Tokat me 7501, kreu i Kadastrës: Ja lehtësirat për marrjen e tapisë!

Feb 17, 2021 | 13:09
SHPËRNDAJE

Asnjë tapi e dhënë për tokën bujqësore të ndarë me ligjin 7501 nuk do të cenohet. Kreu i Kadastrës, Artan Lame, tha dje se për Aktet e Marrjes së Tokës në Përdorim (AMTP) të regjistruara përpara hyrjes në fuqi të ligjit 20/2020, nuk do të shqyrtohet legjitimiteti i titullmbajtësit. Pra, pronarët do ta disponojnë lirisht pronën. Në fakt, një ndryshim i tillë iu diktua qeverisë nga Komisioni i Venecias.

tokat bujqesore-artan-lame

Në draftin paraprak parashikohej që të kalonin në sitë të gjitha këto vendime, por me ndryshimet e bëra më pas, u përcaktua që këto tituj të konsiderohen të vlefshëm dhe tagrin për shfuqizimin e tyre ta ketë vetëm Gjykata. Në një dalje të posaçme për mediat, Lame u ndal në lehtësirat e këtij procesi, me anë të së cilave synohet t’i shkohet në fund kësaj problematike të mbartur për 3 dekada me radhë.

Sipas tij, me ndryshimet e bëra nuk shqyrtohet më sipërfaqja e përfituar me AMTP në raport me sipërfaqen takuese sipas normës për frymë. Nga ana tjetër po ashtu, në kategorinë e AMTP-ve të regjistrueshme, janë shtuar edhe AMTP që janë lëshuar për personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore, ose trashëgimtarët e tyre. Lëshime ka edhe për llojin e pasurisë.

“Llojet e tokës së përfituar me AMTP, për të cilat nuk regjistrohet AMTP-ja mbeten vetëm 4: truall; vepër e infrastrukturës publike; rërë bregdetare, plazh; sipërfaqe ujore. Pra, është hapur rruga për regjistrimet e llojeve deri dje të përjashtuara si kullota, toka për frymë, etj.”, shtoi më tej kreu i Kadastrës. Në datën 7 nëntor u mbyll edhe afati i aplikimeve duke i hapur rrugë fazës së dytë të procesit që është shqyrtimi i dosjeve. Veç familjeve që nuk kanë asnjë dokument për tokën bujqësore që kanë në përdorim, në skemë janë edhe familjet të cilat kanë aktin e marrjes së tokës në përdorim, por pasuria e tyre nuk është regjistruar. Në këto rrethana gjenden jo pak, por 250 mijë familje.

ARTAN LAME

Para rreth një muaji, një qytetar nga periferitë e Kamzës kreu aktin e rëndë të vetëvrasjes. Arsyeja: prej vitesh ishte thirrur në gjyq për saktësimin e tokës së tij të përfituar me AMTP. Ishte vetëm i fundit në serinë e gjatë të konflikteve për pronën, që prej një çerek shekulli vijojnë nëpër të gjithë vendin.

Po pse u arrit në atë gjest ekstrem? Nga procesi i ndarjes së tokës me ligjin 7501, deri tani kanë përfituar rreth 450.000 familje fshatare, me rreth 1,8 milionë pasuri toke, rreth gjysma e të cilave janë ende të pacertifikuara. Përtej kësaj, sa mund të duket absurd, ende rezultojnë disa mijëra familje fshatare të cilat e përdorin token bujqësore pa qenë pajisur asnjëherë me AMTP. Si të mos mjaftonin këto, në vitin 2008 qeveria e atëhershme miratoi një ligj (Ligji 9948/2008) me qëllim verifikimin dhe shfuqizimin e titujve të dhënë deri atëherë, ligj ky që e komplikoi edhe më keq situatën.

Pra, gjysma e familjeve fshatare që nuk e kishte regjistruar ende tokën, rrezikonte t’i futej një kalvari të ri, duke u thirrur rast pas rasti në gjyq për tokën që kishte marrë. Reforma e ndërmarrë dy vitet e fundit në fushën e pronës, kishte si qëllim pikërisht të ndalonte këtë degradim absurd të rolit rregullator të shtetit dhe t’i jepte fund këtij kaosi. Kështu, në maj të vitit që lamë pas, hyri në fuqi ligji 20/ 2020 ”Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në RSH”, ligj ky, që siç e thotë dhe titulli i tij, do të përmbyllë dhe po përmbyllë të gjitha marrëzitë e bëra me pronat në Shqipëri në këto tri dekada. Pjesë e këtij procesi është dhe ai i efekteve të ligjit 7501/1991 “Për tokën”.

Tashmë, pas përmbylljes së procesit të legalizimeve, sfida e radhës në fshat është sfida e certifikimit të tokës bujqësore. Kjo sfidë përbëhet: – Nga përfundimi i procesit të pajisjes me AMTP (Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi) të atyre familjeve dhe kategorive për të cilat ende nuk është bërë. – Nga ajo që është më kryesorja, regjistrimi dhe certifikimi i gjithë pronës në fshat. Ndër të tjera, ligji 20/2020 shfuqizonte edhe ligjin e famshëm të vitit 2008, “Për verifikimin e titujve të pronësisë”. Ligji 20/2020, në fushën e pronësisë në fshat, filloi t’i jepte efektet që gjatë vitit të shkoi. Vjet, në raport me vitet paraardhëse u bë i mundur certifikimi i një numri pronash fermere i pakrahasueshëm me asnjë prej viteve paraardhëse.

Në vijim të këtij procesi, në dhjetor 2020, u miratuan në qeveri edhe dy nga aktet nënligjore më të rëndësishme të ligjit 20/2020, VKM 1174 dhe 1182 të dhjetorit 2020, që plotësojnë procedurat e plotësimit të AMTP-ve, të regjistrimit të tyre dhe të saktësimin të kufijve dhe sipërfaqeve të tyre. Përmes këtyre vendimeve, thjeshtohet shumica e procedurave torturuese që parashikonte kaosi ligjor e nënligjor që ekzistonte deri përpara miratimit të Ligjit 20/2020. Disa nga risitë e dy akteve (VKM 1174 DHE 1182):

Për AMTP-të e regjistruara përpara hyrjes në fuqi të ligjit 20/2020, nuk shqyrtohet më legjitimiteti i titullmbajtësit. Pra, pronarët do ta disponojnë lirisht pronën. Në kategorinë e AMTP-ve të regjistrueshme, janë shtuar edhe AMTP që janë lëshuar për personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore, ose trashëgimtarët e tyre.

Nuk shqyrtohet më sipërfaqja e përfituar me AMTP në raport me sipërfaqen takuese sipas normës për frymë. Llojet e tokës së përfituar me AMTP, për të cilat nuk regjistrohet AMTP-ja mbeten vetëm 4:

a) truall

b) vepër e infrastrukturës publike

c) rërë bregdetare, plazh

d) sipërfaqe ujore

Pra, është hapur rruga për regjistrimet e llojeve deri dje të përjashtuara si kullota, toka për frymë, etj. Shqyrtimi i dokumentacionit të ndarjes së tokës bujqësore, kryhet vetëm nga ASHK-ja. Krijohet mundësia e blerjes së sipërfaqes që posedohet mbi atë çfarë përcaktohet në titullin e pronësisë apo dokumentin e përdorimit. Krijohet mundësia e regjistrimit, apo edhe përfitimit të aktit të pronësisë për tokën që disponohet në fakt, pavarësisht se ku mund ta jetë përcaktuar vendndodhja sipas AMTP/ dokumentacionit të ndarjes së tokës bujqësore, kur s’ka konflikte. Në kategorinë përfituesve, kur janë përdorues faktikë të tokës bujqësore, janë shtuar personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose trashëgimtarët e tyre Pika 3 e lehtësirave të krijuara më sipër, bën fjalë për të gjitha ato familje ku, sasia e tokës të cilën disponojnë, nuk përputhet me atë që do të duhet të kishin marrë në zbatim të ligjit 7501/1991.

Janë mijëra familje me këtë hall që, pasi ju zvarrit që nga viti 1991, u zvarrit edhe më keq me ligjin e vitit 2008. Tashmë problemi i tyre zgjidhet me dispozitat e miratuara së fundmi. Dhe në këtë kategori, përfshihej edhe rasti fatkeq që përmenda në fillim të këtyre radhëve. Fermerë shqiptarë, Kadastra Shqiptare është duke marrë masat e fundit organizative për aplikimin në territor edhe të kësaj pjese të legjislacionit të ri. Dokumentacioni ekzistues i tokës po mblidhet pranë drejtorive tona rajonale nga të gjitha burimet e bashkitë, njësitë vendore, këshillat e qarqeve, etj. Gjendemi në momentet e zbatimit të reformës më të madhe në fushën e pronësisë në vend që prej vitit 1991 dhe duhet të jemi bashkarish entuziastë për këtë gjë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura