“Turp të keni, UÇK-ja s’është organizatë terroriste”, përplasja e Ekrem Bardhës në DASH! Si ambasadori Christopher Hill dha lajmin e bombardimit të Jugosllavisë

Dec 12, 2022 | 23:42
SHPËRNDAJE

Historia e aktivitetit të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ishte e pamundur të përmblidhej në një libër, për shkak të gjerësisë dhe kontributit të shumë patriotëve.

ekrem bardha

Në librin e tij të dytë, “E vërteta, pavarësia e Kosovës, Amerika dhe diaspora”, i cili do të promovohet shumë shpejt, Ekrem Bardha, aktivist i çështjes shqiptare dhe Konsull Nderi i Shqipërisë në Miçigan, vijnë të gjalla momente shumë interesante të këtij lobimi të diasporës shqiptare veçanërisht gjatë kohës së agresionit serb në Kosovë.

Zoti Bardha sjell një episod të ndodhur në Departamentin Amerikan të Shtetit mes tij dhe zv.ministrit të jashtëm, Robert Gelbard i cili më parë e kishte cilësuar UÇK-në një organizatë terroriste. Përplasja me tone të larta dhe vendosmëria e zotit Bardha por dhe eksponentëve të tjerë të diasporës në këtë takim, ndikuan në ndryshimin e qëndrimit zyrtar të administratës amerikane ndaj luftëtarëve për liri.

Madje, Gebard, pas këtij takimi, u largua nga ajo detyrë për shkak të qëndrimeve të tij. Gjithashtu në libër vjen i gjallë dhe një moment kur zoti Bardha, shkrimtari i njohur Ismail Kadare dhe të tjerë në një darkë mes miqsh, mësuan të parët se NATO do të sulmonte ish-Jugosllavinë nëse Millosheviçi nuk pranonte marrëveshjen në Rambuje, siç edhe ndodhi në ditët në vijim.

EKREM BARDHA

NA JEP LAJMIN E BOMBARDIMIT TË SERBISË

– TAKIMI NË RAMBUJE, PARIS –

Duke e ndjekur nga Detroiti, më dukej vetja shumë larg ngjarjeve që po vendosnin për fatin e shqiptarëve të Kosovës, për të cilin ne kishim dhjetëra vjet që punonim. Vendi nuk më zinte, nuk kisha qetësi. Vendosa të shkoja në Paris, sepse miku im, ambasadori Chris Hill, ishte përfaqësuesi kryesor i diplomacisë amerikane në konferencën e Rambujesë, përcillte në konferencë direkt propozimet e Presidentit Clinton.

Ai e vlerësonte luftën e UÇK, gjithashtu e njihte mirë edhe rolin e Diasporës. Qëllimi im ishte të flisja me ambasadorin Hill dhe të ndikoja me të gjitha mundësitë e mia, që çështja e Kosovës të merrte një rrugë pozitive për shqiptarët. Ishte momenti i shumëpritur prej vitesh përpjekje dhe lobimi, deri në nivelet më të larta të politikës amerikane. Ishte koha ta shihnim dhe ta jetonim më në fund Kosovën të lirë dhe të pavarur. Ishim shumë afër këtij qëllimi.

Shumë shqiptarë të tjerë nga Diaspora e Amerikës e mbështetën Konferencën e Rambujesë dhe u nisën drejt Francës.

Nga ana tjetër, doja të takohesha me shkrimtarin Ismail Kadare, i cili kishte të njëjtën dëshirë dhe mendim si unë. Një personalitet i madh i letrave shqipe dhe botërore, ishte përfshirë me zemër dhe me bindje në çështjen e Kosovës më shumë se çdo intelektual tjetër. Kadare ishte tashmë një institucion. Kur më shprehu dëshirën e tij, i thashë se do takoheshim në Paris. Dhe u nisa.

Sapo arrita ne Paris, menjëherë rashë në kontakt me Chris Hill, të cilin e ftova për darkë në restorantin “Maxim’s”. I tregova se do të na nderonte me praninë e tij edhe shkrimtari i famshëm shqiptar, Ismail Kadare. Si mik imi dhe i shqiptarëve, ambasadori Hill e pranoi ftesën me kënaqësi. Pak më vonë telefonova Kadarenë, i cili kishte qenë mjaft aktiv dhe kishte ndikuar pozitivisht te pala shqiptare, që bisedimet të përfundonin me sukses e të nënshkruhej marrëveshja. Si u takuam, në bisedë e sipër, Ismaili më thotë se kishte dëshirë të takohej me ambasadorin Hill, si njeriu kyç që mund të ndikonte pozitivisht në bisedimet e Rambujesë. Ndjehesha i gëzuar që do të takoheshin dy burra të shquar, prania dhe roli i të cilëve ishte i njohur, por jo vetëm kaq Të gjithë mundoheshim në ato ditë të bënim çfarë ishte e mundur. Ishte një angazhim frontal i faktorit shqiptar, përveç atij ndërkombëtar, në favor të shqiptarëve, që nga këto bisedime të mos dilej me deklarata të paqarta dhe me vendime gjysmake.

I thashë Ismailit se e kisha ftuar për darkë ambasadorin Chris Hill dhe nuk mbeti gjë tjetër veçse të caktonim orën. Takimi u la në orën tetë të mbrëmjes. Në hotelin ku ndodhesha unë, ishte edhe drejtori i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Avni Mustafa, të cilin e ftova për darkë. Ismaili shoqërohej nga bashkëshortja, Helena. Zumë vend në restorant. Duke pritur ambasadorin, bisedonim gjithnjë rreth çështjes së Kosovës dhe të ardhmes së saj.

Kadare tha se marrëveshjet e mëdha janë shkruar gjithmonë në Paris, si Konferenca e Versajës, e janarit 1919, pas Luftës së Parë Botërore dhe Konferenca e Paqes, tetor 1946, pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe fati i Kosovës do të nënshkruhet aty ku janë nënshkruar fatet e të gjitha kombeve në Evropë dhe më gjerë.

Nuk mund ta fsheh se vonesa e ambasadorit Hill po na shqetësonte. Shqetësimi lidhej sidomos me zhvillimet orë pas ore që ndodhnin në Rambuje.

– Vonesa, zoti Bardha, nuk është shenjë e mirë, – më tha Ismaili.

Por unë e qetësova duke i thënë se po të mos vinte, ambasadori do të më kishte lajmëruar me telefon.

Në orën tetë e dyzet minuta, Chris Hill u shfaq në hyrje të restorantit së bashku me bashkëshorten.

Na kërkoi të falur për vonesën, pastaj na tregoi se po atë natë kishte qenë i ftuar për një koktej nga delegacioni zyrtar kosovar.

“E di që do t’u mbesë hatri që u largova, por tryeza e miqve që më presin është shumë më e rëndësishme për mua”, iu kishte thënë Hill organizatorëve të koktejit dhe ishte larguar për të ardhur në takimin me ne.

U përshëndetëm si miq të vjetër, ndërsa ngjarjet në Kosovë ishin në qendër të bisedës. Ne pyetëm cili ishte qëndrimi i palës amerikane për të gjetur zgjidhje ndaj situatës në Kosovës? Deri ku do të shkonte këmbëngulja amerikane për të zmbrapsur serbët nga Kosova?

Si Kadareja, ashtu edhe unë i kërkuam ambasadorit ndërhyrjen sa më parë të qeverisë amerikane në Kosovë, pasi situata ishte tepër e rëndë dhe konflikti mund të përhapej në Ballkan. Shqetësimi ynë ishte se siç po dukej, mbledhja në Rambuje nuk do të përfundonte me një marrëveshje midis palëve, pasi Jugosllavia nuk do t’i pranonte kushtet e vendosura nga shtetet perëndimore.

Brenda kornizave që i lejonte misioni diplomatik, ambasadori Hill na tha se serbët po synonin vetëm të zvarrisnin negociatat pa qëndrime të qarta, ndërsa SHBA ishte e vendosur të mos e pranonte më këtë shtyrje të bisedimeve pa një rezultat.

Ambasadori Hill na siguroi.

– Nëse Jugosllavia nuk e nënshkruan marrëveshjen, NATO do të fillojë menjëherë bombardimet.

Sytë tanë shkëlqyen të ngazëllyer kur dëgjuam këtë deklaratë. Ishte një burim i sigurt që duhej besuar. Ne, personat që u ndodhëm në atë tavolinë, ishim të parët që e mësuam këtë sihariq për çdo shqiptar. Kadareja më tha:

– More Ekrem, a mund ta besosh një gjë të tillë? Për mua është e jashtëzakonshme, e pabesueshme!

I thashë se ambasadorin Chris Hill e njoh prej shumë kohësh, veçoria e politikës amerikane është se atë që e thotë e çon deri në fund.

Ishte një ndër darkat më të rëndësishme dhe më të shumëpritura të jetës sime, pasi po shihja se tashmë Kosova përfundimisht do të ishte nën kujdesin dhe vëmendjen e Perëndimit. Ajo nuk do të braktisej më. Ishte një bisedë e gjatë, e cila dalëngadalë u largua nga ai kujdesi që zakonisht tregojnë diplomatët, u bë e hapur dhe zgjati më shumë nga sa ishte menduar. Ambasadori Hill, kur po ndaheshim, më falënderoi disa herë për ftesën dhe organizimin e këtij takimi, po ashtu edhe Kadare që asaj nate ishte si rrallë herë e kam parë. Zaret ishin hedhur, Rubikoni* që dukej i pakalueshëm ishin kapërcyer, shpresa po bëhej realitet.

Tashmë pritej vendimi dhe vërtet ashtu ndodhi. Marrëveshja u nënshkrua vetëm nga delegacioni shqiptar.

Vetëm nëntë ditë më vonë nga ajo darkë, më 24 mars 1999, bombat e para të NATO ranë mbi Beograd. Shqiptarët kudo ndodheshin e pritën lajmin me gëzim të madh. Aleanca më e madhe politike dhe ushtarake në botë, NATO dhe aleati më i madh i shqiptarëve, Amerika ishin në krah të tyre për t’i dhënë fund pushtimit serb dhe gjenocidit të tmerrshëm të tyre.

Personalisht mora frymë thellë, ndjeva një lehtësim të madh në shpirt. Pas shumë vitesh përpjekje në favor të çështjes kosovare me miqtë tanë amerikanë në Kongres dhe në Departamentin e Shtetit kishim arritur atë që nuk mund të ëndërrohej. Të kthenim politikën amerikane në mbështetje të shqiptarëve, përballë një federate që gëzonte statusin “vend i favorizuar”, siç ishte Jugosllavia.

E vërteta është se bisedimet e gjata dhe të zvarritura në Rambuje, taktikat e njohura të Millosheviçit për të fituar kohë, na kishin lëkundur besimin dhe shpresën se zgjidhja përfundimtare për shqiptarët do të ishte e shpejtë.

Por nisja e bombardimeve shënoi një histori të re për Kosovën, shënoi pavarësinë e saj si një shtet më vete, ku shqiptarët do të ishin zotët e vendit dhe fatit të tyre. Pas shtatëdhjetë e katër ditë bombardimesh, tanket serbe u tërhoqën nga Kosova. UÇK dhe forcat ushtarake të NATO, u pritën si fitimtarë nga popullsia shqiptare, me brohoritje dhe me falënderime në çdo rrugë e qytet të Kosovës.

Ekrem Bardha-Dossieri

DY JAVËT E FERRIT – ISMAIL KADARE –

Ja çfarë shkruan shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare për natën kur morëm vesh vendimin e SHBA për të bombarduar Millosheviçin, në rast se nuk ndalonte gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës.

15 mars 1999 *

Christofer Hill e kam njohur qysh në Tiranë, por kureshtja për ta takuar është dyfishuar. Është pa dyshim njeriu nëpërmjet të cilit kalon gjithçka që ka lidhje me fatin e Kosovës. Kisha dijeni për netët e tij pa gjumë në Rambouillet, për lodhjen, nervozizmin, dëshpërimin përballë kokëfortësisë ballkanase. Ka gjasë që gjithçka të përsëritet këtë javë në Paris. Ndaj u befasova kur pasdite ai e konfirmoi darkën. Kisha kujtuar se me të mbërritur, i gjendur midis shtjellës do ta shtynte, ose do ta anulonte fare. Në “Maxim’s” duhet të jenë të rralla darkat, në sfond të të cilave ka një ngjarje kaq dramatike.

Hill është me të shoqen. Unë gjithashtu. Përveç Ekrem Bardhës, ndodhet edhe kryetari i Komitetit Amerikano-Shqiptar, Avni Mustafaj. Biseda bën ç’bën kthehet tek ajo që do të ndodhë. “Në qoftë se nuk bie në gjunjë, Jugosllavia do të bombardohet, kjo s’ka asnjë dyshim. Veç në qoftë se shqiptarët bëjnë ndonjë marrëzi. Bombardimi do të nisë menjëherë”.

Në të vërtetë, ndonëse jam i bindur se është e vetmja zgjidhje, kam një zbrazëti në shpirt. Tri herë e pyeta se ç’do të bëhet në kohën e bombardimeve për të shmangur hakmarrjen serbe dhe të tri herët ai m’u përgjigj pak a shumë me të njëjtën frazë:

“Dy javë do të jenë tepër të vështira për shqiptarët…” Me fjalë të tjera, ato do të jenë dy javët e ferrit…

Përplasja e Ekrem Bardhës me zv.ministrin e jashtëm Gelbard në DASH

Aktiviteti ushtarak i UÇKsë rritej çdo ditë. Qendra e saj ishte lugina e Drenicës, zonë që kontrollohej nga komandanti i saj, Adem Jashari. Disa ditë pasi Robert Gelbard e quajti UÇK grup terrorist, Policia serbe e sulmoi atë në zonën e Likoshanit dhe ndoqi disa prej luftëtarëve deri në Cirez, duke vrarë gjashtëmbëdhjetë luftëtarë shqiptarë dhe duke lënë vetë katër policë serbë të vrarë. Pavarësisht akuzave për vrasje selektive dhe vrasje të civilëve, politika evropiane nuk reagoi me ashpërsinë që duhej ndaj këtyre krimeve.

Policia serbe ndoqi komandantin e parë të UÇK, Adem Jasharin, dhe bashkëluftëtarët e tij deri në fshatin Prekaz i Poshtëm. Pas një lufte të ashpër treditore, ku ushtria jugosllave përdori mjete të blinduara dhe artileri mbi shtëpinë e Adem Jasharit, mbetën të vrarë pesëdhjetë e gjashtë anëtarë të familjes Jashari, nga të cilët pesëmbëdhjetë gra e dhjetë fëmijë. Masakra e 5 marsit 1998, shkaktoi irritim të thellë në kryeqytetet perëndimore. Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright tha: “Tashmë kjo krizë nuk është një çështje e brendshme e Republikës Federative të Jugosllavisë. Gjendja e rënduar në Kosovë dhe shqetësimi që ishte krijuar nga disa deklarata negative për luftëtarët e UÇK-së na vuri në lëvizje”.*

Në këtë situatë, Këshilli Shqiptaro-Amerikan, me drejtor Ilir Zherkën, organizoi një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit, me zëvendësministrin e Jashtëm, ambasador Robert Gelbard.

Në takim morën pjesë drejtori i NAAC, Ilir Zherka, Gary Kokalari, Dino Erbeli, Lou Fundos dhe unë. Arsyeja e takimit ishte situata.

Unë mbeta i habitur dhe i shqetësuar për deklaratën e ambasadorit Gelbard se “ushtarët e UÇK janë terroristë”. Gelbard na priti në zyrën e tij dhe nisi të na fliste për çfarë po bënte administrata amerikane për çështjen e Kosovës.

Situata në zyrën e mikpritësit tonë ishte e tensionuar ende pa filluar mirë takimi. Ne ishim njohur me deklaratën e tij dhe natyrisht nuk ishim të një mendjeje. Biseda filloi e ftohtë, ai e kuptoi se kësaj here asgjë nuk do të ishte miqësore, siç kishte ndodhur në takimet e tjera. Papritur, Gelbard nxori nga sirtari i tavolinës së tij emblemën e UÇK. Ishte hera e parë që unë e shihja atë emblemë.

– E dini ju se çfarë janë këta të UÇK?! Këta janë terroristë!, – tha Gelbard, prerë dhe me ton të lartë.

Më zuri gjaku i shqiptarit, nuk u përmbajta dot, godita me grusht tavolinën dhe iu ktheva me gjuhë, aspak diplomatike.

– Shame on you!** – i thashë. – UÇK nuk është terroriste! Ata djem dhe vajza luftojnë kundër një gjenocidi të pashembullt në qendër të Evropës dhe për të drejtat e tyre njerëzore.

Ekrem Bardha-Dossieri12

Ambasadori nuk e priti një reagim të tillë. U befasua. U pa qartë tronditja e tij nga reagimi im. Pas meje foli edhe Gary Kokalari, ashpër edhe ai ndaj kësaj deklarate të Gelbard. Edhe të tjerët reaguan të papërmbajtur. Në zyrën e Departamentit të Shtetit u krijua një gjendje e nderë, aspak miqësore. Për një moment mendova se do të na arrestonin në zyrat e shtetit për ashpërsinë e reagimit tonë.

Diplomati amerikan e kuptoi që nuk kishte gjetur njerëz të gatshëm të miratonin çdo lloj qëndrimi të kundërt me aspiratat tona, kuptoi edhe se kësaj here mbështetja për ata që kishin vendosur të luftonin po i ndodhte në zyrën e tij. Biseda më pas nisi të futej në rrugë pak a shumë normale, por tensioni ndjehej. Të dyja palët përpiqeshim kot ta fshihnim. Ikëm nga zyra e tij, por jo pa pasoja.

Reagimi ynë kishte bërë efektin e vet.

Pas këtij takimi, Gelbard u largua nga detyra që mbante, ndërsa Departamenti i Shtetit filloi të pranojë UÇK. Deklaroi se ka vendosur kontakte zyrtare me të.

Kjo ka qenë këmbëngulja e Këshillit Shqiptaro-Amerikan.

Jam i sigurt se nëse nuk do të kishte qenë reagimi ynë i ashpër, jo vetëm në atë takim, por në vijim, nëse në zyrën e zotit Gelbard nuk do ishte dënuar brutalisht qëndrimi përçmues dhe denigrues ndaj luftës heroike të UÇK, për një kauzë të drejtë, çështja e Kosovës mund të ishte “groposur”. Interesi i Amerikës ndaj saj nuk do të kishte qenë aq i fortë dhe vendimtar, kauza jonë do të ishte bërë viktimë e qëndrimeve të zyrtarëve si Gelbard.

Nuk vonoi shumë dhe ambasadori Holbrooke, përmes Chris-topher Hill, organizoi takime të fshehta me përfaqësues të UÇK në perëndim dhe me dy drejtues të saj në zonën e Drenicës. Ky takim vlejti për të informuar SHBA, përmes përfaqësuesve të tyre, se UÇK nuk kishte asnjë lidhje as me terrorizmin, as me mbështetjen nga organizatat islamike.

Në librin “Ditari i një ministri të Jashtëm – Konflikti i Kosovës”, të ish-ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Paskal Milo, përshkruhet qartë angazhimi i SHBA në terren.

“Ambasadori Richard Holbrooke, së bashku me Gelbard dhe ambasadorin Cristopher Hill, shkuan në zonën e nxehtë të Kosovës, në Drenicë, takuan dy drejtues lokalë të UÇK, njëri jurist, tjetri gazetar. Një ditë më vonë, Departamenti i Shtetit deklaroi përmes zëdhënësit James Rubin, se amerikanët as nuk e kishin konsideruar, as e konsideronin UÇK si terroriste. Kjo deklaratë u pasua menjë-herë nga një takim tjetër i fshehtë midis Gelbard dhe drejtuesve të UÇK në emigracion, në Zvicër. U manifestua hapur plani amerikan për ta përfshirë UÇK në procesin e bisedimeve dhe për ta kontrolluar atë”, shkruan ish-ministri Milo, në faqen 74 të librit të tij.

Koha vërtetoi se nëse UÇK nuk do të kishte nisur veprimet luftarake, as NATO nuk do të ndërhynte në Kosovë. Por ndërhyrja e NATO-s dhe qëndrimi i politikës amerikane pro shqiptarëve për një Kosovë të pavarur, ishte vendimtare.

Qëndrimin tim, më pas, kur nisi konflikti i armatosur në Maqedoninë e Veriut, në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, si formacion djemsh dhe burrash që luftonin për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe të familjeve të tyre ndaj reprezaljeve të pushtetit maqedonas, ia kam përsëritur edhe ambasadorit amerikan Jim Dobbins, më 21 mars 2001, në një takim që patëm ne, anëtarët e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në Departamentin e Shtetit. Theksova se ishte gabim që pala amerikane të cilësonte ushtarët e lirisë në Maqedoni si terroristë. Nuk kaloi shumë kohë dhe qeveria amerikane e përkrahu luftën e shqiptarëve në Maqedoni, njësoj si në rastin me UÇK në Kosovë.

Qeveria amerikane gjithmonë iu ka qëndruar pranë shqiptarëve. Në situata kritike ka ndërhyrë në favor të tyre. Shqiptarët që e jetuan atë ngjarje dhe brezat që do të vijnë, do t’u jenë përherë mirënjohës Amerikës, politikanëve, diplomatëve, por dhe popullit të saj.

Burrave të shtetit të Amerikës dhe të Evropës nuk ua kishte marrë mendja se do të shihnin një eksod me përmasa aq të mëdha si eksodi i popullsisë së Kosovës në dimrin e vitit 1998 dhe në pranverën e vitit 1999. Skenat ishin rrëqethëse, si në pikat e kalimit të kufirit në Bllacë, midis Kosovës dhe Maqedonisë, ashtu dhe në Morinë të Kukësit.

Më shumë se gjysmë milionë refugjatë qëndruan në Shqipëri. Dihej se Shqipëria nuk mund të përballonte një numër aq të madh refugjatësh, sepse nuk kishte as mjete, as mundësi praktike, prandaj organizatat ndërkombëtare të refugjatëve ishin të shqetësuara seriozisht.

Por në Shqipëri ndodhi ajo që pritej pak. Shqiptarët hapën dyert e shtëpive duke ndarë me vëllezërit refugjatë kafshatën e tyre.

Të tjerë, me mijëra u vendosën në çadra dhe kampe.

Ekrem Bardha-Dossieri1

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura