Presidenti Bamir Topi tha dje se Kisha Katolike ka një kontribut të madh në vendosjen e një klime paqësore mes besimeve në vend. Kreu i shtetit ishte i pranishëm në 40-vjetorin e themelimit të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Europës. “Kam kënaqësinë e madhe të konstatoj se Kisha Katolike shqiptare ka dhënë një kontribut të veçantë gjatë etapave të zhvillimit të historisë së vendit tonë – në ruajtjen e integritetit të vendit; në konsolidimin e pavarësisë dhe ngritjen e shtetit; në ruajtjen e identitetit kombëtar, në kultivimin e gjuhës e kulturës, në ngritjen e institucioneve arsimore të popullit tonë, si dhe në luftën e përditshme kundër varfërisë dhe mjerimit, si dhe në shumë fusha të tjera. Por, kontributi më i madh mbetet vendosja e një klime paqësore dhe bashkëjetese mes besimeve në Shqipëri, si një pasuri e madhe kombëtare, që është ruajtur dhe trashëguar në breza nga krerët e komuniteteve fetare në vendin tonë”, u shpreh Topi. “Sot, Shqipëria është një vend demokratik e laik, mikpritës dhe respektues i të gjitha besimeve, anëtare e NATO-s, e vendosur në perspektivën e integrimit europian. Shpreh bindjen time të plotë se Vatikani, në vijim të traditës së tij historike, në sintoni me proceset demokratike e integruese, do të jetë, si gjithmonë, në krah të përpjekjeve të popullit shqiptar, i cili dëshiron të zërë vendin e tij në familjen e përbashkët europiane”, theksoi kreu i shtetit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al