Në 20 vite punë si peshkatar, Kastriot Maliçi nga Shëngjini nuk mban mend ndonjë periudhë tjetër që ta ketë lënë kaq gjatë varkën e tij të vogël në port. Peshkatari ka dalë vetëm dy herë në det që prej vendosjes së shtetrrethimit, por mundi i shkoi dëm, pasi edhe klientët e tij e kanë mbyllur gjithashtu punën.
“Unë punoja me restorantet e zonës, por duke qenë se ato janë mbyllur tani, nuk ka fare treg. Kjo është herë e parë në karrierën time si peshkatar që qëndroj kaq gjatë pa punuar. Vështirësitë kanë qenë të shumta gjatë viteve të fundit, po kjo situata e virusit po na falimenton fare,” tha Maliçi për BIRN.
Peshkimi është burimi i vetëm i të ardhurave për familjen e Maliçit dhe dhjetra peshkatarë të tjerë në zonën e Shëngjinit, të cilët dalin çdo ditë në det për të furnizuar me produkte deti lokalet e zonës.
Ndonëse peshkimi nuk hyn tek aktivitetet e ndaluara gjatë krizës së koronavirusit, peshkatarët i kanë lënë megjithatë varkat në port prej një muaji. Të goditur indirekt nga kriza për shkak të mbylljes së lokaleve dhe dyqaneve të peshkut, peshkatarët e Shëngjinit janë të shqetësuar për mbijetesën e familjeve të tyre.
“Tani që kemi ngelur pa punë, na është vështirësuar jetesa dhe nuk e di çfarë do të bëhet me neve. Insh’allah s’po vazhdon gjatë kjo situatë, sepse do ngelim pa bukë. Shteti duhet të mendojë dhe të na vijë në ndihmë që t’i kalojmë këto ditë të vështira,” shtoi Maliçi për BIRN.
Ndërsa Kastriot Maliçi shqetësohet për familjen e tij, Lush Malota –një tjetër peshkatar nga e njëjta zonë, duhet të mendojë edhe për pagesat e 10 punëtorëve të tij. Një tjetër detyrim që i rri varur mbi kokë është kredia e marrë në bankë për blerjen e një peshkarexhe të re, të cilën thotë se ende nuk e ka shlyer.
Malota i tha BIRN se peshkatarët po operojnë prej vitesh në kushte të vështira për shkak të rritjes së çmimit të naftës dhe mungesës së subvencioneve, por situata e koronavirusit po i shtyn përfundimisht drejt falimentit.
“Unë kam 10 punëtorë që dalin në det për peshkim, po u bë muaji që e kemi ndërprerë punën. S’kemi ku ta çojmë produktin, sepse ne jemi të lidhur me restorantet në disa zona të vendit, por ato janë të mbyllura,” tha Malota.
“Për muajin mars me vështirësi kam arritur t’i paguaj punëtorët, por tashi e kam të pamundur të paguaj rroga. Nëse kjo situatë do vazhdojë gjatë dhe shteti nuk na mbështet, ne do shkojmë drejt falimentimit,” shton ai.
Sipas të dhënave nga Inspektoriati Shtetëror i Peshkimit, në Shëngjin janë rreth 50 subjekte që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e peshkimit, të cilët punësojnë së bashku një numër të konsiderueshëm punëtorësh. Për shkak të krizës, një numër i konsiderueshëm peshkatarësh kanë mbetur pa paga dhe pa punë.
“Unë kam 25 vite që punoj në peshkim me subjekte të ndryshme. U bënë 2 javë që pronari na i ka ndërprere marrëdhëniet financiare mua dhe 20 punëtorëve të tjerë, për shkak se është ndërprerë puna – sepse nuk ka treg për produktet e detit,” i tha BIRN një peshkatar në kushtet e anonimatit.
Ndërsa shpreson që situata të ndryshojë së shpejti, peshkatari thotë se aktualisht ka mbetur pa para për të përballuar nevojat e familjes.
“Kam frikë se kjo situatë do të zgjasë dhe dhe do ngelim pa punë mes katër rrugëve. Shteti nuk don t’ia dijë fare për ne,” shtoi ai.
E njëjta situatë paraqitet edhe për peshkatarët e lagunës së Kune-Vainit, të cilët ndonëse mund të zënë peshk, e kanë të pamundur ta shesin atë. Prej një muaji, e vetmja kërkesë për produktet e detit vjen nga ato pak dyqane, por edhe ato kërkojnë sasi shumë herë më të vogël se zakonisht.
“Kërkesa për peshk s’ka qenë asnjëherë më e ulët që prej nisjes së punës time si peshkatar tash 17 vite,” ankohet Bert Pati, peshkatar në Lagunë.
“Konsumi më i madh i peshkut është në restorante, por ato janë të mbyllura. Don Zoti e kalon kjo situatë sa më shpejt e të fillojmë punën me kapacitet të plotë, se më keq se jemi, nuk ka ku shkon,” përfundoi Pati.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al