Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Zheni Gjergji, ka reaguar pas largimit nga detyra të drejtoreshës së QSUT, Albana Fico.
Zheni Gjergji shprehet se Albana Fico u shkarkua nga qeveria pas zjarrit të rënë në urgjencën e QSUT më 11 shkurt, duke e konsideruar si një “masë gjysmake për shfaqje”.
“Pas disa javësh heshtje dhe errësirë, qeveria vendosi të largojë Drejtuesen e QSUT”, thekson ajo, duke shtuar se nuk mbulohet skandali i Urgjencës me masa gjysmake.
Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë u shpreh se nga flakët që ranë në Urgjencën e QSUT u bë shkrumb një investim 17 mln euro i taksapaguesve shqiptarë.
“Nuk mbulohet skandali i Urgjencës me masa gjysmake. Prej ditës së parë kur Urgjenca e QSUT u përshi nga flakët ku u bë shkrumb një investim prej 17 milionë eurosh i taksapaguesve shqiptarë, kemi ngritur zërin e kemi kërkuar hetim, transparencë e përgjegjësi para ligjit.
Pas disa javësh heshtje dhe errësirë, qeveria vendosi të largojë Drejtuesen e QSUT. Këto janë masa gjysmake për shfaqje.
Qeveria duhet të tregojë çfarë ndodhi, pse ndodhi, si nuk u menaxhua si duhet ajo situatë?
Qeveria është përgjegjëse për paratë e çuara dëm, e sidomos për koston që kjo ka sjellë tek shëndeti i qytetarëve duke qënë se Urgjenca nuk funksionon prej muajsh tanimë.
Ky rast flagrant papërgjegjshmerie tregon raportin e vërtetë që rilindja ka me shëndetësinë, ku aferat e skandalet synon t’i zbehë me shoë e propagandë.
Opozita do ta kërkojë deri në fund të vërtetën për Urgjencën e çdo abuzim që është bërë në këtë sektor jetik”, shprehet Zheni Gjergji.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al