Pse Berisha e kujton paktin detar?

Oct 16, 2016 | 13:27
SHPËRNDAJE

 

03_06_2016_6145097_myslim_pasha1NGA MYSLIM PASHAJ

Hesht për atë që nuk mund ta thuash!”, thotë aforizma. E nisëm kësilloj , sepse Sali Berisha e ka një dhimbje brenda vetes së tij, që e trysnon në vetëdije. Në morinë e përfshirjes dhe të angazhimeve jashtë mase, ky njeri i helmit, me atë energji të cilën e ka si askush tjetër, i përvidhet kohës dhe kthehet sërish në pakohën e tij, sepse ashtu e çojnë faktet, veprat që ai ka bërë, të cilat i diktojnë atë çka është jashtë arsyes.

Pakti Detar famëkeq është vepër e tij. Pas kaq kohe, në shtatë vjet, do të kishte pasur një hapësirë, e një sheshpushim ku vetëdija e tij të çelte diçka kalimtare ose të nënkuptueshme, për atë që ka ndodhur. Por, në këtë tmerr të botës së ligësisë së tij në atë mbrujtje të pazakontë, ai përleshet në shtrat të merimangës me vetveten. Duhet ta ketë një brerje ndërgjegjeje, veçse për vetveten e tij të dashur, për qëllimet e veta politike, duke mos marrë parasysh, se cilave kështjella dhe cilave mure ai u ka hapur shteg që të futen qëllimet antikombëtare.

Pakti Detar i vitit 2009 është vepër antikombëtare e tij, dhe e askujt tjetër, që s’mund të krahasohet as me Vermoshin apo Shën Naumin e Zogut. Ai përfytyron dhe sjell një logjikë mashtruese për të mbuluar veprën e krimit. Thërret në skenë fantazmat rajonale në spektër të gjeopolitikës dhe gjeostrategjisë, për të ndezur një zjarr konflikti që askush nuk do ta dojë: ”Turqia ka nxitur rrëzimin e Marrëveshjes Detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, sepse u pagua ryshfet tek anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.”

E gjithë kjo rrjedh nga buzët dhe gjuha e tij e ligësisë së paskaj, kalon në urrejtje e konfliktin të cilin ai e mban ndezur në Kuvendin e Pakuvend të Shqipërisë, ai luan tragjikisht me shkapërderdhjen politike të sotme, të cilën e ka ngjizur dhe ndërtuar sipas shëmbëlltyrës së tij, me varfërinë dhe mjerimin, me Korrupsionin dhe Kanabismin, me krimin e organizuar, si pjesë e tragjizmit shqiptar, mandej me gjuhën e qytetarit dixhital, penetron përmidis veprave të tij, duke i thirrur në një kohë kaq të vështirë për Shqipërinë.

”Cila është arsyeja? Cila është pse-ja? Ai mendon se është një notar i përhershëm dhe që s’mbytet kurrë, noton në atë det, po me të njëjtën energji, por Perëndia e Detit, “Poseidoni”, e ka sjell në breg shpresën e Drejtësisë, e cila mund të jetë zhytur po nuk është mbytur. Ajo duket tanimë në breg. I pari njeri që duhet të dalë për t’u gjykuar për veprën e tij, midis të cilave edhe Pakti Detar, ky është Sali Berisha. Me rindezjen dhe rihapjen, ai s’bën gjë tjetër, veçse na sjell aq të qartë mobilizimin e tij tërësor, për ta çuar në fund atë vepër.

Ai nuk la profesionistët dhe teknikët që të merreshin me mbrojtjen, por ai, si kurdoherë, u muar vet, deri në detaje, duke hedhur poshtë që nga legjendat deri te matja e hapësirave me kompasin e tij komedian, e po kësisoj vijon edhe sot, pas shtatë vjetësh. Ai është zhytur edhe më shumë në humbellën e së keqes antikombëtare, vihet në krahë të Politikës greke, e cila ishte dhe është, sikundër atëherë, duke dëshmuar para tyre edhe një herë, që të merret vesh se kush kanë qenë synimet e tij. A thua se vërtet, afër detit të tij në Dhërmi është një fije kashte dhe ai do të mbahet?

Jo! Ai e shtrin shumë më gjerë synimin e tij të mbrapshtë, të fusë aq pa vend edhe Turqinë në këtë qerthull të krijuar më shumë prej tij, mbasi shteti grek është më i kursyer në deklarata, sepse gjithçka nuk është projektuar e zbatuar nga ata, por nga një njeri i vetëm, dhe ky është Sali Berisha. Zonja Bakojanis, atëbotë, pat thënë me përqasje klasike dhe moderne të Marrëveshjes Detare se ajo ishte “state of art” ( gjendje e një niveli të lartë, të zhvillimit e të krijimit, si një mjet teknik, ose hulumtues e arritjes së lartë…) Kjo e thënë nga goja e zonjës Bakojanis.

Pse të mos merrej e tillë, kur firma u hodh hapur mes fishekzjarrësh… me dëshirën e Berishës për të realizuar qëllimet e tij. Vetëm pesë orë më vonë, deti shqiptar u tallazua, pas një viti Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e shqyrtoi ata vepër, dhe e hodhi poshtë, tërësore, pa marrë parasysh trysninë politike të mbrapshtë. Ryshfeti që paska thënë Bakojanis dhe që përmendet sot nga Berisha është një lojë e rrezikshme në rajon, e kjo edhe më shumë e kullandris Berishën të gjykohet para një opinioni që pret drejtësinë. Litari po mblidhet te strumbullari. Kali i Sali Berishës që shiu si deshi në lëmin e shqiptarëve, e ka vendin te strumbullari i gjykimit.

* Profesor në Universitetin Politeknik të Tiranës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura