Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi, i përjashtuar mesditën e së hënës nga grupi parlamentar socialist, është bërë pjesë e legjislativit shqiptar që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005-së.
Aktualisht, ai ndodhet në legjislaturën e tretë si deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Në të tre mandatet e tij, Tom Doshi është bërë pjesë e Kuvendit nën siglën e PS-së.
Pas zgjedhjes si deputet në vitin 2005-së, Doshi kaloi me grupin e deputetëve të pavarur në vitin 2007-të, duke iu bashkuar PDK-së. Më pas, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009-të, ai u zgjodh sërish pjesë e Kuvendit të Shqipërisë për Qarkun e Shkodrës nën siglën e PS-së. Por edhe pse PS-ja doli e humbur nga zgjedhjet parlamentare të 2009-ës, Tom Doshi do të zgjidhej sërish deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013-të.
Nga periudha shtator 2005 – mars 2007, ai ka qenë anëtar i Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ndërsa pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ai është zgjedhur anëtar pranë Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Ndërkaq, para se të zgjidhje deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, nga të dhënat vetjake që janë publikuar në Kuvendin e Shqipërisë, thuhet se Doshi që nga viti 1993 e deri në vitin 2005, ka qenë administrator i Përgjithshëm i firmës së Ndërtimit “Aldosch” sh.p.k, ndërsa në vitet 2000-2005, drejtor i Përgjithshëm i Industrisë Farmaceutike “Profarma” sh.a. dhe Industrisë së Qumështit “Ajka”.
Sipas deklaratave të zbardhura nga ILDKP-ja, deputeti Tom Doshi ka kryesuar listën e deputetëve si ligjvënësi më i pasur në Kuvendin e Shqipërisë, me pasuri të deklaruar.
Të dhëna vetjake të deputetit Tom Doshi sipas Kuvendit të Shqipërisë:
Datëlindja: 6.6.1966
Vendlindja: Shkodër
Edukimi:
2005: Universiteti Shtetëror i Tetovës, dega Juridik.
Veprimtaria profesionale:
1993-2005: Administrator i Përgjithshëm i firmës së Ndërtimit “Aldosch” sh.p.k.
2000-2005: Drejtor i Përgjithshëm i Industrisë Farmaceutike “Profarma” sh.a. dhe Industrisë së Qumështit “Ajka”.
Veprimtaria politike:
Shtator 2005 – mars 2007: Anëtar i Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.
Zgjedhur në:
Legjislatura: VI, VII, VIII
Qarku: Shkodër
Grupi dhe Komisionet parlamentare:
Grupi parlamentar: PS (përjashtuar nga grupi parlamentar më 02.03.2015)
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, anëtar.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al