Alpin Gallo jep dorëheqjen nga Tirana. Një ditë më parë, trajneri kërkoi largimin nga skuadra bardheblu. Pas dy javësh orvatjeje, ai mori vendimin që të ikte nga drejtimi i kryeqytetasve. Duket se ardhja e italianit Luixhi Gargano e ka bindur Gallon se kjo ishte zgjedhja e duhur. Në dy ditët e fundit, që pas afrimit të këshilltarit, ka qenë edhe ky i fundit që e ka stërvitur ekipin, duke krijuar pakënaqësi te vetë trajneri. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Gallo tregon arsyet e dorëheqjes, teksa nuk nguron që t’i urojë suksese ekipit në vazhdim.
Gallo, është e vërtetë që keni kërkuar dorëheqjen nga Tirana?
Po, e vërtetë. Sot (dje) kërkova largimin nga drejtimi i skuadrës. Në fakt, që pas ndeshjes me Laçin, pasi fola edhe me administratorin, kërkova të njëjtën gjë, por atëherë e refuzuan.
Po tani e kanë pranuar dorëheqjen?
Në fakt jo, por u thashë se është vendim i parevokueshëm. Nuk ka kthim mbrapa, e kam menduar mjaft mirë.
Po pse erdhi ky vendim?
Rezultatet flasin vetë, ishte koha që të tërhiqesha. Me shumë keqardhje, pasi kisha të tjera ide kur erdha. Por, dikush duhet ta marrë fajin përsipër dhe shpresoj të jem unë fajtori. Janari ishte shumë vonë, nuk mund të prisnim aq.
Fakti që së fundi janë lakuar mjaft emra për stolin, ju ka shqetësuar?
Nuk është se ndihesh mirë, por nuk është ky motivi. Trajneri gjithnjë me “valixhe” në dorë është, këtë pjesë e di kushdo. Ndoshta isha unë pengesa e kësaj Tirane, ndaj shpresoj që ai që do vijë, të bëjë diçka më mirë.
Në ditët e fundit u afrua edhe italiani Gargano si këshilltar, por ndërkohë ka bërë edhe trajnerin. Si e pritët një gjë të tillë?
Ishte ai, isha edhe unë. Mirëpo, italiani po vinte në zbatim idetë e veta.
Kujt ia komunikuat vendimin tuaj?
Donatorit Babasi. Nuk e pranoi, por s’mund të vazhdoja më. Nuk kishte kuptim.
Po me ekipin u përshëndetët?
Jo, por do e bëj. Ndoshta do të shkoj në Lushnjë që t’i shoh, si tifoz. Shpresoj që të fitojnë, çka do ishte si një dhuratë për mua. Do i përshëndes patjetër, pasi janë djem shumë të mirë. Kam kaluar mirë gjatë kësaj periudhe dhe, përpos gjithçkaje, ai grup mund ta nxjerrë Tiranën nga kriza, pasi kanë kualitet.
Si ishte ky muaj në drejtim të Tiranës, ndiheni i zhgënjyer?
E kam vuajtur shumë, sepse doja që të bëja diçka të mirë, ndryshe nga kjo që u pasqyrua. Ndoshta kam gabuar, por sedra nuk më lejoi që të vazhdoja më në krye të skuadrës kryeqytetase.
Më parë keni qenë pjesë e akademisë, mund të riktheni sërish në atë post?
Nuk e di, s’kam folur me njeri. Thjesht sa komunikova dorëheqjen dhe ende s’e kam dorëzuar zyrtarisht me letra.
Sokol Bulku
Sokol Bulku do të jetë trajneri i përkohshëm i Tiranës në vazhdim. Pra, me largimin e Alpin Gallos, zyrtarisht detyrën do ta marrë numri dy i stolit. Ai do e drejtojë skuadrën nga pankina në ndeshjen e nesërme kundër Lushnjës, transfertë vendimtare për të ardhmen e kryeqytetasve, të cilët dergjen prej javësh në fundin e tabelës. Mësohet se Bulkut i është komunikuar se përkohësisht, deri në gjetjen e një tjetër emri për pankinën, këtë detyrë do ta mbajë zv.trajneri.
Një “anonim” stërvit bardheblutë
Luixhi Gargano, edhe pse erdhi në rolin e një këshilltari, po bën edhe trajnerin te Tirana. Edhe dje ai vazhdoi ta stërviste skuadrën bardheblu, ndonëse prezent ishte dhe Alpin Gallo (deri dje kishte detyrën e trajnerit). Ky i fundit rrinte në pankinë, si shikues, ndërkohë që italiani po drejtonte seancën e radhës duke aplikuar skemat e tij. Gjë që sigurisht i ka lënë shije të hidhur teknikut, i cili ka marrë vendimin për t’u larguar nga drejtimi i kryeqytetasve. Megjithatë, Gargano zyrtarisht do të jetë këshilltari i Tiranës në vazhdim, paçka se mund të ketë rol vendimmarrës edhe si trajner. Gjatë kësaj periudhe ai do jetë në provë, e cila nuk do të zgjasë më shumë se një muaj, ndaj ende nuk ka nënshkruar një kontratë. Fillimisht ai u projektua si trajner i parë, pra që do të zinte vendin e Alpin Gallos.
LEONARD KARAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al