Një sasi tritoli është vendosur në derën e efektivit të policisë së Shkodrës, Vilson Zhuri në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Ngjarja ndodhi rreth orës 3:10 të mëngjesit në lagjen “Tepe”. Dy persona ende të paidentifikuar vendosen një sasi tritoli në derën e shtëpisë së policit.
Nga shpërthimi nga vetëm dëme materiale, ndërsa familja Zhuri ndodheshin brenda banesës në gjumë në atë moment janë zgjuar menjëherë pasi kanë dëgjuar zhurmën.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet paraprake. Në banesën e efektivit ka kamera sigurie dhe policia i ka sekuestruar duke bërë kçyrjen e tyre.
Nga pamjet e kamerave dallohen dy persona me motorr dhe skafandë në kokë të cilët vendosin tritolin dhe më pas largohen me shpejtësi në drejtim të paditur duke mos lënë gjurmë.
Vilson Zhuri prej dy vitesh është oficer krimesh në njësinë Pult të Dukagjinit. Ajo që policia dyshon është se kjo ngjarje mund të ketë ardhur si shkak i detyrës. Sipas burimeve policore sulmi me tritol ndaj Vilson Zhurit mund të ketë lidhje me parcelat e drogës në zonën e Dukagjinit.
Efektivi herë pas here ka raportuar lidhur me këto parcela dhe dyshimi kryesor është se kjo ngjarje vjen për shkak të punës si oficer krimesh në zonën e Pultit. Ndërkohë efektivi Zhuri ka deklaruar për kolegët e tij se nuk ka konflikte me persona të tjerë dhe se nuk ka patur konflikte por dyshon se ngjarja lidhet për shkak të detyrës që ushtron.
Policia vijon hetimet për të zbardhur të plotë këtë ngjarje të ndodhur në lagjen “Tepe”. Ndërkohë vendosja e tritolit ndaj oficerëve të policisë në Shkodër është kthyer në një shqetësim. Brenda një viti janë 7 raste të gjitha pa autor pa llogaritur tritolin edhe ndaj gjyqtarit Tonin Sterkaj që po ashtu ende nuk është zbardhur.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al