Derbin e Madridit në Superkupën e Mbretit sonte në mbrëmje në Riad (Arabia Saudite) e ka komentuar edhe trajneri i Atletikos, Diego Simeone. Trajneri argjentinas shpreson në përsëritjen e një tjetër suksesi si ai në La Liga shtatorin e kaluar. Megjithatë, e sheh delikate këtë sfidë. “Ajo ishte një fitore e madhe për ne, por që u luajt në kushte të tjera.
Ata kishin disa mungesa në atë takim, ndërsa tani të gjithë do të jenë në fushë. Ata janë në një moment mjaft të mirë, ndërsa ne kemi pasur disa probleme në javët e fundit. Por ne do të luajmë siç dimë të bëjmë vetë”, tha Simeone. Derbi kundër Realit në Superkupën e Mbretit është i pari ndër tri që dy ekipet do të luajnë mes tyre në harkun e 26 ditëve. Dhe Simeone e pret i emocionuar këtë seri. “Të luash ndaj Realit të Madridit është një kënaqësi e veçantë. Të luash ndaj tyre është entuziazëm, është adrenalinë.
Gjithsesi, të tria ndeshjet do të ndryshojnë mes tyre. Kjo në Superkupë dhe ajo në Kupën e Mbretit janë të veçanta sepse luhen me takim tek dhe gjithçka mund të ndodhë. Për më shumë që në Kupën e Mbretit i presim në fushën tonë. Pastaj, La Liga është tjetër gjë, është një kompeticion ndryshe”, nënvizoi Simeone. Trajneri i “colchoneros” është ngacmuar edhe në lidhje me qasjen që ai dhe skuadra do të kenë në ndeshjen kundër Realit, ku mediat i kanë kujtuar ndeshjen në na Liga shtatorin e kaluar.
“Nuk e di, nuk e kam menduar këtë gjë. Sigurisht që e kemi një plan dhe duam ta aplikojmë në këtë ndeshje. Gjithsesi, kjo është ndeshje teke dhe ndryshon shumë nga një ndeshje kampionati”, tha argjentinasi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al