Tri herë kryetar qeverie i Shqipërisë, deri në vitin 1920
Dokumenti i arkivave që tregon për lidhjet e fuqishme prej diplomati nga Atlantiku, në Rusi e deri në Orient
Në vitin 1914, në historinë e Shqipërisë së re shfaqet një personalitet i rëndësishëm politik, Turhan Pashë Përmeti, kryeministri i dytë i shtetit shqiptar dhe i pari i njohur ndërkombëtarisht si i tillë. Deri në vitin 1920, ai ka qenë tri herë kryeministër i shtetit shqiptar. Turhan pasha kohësisht i përket gjeneratës së Ismail Qemalit, gjeneratë shqiptarësh që bënë karrierë të spikatur në burokracinë e lartë osmane. Por, ndryshe nga Ismail Qemali, të cilit zyrtarët më të lartë osmanë i nënvizonin kapacitetin e lartë prej politikani, Turhan Pashës i nënvizonin kapacitetin prej diplomati, dhe më shumë akoma aftësinë e tij menaxheriale për zgjidhjen e situatave të vështira. Duke i shërbyer diplomacisë së Perandorisë Osmane, ku tokat shqiptare de jure bënë pjesë deri në nëntor 1912, Turhan Pasha arriti në pozitën e një personaliteti të njohur nga brigjet e Atlantikut e deri në Rusi, nga Deti i Veriut dhe deri në thellësi të Orientit Islam, në Jemen e Iran. Karriera e tij e gjatë në diplomacinë osmane e bën Turhan Pashë Përmetin të ketë një jetëshkrim profesional mjaft të gjatë (BOA: DH, SAID. regjistri 47/165; regjistri 80/137). Ismail Qemali në Kujtimet e tij shprehet qartë se ishte kjo njohje ndërkombëtare që ai gëzonte dhe, siç e dëshmon edhe ky dokument, personaliteti i tij i fuqishëm si menaxhues situatash të vështira cilësitë e spikatura, që e vendosën Turhan Pashën në qendër të zgjedhjes së tij si kryeministër të një shteti në ri, por problematik që po lindte në zemër të Europës. Si nëpunës i perandorisë ishte i pranuar për Stambollin, i cili ende kishte shumë ndikim në tokat shqiptare; po ashtu, falë shërbimit diplomatik në San Petërsburg kishte njohje personale me carin e Rusisë, madje kishte fituar edhe miqësinë e tij. Si koleg i ministrit të Jashtëm austro-hungarez, Berthold, kur të dy ishin diplomatë të lartë në San Petërsburg, ishte ky i fundit që e rekomandoi pranë Fuqive të Mëdha që të ishte kryeministër i Principatës Shqiptare të Princ Vidit. Ndërsa Vidi ishte fryt i kompromisit të sallave të konferencave, Turhan Pasha ishte produkt i njohjeve të tij me krerët më të fuqishëm botërorë, veçse jo brenda sallave të diplomacive. Vidi ishte princi i kompromisit të zhurmshëm, kurse Turhan Pasha njeriu i kompromisit të heshtur. Të dy krijonin balancën e duhur mes Lindjes dhe Perëndimit. Ndërsa Vidi ishte me plot kuptimin e fjalës fasada europiane e Shqipërisë së re postosmane, ashtu siç e kërkonin Fuqitë e Mëdha, Turhan Pasha, ndonëse i kaluar në moshë, ishte caktuar që me përvojën e tij të gjatë të ndihmonte sadopak menaxhimin e situatës së vështirë në Shqipëri.
JETËSHKRIMI
Turhan Hysni bej, i biri i Jahja beut, nga familjet e mëdha të qytezës së Përmetit, në vilajetin e Janinës. Ka lindur në qytetin e Tërhallës (sot në Greqi) në vitin 1262 të kalendarit Hixhri [apo] në vitin 1262 sipas kalendarit financiar/ 31.12.1845-19.12.1846. Në medresetë e Janinës mësoi arabisht dhe persisht, kurse në shkollën greke me emrin Zosimea që gjendet në këtë qytet, është diplomuar duke marrë njohuritë themelore të shkencave. Më pas, ka vazhduar Fakultetin e Drejtësisë në Athinë. Nga disa pedagogë privatë ka marrë njohuri mbi të drejtën ndërkombëtare, mbi të Drejtën Romake, mbi historinë e hartimit dhe të nënshkrimit të të gjitha marrëveshjeve duke filluar nga Paqja e Vestfalisë (1648) e deri në vitin 1815 [Kongresi i Vjenës] dhe njohuri mbi ekonominë ndërkombëtare. Shkruan turqisht dhe frëngjisht; di shqip, greqisht, italisht dhe pak spanjisht… Me një pagë prej 2000 groshësh, emërohet sekretar i dytë në Ambasadën Perandorake [Osmane] në San Petërsburg. Më 15.08.1871, me një pagë prej 3300 groshësh, u emërua kryesekretar në ambasadën e lartpërmendur. Nga 22.03.1873 deri më 20.05.1873, me një pagë prej 10.000 groshësh, duke u gjendur në detyrën e të ngarkuarit me punë pranë kësaj ambasade, deri më 25.02.1873, kreu edhe detyrën e sekretarit. Më 23.03.1874, me një pagë prej 3130 groshësh, kaloi si kryesekretar në Ambasadën Perandorake në Berlin. Më 27.12.1876, me një pagë prej 12.000 groshësh, iu shtua edhe detyra e të ngarkuarit me punë pranë kësaj ambasade. Në datën 22.06.1877 iu ndërpre paga e të ngarkuarit me punë [pranë kësaj ambasade]; më 30.08.1877, me një pagë prej 5625 groshësh, u emërua në detyrën e të ngarkuarit me punë në Ambasadën Perandorake në Vjenë. Këtë detyrë e kreu deri në 22.10.1877. Më 8.12.1877, me një pagë prej 20.000 groshësh, kaloi si nëpunës pranë Ambasadës Perandorake në Romë dhe në 9.12.1877 u largua nga kjo detyrë. Më 2.04.1881, me një pagë prej 5.000 groshësh, iu dha posti i guvernatorit të sanxhakut të Tekes [Anadolli Jugor]; më 1.04.1886, me të njëjtën pagë, iu dha posti i guvernatorit të sanxhakut të Urfës [Anadolli Juglindor].
TITUJT
Për merita në detyrat e lartpërmendura, më 11.11.1868 iu akordua grada e tretë [diplomatike]; më 23.08.1871, iu dha grada e dytë, klasi i dytë; më 8.03.1874, grada e dytë, klasi i parë; më 2.05.1877, grada e parë, klasi i dytë; në 11.09.1877, grada e parë, klasi i parë; më 16.09.1893, iu dha grada e lartë [diplomatike]. Më 10.06.1870 iu akordua grada e pestë e Medaljes së Lartë Mexhidije; më 24.08.1871, e katërta; më 6.01.1875, e treta; më 26.11.1877, e dyta; më 1.12.1879, iu akordua grada e parë e kësaj medaljeje të lartë. Sipas kalendarit Gregorian, më 30 prill 1871 shteti rus i dha medaljen Shën Ana, klasi i tretë; Më 1 mars 1874 shteti i lartpërmendur i dha medaljen Shën Stanislas, klasi i dytë. Më 19 nëntor 1877 shteti prusian i dha medaljen Pena e Kuqe, klasi i dytë. Më 6 prill 1881 shteti italian i dha medaljen Morris de Lazar, klasi i parë. Më 7 nëntor 1888, qeveria e Portugalisë i dha medaljen Villa Viskoza, klasi i parë… Me ardhjen në Stamboll me leje, personalitetit të lartpërmendur, ashtu siç ishte praktika, iu dha dieta/shpenzime udhëtimi prej 200 florinjsh osmanë në 3.10.1893, dhe iu akordua urdhri sulltanor për mirënjohje [në shërbim të sulltanit]. Personalitetit të lartpërmendur më 23.12.1893 iu akordua Medalja e Lartë Osmane, klasi i parë.
AMBASADOR NË PARIS
Personaliteti i lartpërmendur, më 10.04.1894, u emërua ambasador me përfaqësim në Paris, ambasadë e cila qysh prej shumë kohësh ishte në varësi të ambasadës perandorake në Madrid. Për shkak të shpenzimeve në rritje gjatë kohës që qëndronte në Paris, paga e personalitetit të lartpërmendur në cilësinë e ambasadorit të perandorisë në Madrid rezultoi e pamjaftueshme; në datë 12.04.1894, u urdhërua që ai të marrë një rrogë përfaqësimi [si ambasador përfaqësues në Paris] prej 15.000 groshësh shtesë mbi pagën që merr në cilësinë e ambasadorit [osman] në Madrid. Kështu, pagës reale të ambasadorit të perandorisë në Madrid iu bë një rritje prej 15.000 groshësh; ndërkohë, ambasadori i lartpërmendur e ka pagën ekskluzivisht prej 10.000 groshësh; kurse, fondi prej 5.000 groshësh nga fondi special prej 10.000 groshësh, si rregull, do t’i jepet personit që do të ushtrojë detyrën e të ngarkuarit me punë pranë kësaj ambasade; pjesa e mbetur prej 15.000 groshësh që iu shtua 15.000 groshëve, iu dhanë vetë ambasadorit [Turhan Pashës] për shpenzime udhëtimesh. Të gjitha këto veprime u kryen me urdhrin perandorak të datës 9. 05.1894, i cili i referohet dokumentit përkatës lëshuar nga Ministria e Jashtme.
VEZIRI I SULLTANIT
Personaliteti i lartpërmendur, ende pa shkuar në Paris për të përmbushur detyrën e ambasadorit përfaqësues në ambasadën perandorake, më 29.07.1894, me një rrogë prej 30.000 groshësh, u emërua në postin e guvernatorit të komanduar të vilajetit të Kretës. Për të shkuar atje iu dhanë si shpenzime udhëtimi posaçërisht 400 florinj osmanë. Për shkak të aftësive dhe të kapacitetit [intelektual] në çështjet administrative dhe politike, personalitetit të lartpërmendur, krahas njoftimit të lartë për emërimin e tij në postin e guvernatorit të komanduar të vilajetit të Kretës, iu dha edhe grada e lartë e vezirit… Shkëlqesisë së tij, personalitetit të lartpërmendur, shteti i Spanjës i ka akorduar medaljen Izabela Katolike, klasi i parë; me pranimin nga ana e tij [Turhan Pashës], siç e kërkon procedura [burokratike osmane], me lejen perandorake lëshuar prej vetë sulltanit, më 17.10.1894, u pa e përshtatshme që ai ta marrë këtë medalje. Shkëlqesia e tij, personaliteti i lartpërmendur, më 3.03.1895, u largua nga kjo detyrë, pasi në postin e guvernatorit të komanduar të Kretës u emërua shkëlqesia e tij, Aleksandër Pasha, ish-guvernatori i ishullit Samos. Shkëlqesia e tij, personaliteti i lartpërmendur, më 11.04.1895 u caktua kryetar i komisionit të nivelit të lartë që u krijua pranë Sarajit Perandorak për të inspektuar dhe verifikuar të ardhurat nga territoret osmane.
Shkëlqesisë së tij, personalitetit të lartpërmendur, më 9.06.1895, me një rrogë prej 30.000 groshësh, iu akordua posti i inistrit të Punëve të Jashtme, por njëkohësisht duke qëndruar në krye të komisionit të lartpërmendur….
Më 10.09.1895, Ministria e Financave i ka lidhur një pagë pritjeje prej 20.000 groshësh personalitetit të lartpërmendur, çka tregohet në një dokument-përgjigje të kësaj Ministrie të datës 1.02.1899. Për kapacitetin dhe fuqinë menaxhuese që e karakterizon, personaliteti i lartpërmendur u emërua guvernator i vilajetit të Kretës, me një pagë prej 30.000 groshësh, me vendim të marrë në një mbledhje të posaçme të Këshillit të Ministrave dhe në përputhje me vullnetin e sulltanit, në cilësinë e kreut të Kalifatit Islam, përmes dokumentit përkatës, lëshuar më 4.03.1896. Pagesa e shpenzimeve të udhëtimit prej 500 lirash për personalitetin e lartpërmendur u urdhërua të kryhej me vullnetin e sulltanit, më 5.03.1896. Për shkak se është bërë domosdoshmëri që posti i guvernatorit dhe i komandantit ushtarak të vilajetit të Kretës të ishte në të njëjtën dorë, personaliteti i lartpërmendur u largua nga detyra [e guvernatorit të Kretës] me vendim të marrë në një mbledhje të posaçme të Këshillit të Ministrave dhe në përputhje me urdhrin e sulltanit, të datës 18.05.1896. Më 25.06.1896, personalitetit të lartpërmendur iu caktua një pagë pritjeje prej 20.000 groshësh. Më 19.01.1897, personaliteti i lartpërmendur u emërua anëtar i Zyrës Administrative, pranë Këshillit të Shtetit. Paga e personalitetit të lartpërmendur, më 13.03.1897, zyrtarisht ra në 18.000 groshë. Për shkak të shërbimeve me kompetencë tepër lart, personalitetit të lartpërmendur më 12.11.1898 iu akordua Medalja e Lavdishme e Krenarisë.
MEDALJET MË TË LARTA
• Personaliteti i lartpërmendur e pranoi medaljen e Luanit dhe Diellit, të akorduar nga shkëlqesia e tij, Shahu i Iranit, dhe siç e kërkon procedura [burokratike osmane], me lejen perandorake lëshuar prej vetë sulltanit më 2.10.1900 u pa e përshtatshme që ai ta marrë këtë medalje.
• Personaliteti i lartpërmendur e pranoi medaljen Daniel Doromani, klasi i parë, të akorduar nga shteti i Rumanisë, dhe siç e kërkon procedura [burokratike], me lejen perandorake lëshuar prej vetë sulltanit më 3.10.1900 u pa e përshtatshme që ai ta marrë këtë medalje.
• Personaliteti i lartpërmendur e pranoi medaljen Aleksandër Fovovski, të akorduar nga shkëlqesia e tij, perandori i madhërishëm i Rusisë, dhe siç e kërkon procedura [burokratike], me lejen perandorake lëshuar prej vetë sulltanit më 13.11.1900, u pa e përshtatshme që ai ta marrë këtë medalje.
• Për shkak se shërbimet perandorake i ka kryer me një klas tepër të lartë, më 14.02.1901, iu akordua Medalja e Lartë Mexhidije.
• Personaliteti i lartpërmendur e pranoi Medaljen e Penës, të akorduar nga shkëlqesia e tij, i madhërishmi perandori i Gjermanisë, dhe siç e kërkon procedura [burokratike], me lejen perandorake lëshuar prej vetë sulltanit më 27.03.1901 u pa e përshtatshme që ai ta marrë këtë medalje.
• Personaliteti i lartpërmendur e pranoi Medaljen e Meritës, klasi i parë, të akorduar nga shkëlqesia e tij, i madhërishmi Duka i Madh i Oldenburgut, Frederik August, dhe siç e kërkon procedura [burokratike], më 6.04.1902, u pa e përshtatshme që ai ta marrë këtë medalje.
DRITAN EGRO
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al