SENAD NIKSHIQI/ U dha prona të afërmve në Theth, arrestohet ish-kryetari i Komunës Shalë.
Dedë Tonaj është kapur dje nga forcat e Policisë në Shkodër, pasi ishte person i shpallur në kërkim. 48-vjeçari është dënuar në dhjetor 2017 me 2 vite e 8 muaj burg për “shpërdorim detyre”. Ndalimi i tij ka ardhur vetëm pas më shumë se 17 muaj nga vendimi. Hetimet për Tonajt nisën në prill 2017, ku akuzohej për falsifikim të dokumenteve të pronësisë në fshatin Theth bashkë me dy vartës së tij në Komunën Shalë.
Bëhej fjalë për dhënien në pronësi në mënyrë të paligjshme të një sipërfaqeje prej mbi 41 mijë metrash katrorë tokë në zonën turistike të Thethit. Kjo u bë përmes falsifikimit të dokumenteve, pasi pronarë u bënë persona që nuk u takonte tokë në këtë zonë në bazë të ligjit 7501. Pronat më pas u regjistruan në Hipotekën e Shkodrës dhe prej këtej lindën dhe dyshimet për nisjen e një hetimi të thelluar.
HETIMET
Ish-kreu i Komunës Shalë, Dedë Tonaj, dhe dy ishvartësit e tij, Tomë Shyti dhe Gjovalin Lokthi rezulton se kanë dhënë pronësinë për 4.1 hektarë tokë në një zonë turistike në Theth me anë të dokumenteve false. Përveç kësaj, këta tre ish-zyrtarë kanë bërë pronarë toke në bazë të ligjit 7501 edhe shtetas të lindur pas vitit 1991 apo shtetas që nuk janë banorë të zonës. Në përfundim të hetimit, Tonaj u shpall fajtor për shpërdorim detyre. Ish-kryetari i komunës në bashkëpunim me ishvartësit e tij, kanë falsifikuar dokumente zyrtarë, në bazë të të cilëve persona të ndryshëm janë bërë pronarë të pronave në zonën turistike pa pasur asnjë të drejtë ligjore për përfitim të pronësisë.
Pas nisjes së hetimeve, me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, Gjykata vendosi sekuestro preventive për këtë pronë, me sipërfaqe rreth 41.500 m2 tokë. Në vitin 2008, ish-Kryetari i Komunës Shalë ka urdhëruar nëpunësin e komunës Tomë Shyti, me detyrë inspektori i taksave pranë komunës, dhe kryeplakun Gjovalin Lokthin të plotësojnë formularë të Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) për banorët e fshatit Theth, në një kohë që nuk është ngritur komision për ndarjen e tokës në fshat, ku këta të kenë qenë anëtarë dhe nuk është ndjekur asnjë procedurë ligjore për ndarjen e tokës për banorët e fshatit Theth.
Tokë kanë përfituar banorë jo të zonës si dhe persona që kanë lindur pas vitit 1991. Në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se, në bazë të këtyre akteve joligjore janë regjistruar në Hipotekën e Shkodrës pronat në një sipërfaqe totale prej rreth 41.500 m2 në zonën e Thethit, ndërsa pjesa tjetër e pronave janë në proces regjistrimi. Për këtë arsye, Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar sekuestrimin e pronave të regjistruara në Hipotekë në emër të 5 shtetasve të ndryshëm, me qëllim që të shmanget tjetërsimi i mëtejshëm i tyre. Ndërsa për tokat e përfituara në mënyrë të paligjshme, por që vijojnë të jenë në proces regjistrimi në Hipotekë, Prokuroria e Shkodrës njofton Avokaturën e Shtetit për të vijuar procedurat e mëtejshme për të rikthyer në ligjshmëri procesin e ndarjes së tokave në ish-Komunën Shalë (Theth).
PRETENDIMI
Sipas vetë 48-vjeçarit ndarja e tokës në Theth në vitin 2008 është bërë nga një komision dhe banorët e zonës kanë bërë vetëdeklarim. Më pas, ky dokumentacion është dërguar në Këshillin e Qarkut, por duke mos pasur vendim në atë kohë për zonat malore, ndarja nuk mori fuqi ligjore. “S’kam tjetërsuar asnjë pronë. Edhe Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi, që ka lëshuar komuna Shalë në vitin 2008, nuk kanë marrë fuqi ligjore”, u shpreh Tonaj pas nisjes së hetimeve, duke shtuar “se çfarë ka ndodhur më pas pasi i kemi dorëzuar, unë nuk e di”. Ish-kryekomunari deklaroi gjithashtu në 2017-n, kur nisi hetimi, se fëmijët e tij nuk kanë asnjë pronë në Theth siç pretendon Prokuroria. “As nuk kam pronë, as asgjë tjetër. Kam veç 500 m2 tokë dhe një shtëpi njëkatëshe në Dobraç në Shkodër, ato i gëzoj me ligj, ndërsa për pjesë të tjera që thuhen, ia fali gjithë shqiptarëve kush të dojë nëse gjenden kund”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al