Qeveria amerikane e ka paralajmëruar privatisht Iranin për “kërcënimin terrorist” brenda kufijve të tij, para sulmit vdekjeprurës të këtij muaji, përgjegjësinë për të cilin e ka marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), ka thënë një zyrtar amerikan të enjten.
Si pasojë e sulmit janë vrarë rreth 100 persona dhe janë plagosur dhjetëra tjerë.
Ndonëse ky zyrtar ka thënë se paralajmërimi për sulmin e 3 janarit – kur kanë ndodhur dy sulme vetëvrasëse në qytetin jugperëndimor Kerman – ka qenë rutinë, analistët besojnë se diçka e tillë mund të japë shenja për përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të ndërtuar besim te Irani.
“Qeveria amerikane e ka përcjell politikën e ‘detyrimit për paralajmërim’, e cila është zbatuar prej administratave të kaluara për t’i njoftuar qeveritë për kërcënimet potenciale vdekjeprurëse. Ne i bëjmë këto paralajmërime, sepse nuk dëshirojmë të shohim jetë të humbura të njerëzve të pafajshëm në sulme terroriste”, ka thënë një zyrtar amerikan në kushte anonomiteti.
E përditshmja amerikane Wall Street Journal ka raportuar e para, të enjten, për këto paralajmërime.
Jon Alterman, drejtor në programin për Lindje të Mesme të Institutit CSIS në Uashington, ka thënë se paralajmërimi mund të reflektojë dëshirën e SHBA-së për të pasur dialog me Iranin, pavarësisht sulmeve të fundit nga bashkëpunëtorë të Iranit ndaj interesave amerikane, izraelite dhe të vendeve perëndimore, si dhe avancimit të programit bërthamor nga ana e Teheranit.
“Kjo është një degë ulliri”, ka thënë Altman, duke shtuar se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, beson se nga dialogu mes Uashingtonit dhe Teheranit mund të përfitojnë të dyja palët.
Përpjekjet e Bidenit, demokrat, për të ringjallur marrëveshjen bërthamore, të arritur mes fuqive botërore dhe Iranit më 2015 – nga e cila SHBA-në e ka nxjerr ish-presidenti amerikan, Donald Trump më 2018 – kanë dështuar, mirëpo Atlman ka sugjeruar se ndihmësit e Bidenit ende dëshirojnë të gjejnë rrugë për të biseduar me Teheranin.
Sipas marrëveshjes bërthamore, Teherani duhet të heqë dorë prej programit bërthamor, në këmbim të heqjes së sanksioneve të ashpra ndaj saj.
Pas largimit të SHBA-së nga pakti bërthamor, edhe Teherani ka nisur t’iu shmanget pikave të marrëveshjes, dhe ka punuar drejt avancimit të mëtejmë të sistemit bërthamor, të cilin pretendon se e zhvillon vetëm për qëllime të mbrojtjes./REL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al