U bë viral për videot e kërcimit, “Profja i Tik-Tok-ut” përballet me kritika nga deputetja e Kosovës: Veprime të pahijshme! Pedagogu shpërthen në lot

Jan 31, 2022 | 13:08
SHPËRNDAJE

Videot e kërcimit të publikuara në rrjetin social “Tik-Tok” kanë bërë që profesori nga Vushtria e Kosovës, Lulzim Peci të përballet me kritika në rrjete sociale.

Shumë të tjerë e kanë mbështetur, por sërish Lulzim Peci është ndjerë i bullizuar. Në një intervistë për KTV, ai ka shpërthyer në lot teksa shprehet se i ka thënë vëllait të tij se nëse ndihet i turpëruar, të mos tregojë se e ka vëlla.

“I thashë vëllait tim, nëse të pyesin se çka e ke Lulzim Pacin, thuaj kushëri. Mos i thuaj vëlla”, deklaroi Paci derisa ia nisi të qajë.

Për videot e tij, ka reaguar dhe deputetja e Kosovës, Fjolla Ujkani e cila i ka konsideruar të pahijshme dhe degjeneruese veprimet e profesorit.

“Të dashur qytetarë të Vushtrrisë, në veçanti juve nxënës të Gjimnazit ‘Eqrem Çabej’- Vushtrri, dhe juve prindër. Ditëve të fundit njëri nga profesorët e Gjimnazit ‘Eqrem Çabej’ është duke publikuar video të tij, të cilat janë veprime të pahijshme dhe degjeneruese. Andaj, i bëj thirrje drejtorit të Gjimnazit dhe drejtorisë së Arsimit në Vushtrri, që të marrin masa ndaj profesorit në fjalë. Sepse veprimet tij përmes videove lënë të kuptojnë, që një profesor i tillë nuk mund të arsimoj dhe edukoj kategorinë më të çmueshme të shoqërisë, rininë tonë”, thuhej në reagimin e Ujkanit të publikuar më 27 janar.

Por Lulzim Peci ka gjetur edhe mbështetjen e shumë personave publik. Aktori kosovar Fatmir Spahiu ka reaguar me një postim në rrjete sociale duke thënë se “vallëzimi i tij mund të nxisë edhe shumë të tjerë të shfaqin pasionet e tyre”.

“Profesorit të Biologjisë, unë personalisht i dëshiroj vetëm vallëzim të këndshëm dhe të mos e ndal pasionin e tij. Boll mirë po kcejke. Ky është një problem i shoqërisë tonë, problem shumë i madh bullizimi i të gjithë atyre që kanë dëshirë të shfaqin diçka që e kanë pas pasion e dëshirë. Mos të harrojmë, ky profesor nuk është nga ata që i kemi pa tu ra shuplakë naj nxënësi, as ngacmim seksual e tragjedi tjera. Njerit i vallëzohet e le të vallëzoj në sallonin e ti. Vallëzimi i ti mund të nxitë edhe shumë të tjerë të shfaqin pasionet e tyre. Bile edhe nxënësit e ti. Sidomos kur dihet që vallëzimi është shumë i mirë për të krijuar një stabilitet mendor e shëndetësor dhe mbi të gjitha është antistres. Unë nuk kam TikTok për me përcjell, por hatri i ti do ta hapi një në mënyrë që ta përcjelli me qef. Të lumtë, suksese prof.”, ka shkruar Spahiu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura