Tri vajza shqiptare do të marrin pjesë për herë të parë në eventin botëror të bukurisë, Miss Gobe 2015, që do të zhvillohet në 8 tetor në Toronto , Kanada.
Vajzat shqiptare që do të marrin pjesë në edicionin e 42-të të konkursit të bukurisë janë Sara Karaj, nga Shqipëria, e shpallur Miss Shqipëria 2015 në Voskopojë, Miss Mali i Zi, Rajmonda Cukaj dhe Miss Kosova, Emnolina Begaj.
Edhe pse duhen edhe disa javë deri në finalen e madhe të Miss Gobe 2015, producenti Petri Bozo prej ditësh ndodhet në Toronto, Kanada, bën të ditur atsh. Ky edicion do të shënojë një risi sa i takon spektakleve shqiptare: për herë të parë një producent shqiptar organizon një garë bukurie të niveleve të tilla, jashtë kufijve shqiptarë. Përgjatë këtyre ditëve, Bozo po mbikëqyr punën për organizimin e eventit të këtij viti. Javën e shkuar ai u zgjodh president i jurisë në “Miss Canada”, ku bashkë me anëtarët e tjerë përzgjodhën më të bukurën kanadeze për vitin 2015.
Bozo, si president i “Deliart Association” dhe mbajtës i patentës së “Miss Globe”, bashkë me partnerin e këtij edicioni të 42-të, “Miss Canada Globe Productions” aktualisht kanë pritur konfirmimet e shteteve pjesëmarrëse në garën e këtij viti.
Po diskutohen detajet e spektaklit, të ftuarit e nderit, sfilatat e vajzave dhe gjithçka tjetër që do të shfaqet në skenën gjigante të Bramton Rose Theatre, mbrëmjen e 8 tetorit, në Toronto.
“Shqiptarët që jetojnë në këto treva në Kanada janë shumë të emocionuar dhe të lumtur që do të kenë mundësinë të presin dhe duartrokasin vajzat shqiptare. Jam në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin shqiptar këtu, jemi takuar dhe jam i kënaqur nga mikpritja. Ata presin ditën që do të mbështesin këto vajza në këtë garë të madhe bukurie që zhvillohet për herë të parë në Kanada”, tha Bozo.
Të njëjtin interes duket se kanë treguar edhe mediat vendase për eventin e madh që do të mbahet në Toronto. Producenti shqiptar ka qenë në qendër të vëmendjes, i ftuar në studio dhe edicione informative, për të dhënë detaje rreth eventit. Ndërkaq të gjithë kanë mundësinë të votojnë të preferuarën e tyre në:
http://www.missglobevoting.com
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al