fjalë të tjera një aristokrat i lindur. Asnjë ndryshim i dukshëm në fizionominë e tij gjatë dyzet vjetëve që unë jam miku i tij. Pesëmbëdhjetë vitet e fundit që jetoi dhe punoi në Amerikë, shumë njerëz të panjohur, të lirshëm siç janë amerikanët, befasoheshin nga portreti i tij i veçantë dhe shpesh e ndalonin në rrugë dhe e pyesnin: “Zotëri, kush jeni ju, jeni shumë elegant!”- apo “zotëri jeni veshur shumë bukur, nga jeni?!” etj.
Kohët e fundit i kalonte duke lexuar e duke u takuar me miqtë. Herë pas here ankohej për disa dhembje që i kalonin në bark e kraharor, por meqë ishin të lëvizshme, nuk lejonin të përcaktohej zona e saktë e sëmundjes, derisa një natë, aty nga fundi i muajit maj, një dhembje e padurueshme dhe hemorragji në stomak e detyroi t’i nënshtrohej një operacioni nga i cili s’e mori më veten. Mjekët e spitalit të Tiranës bënë ç’ishte e mundur për ta shpëtuar, megjithëse e dinin që ishte një luftë e humbur. Profesor Mentor Petrela, që ishte dhe mik i vjetër i profesor Shkurtit, sa herë e vizitonte në spital, nuk harronte t’i përsëriste: “You are my king!” (Je Mbreti im!). Tashmë, duke perifrazuar doktor Petrelën, profesor Thanas Shkurti, “Mbreti i Diturisë”, s’është më, por është gjallë legjenda e tij, LEGJENDA SHKURTI!
Nga: THANAS VERDHI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al