“Unë, operativi i burgut të Burrelit, që bashkëjetova me ‘armiqtë e popullit’”- Rrëfimi i oficerit të Sigurimit: Si i regjistruam fshehurazi të dënuarit kur vdiq Enver Hoxha

Feb 2, 2022 | 22:50
SHPËRNDAJE

Vdekja Enverit-sigurimi-operativiPIRRO NUREDINI/ Jam i ndërgjegjshëm se po të shkruash për temën e sigurimit do të “shkelet deklarata” për ruajtjen e sekretit, të cilin e firmosin të gjithë ata që fillojnë punë në shërbimet sekrete. Po fundi i Luftës së Ftohtë ka sjellë një kohë tjetër.

Megjithatë, do të mundohem që edhe atë deklaratë “ta respektoj” në thelbin e saj. Them në thelbin e saj, se format që ka përdorur Sigurimi i Shtetit, si rrjeti sekret, teknika operative, survejimi, kontrolli postar e të tjera, tashmë kanë dalë në pazar. Në tregimet e mia do mundohem të jem i saktë. Për të qenë sa më i vërtetë, jam i detyruar të përmend edhe emra konkretë, por asnjëherë ata që duhet të mbeten sekret. Këto kam vendosur t’i marr me vete në varr.

Me mbarimin e Shkollës së Ministrisë së Brendshme, fillova punë me përfytyrimin që na kishin krijuar për “armiqtë e klasës e të atdheut”. Këtë imazh në praktikë nuk e ndesha ashtu siç na ishte predikuar dhe gradualisht në ndërgjegjen time filloi të zbehej. Një ndikim të fuqishëm në ndryshimin e konceptit të krijuar tek unë për armikun e klasës, ka luajtur “bashkëjetesa” me të dënuarit e burgut të Burrelit për shumë vite me radhë.

OFICER SIGURIMI NË BURGUN E BURRELIT

Në Burrel mbërrita në 24 tetor 1978. Atë ditë jepte konkluzionet një ekip i ministrisë që kishte qenë aty për ndihmë e kontroll. Ishte dhe zëvendësministri Feçor Shehu. Pas mbledhjes, ky më thirri në zyrën e kryetarit të degës dhe më komunikoi emërimin si punëtor operativ në burgun e Burrelit. Më porositi të bëja kujdes, mbasi aty “vuajnë dënimin elementë antiparti, armiqtë më të egër të partisë e të atdheut”. Megjithëse isha transferuar nga Gjirokastra për “zbutje të luftës së klasave”, ideologjia e kohës kishte formuar bindjen edhe tek unë se kjo kategori njerëzish ishin vërtet të rrezikshëm. I dënuari i parë që ndesha në burgun e Burrelit ishte Koço Tashko. Po hyja për herë të parë në ambientet e burgut, kur u përballa me të. Atij i kishte ardhur në takim i biri, Fredi Tashko. Koço i kishte kaluar të 80-at dhe mezi mbahej në këmbë. Kontakti i parë me të bëri që diçka të kërcasë në formimin tim.

Mosha dhe gjendja e mjeruar fizike e Koços bën të më lindte pyetja: “Ky është armiku i rrezikshëm?!” Gjithçka që përjetova ditën e parë, por edhe çka pashë më vonë, patën një ndikim të ndjeshëm në formimin tim. Këto rrethana formuan një mendim tjetër tek unë për shumë nga të dënuarit e Burrelit. Pas disa kohësh, Koçua përfundoi dënimin dhe e internuan në Adriatik të Krujës, megjithëse në një gjendje të rënduar fizike. Këtë logjikë e kisha të pamundur ta kuptoja. Në burg gjeta edhe të dënuarit Xhavit Qesja, Maqo Çomo, Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Vaskë Gjino, Lipe Nashi, Kiço Ngjela, Gjin Marku e shumë të tjerë. Përveçse e kisha detyrë studimin e dosjeve të tyre, më shtynte kurioziteti të njihesha deri në hollësi me aktivitetin për të cilin ishin dënuar. Në shumicën e dosjeve e kisha të vështirë të gjeja elementët e domosdoshëm të veprës penale, për të cilën ishin akuzuar.

Pirro Nuredini
Pirro Nuredini

Megjithatë, nuk gjeja kurajo të flisja për këtë dukuri. Qysh ditët e para më bëri përshtypje të veçantë karakteri i fortë i të dënuarve Xhavit Qesja, Maqo Çomo, Bardhyl Belishova, Kur Kola, Daut Gumeni, Spartak Ngjela, etj. Është e pabesueshme që ky i fundit vuante dënimin në të njëjtin burg me të atin, Kiço Ngjelën, po nuk lejoheshin të takoheshin. Në vitin 1984, në burgun e Burrelit sollën të dënuarit e rinj që u goditën pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, Muhamet Prodanin, Mihallaq Ziçishtin, Abaz Fejzon, Halim Ramohiton, Arif Haskon, Rahman Perllakun, Nesti Nasen, Duro Shehun, Ali Çenon, Xhavit Ismailagën dhe dy djemtë e Mehmetit, Skënder e Bashkim Shehun.

Shumë nga këta kishin pohuar në hetuesi hollësi për grupin e Mehmet Shehut. Kur i lexova ato, mendova se vërtet kishim të bënim me armiq realë të partisë e të pushtetit. Po gjatë punës për zbulimin më në thellësi të shtrirjes së kësaj veprimtarie, nuk i gjeta shumë nga faktet që ndodheshin nëpër dosje. Në një rast kërkova nga Ali Çeno të më fliste më në hollësi për ato çka kishte deponuar në hetuesi. Ai u përlot dhe më tha: “Mos i beso ato! Në kushtet ku jam ndodhur, u detyrova të pranoj gjëra që nuk janë të vërteta!”. Po kështu më ndodhi edhe me Mihallaq Ziçishtin, i cili i njihte format e punës së Sigurimit, pasi kishte qenë për vite të tëra zëvendësministër i Punëve të Brendshme…

KUR VDIQ ENVERI

Ishin momentet kur sa ishte njoftuar vdekja e Enverit. Të gjitha dhomat e të dënuarve antiparti ishin pajisur me mjetet e teknikës operative (përgjimit) dhe unë nga zyra në burg, e kisha për detyrë të ndiqja reagimet e tyre, në rastin konkret për vdekjen e Enverit. Disa prej tyre e përjetuan me dhimbje dhe këtë e shprehën në forma të ndryshme. Edhe pse ishin duke vuajtur dënimet prej disa vitesh, shumica e tyre për Enverin dhanë konsiderata pozitive. “Tani Shqipërinë do ta marrë lumi”, reagoi njëri. “Tani shpëtoi populli shqiptar!” ju kundërpërgjigj Abaz Fejzua duke ngritur tonin e zërit. Të gjitha këto, por edhe shumë të tjera, bënë që tek unë të ndryshonte mendimi për të dënuarit në përgjithësi, e në veçanti për të dënuarit antiparti. Një pjesë e mirë e tyre, për mua tashmë ishin armiq imagjinarë.

vdekja-e-enverit-2

Edhe mjaft nga të dënuarit e tjerë nuk ishin ata që kisha përfytyruar më parë. Në këtë vështrim, puna në burg ishte edhe një fat për mua. Aty gjeta realisht të vërtetën. Më qëlloi të isha pjesë e grupit të punës për aplikimin e dy amnistive në burgun e Burrelit, ato të vitit 1982 dhe 1986. Në të dyja rastet faleshin të dënuarit ordinerë që kishin bërë gjysmën e dënimit. Ata që ishin dënuar për agjitacion e propagandë apo tendencë arratisje, faleshin po të ishin në vitin e fundit të vuajtjes së dënimit. Të dënuar ordinerë kryesisht ishin ata që ishin ndëshkuar për vjedhje, grabitje, vrasje, etj. Pikërisht këta përfitonin para atyre që ishin të dënuar politikë. Kjo ishte logjika e atij sistemi. Të dënuarve nuk kisha çfarë t’u thosha kur më kërkonin t’ua arsyetoja një qëndrim të tillë.

RIDËNIMI I KOSTA FILIT

Në burgun e Burrelit vuante dënimin Kosta Fili. Ai, në vitin 1953 ishte arratisur në Greqi, nga fshati i tij, Mursi. I vendosur në qytetin e Igumenicës, ku u martua e krijoi familje, pas disa vitesh bëri disa përpjekje për të hyrë ilegalisht në Shqipëri, për të marrë me vete nënën, por nuk mundi ta realizonte. Në një përpjekje të radhës në vitin 1957, ra në grackën e Sigurimit dhe u kap. Pak më vonë u arrestua si agjent i zbulimit grek dhe ndërlidhësi i grupit të Teme Sejkos. U dënua me 25 vjet heqje lirie. Në vitin 1979, dënimi i tij përfundonte. Dy-tre muaj para se të vinte dita e lirimit, Kosta Fili i dërgoi një letër kryeministrit. I tregonte pse ishte arrestuar dhe po mbaronte dënimin. Në përfundim i kërkonte që pjesën e jetës që i kishte mbetur të shkonte ta kalonte në Greqi pranë familjes. Pikërisht kjo letër vuri në lëvizje Ministrinë e Brendshme.

burgu-burrelit

Kosta Fili, që zinte një vend të rëndësishëm në Muzeun e Ministrisë së Brendshme si diversant i rrezikshëm, hynte në radhët e të dënuarve “Vip”. Nga lart u dha porosia që të punohej për grumbullimin e të dhënave që vërtetonin veprimtarinë armiqësore të tij dhe të përgatiteshin dokumentet për ta ridënuar. Ishte e vështirë të grumbulloheshin prova të tilla. Ndërkohë, dita e lirimit po afronte. Edhe pse provat mungonin, ato u fabrikuan dhe të dërguarit e qendrës ishin optimistë për miratimin e propozimit të arrestimit nga prokuroria e rrethit. Miratimi i atyre që ishin në kushtet e vuajtjes së dënimit, ishte kompetencë e prokurorisë së rrethit. Kurse kur i propozuari për arrest ishte i lirë, kërkohej domosdoshmërisht firma e prokurorit të përgjithshëm. Në dosjen e plotësuar rishtas kishte të dhëna të viteve ‘58-‘60, kohë kur ai ishte i izoluar në burgun e Gjirokastrës.

Me shokët e dhomës ishte shprehur se kudo që të jetë duke vuajtur dënimin, do krijonte rastin për t’u arratisur. Pikërisht ky informacion u shfrytëzua për akuzën e re. Nga dy ish-bashkëvuajtës të asaj kohe që tani ishin liruar, u siguruan “provat” që u përdorën për goditjen e Filit. Pra, për biseda që ishin bërë 20 vite më parë. Erdhi dhe dita e lirimit. Të nesërmen, në orën 8, komandanti i burgut, Idajet Deda, dha urdhër për të proceduar për lirimin e tij. Kosta shkoi në evidencën e burgut ku u bënë të gjitha veprimet e rastit. U pajis edhe me një vërtetim që do ta përdorte në financën e degës së Brendshme për të tërhequr të ardhurat që kishte në llogarinë e tij.

Hodhi çantën në kurriz dhe u nis për te dega. Tashmë ishte një qytetar i lirë. Ndërkohë, prokuroria ishte vënë në lëvizje dhe kishte firmosur arrestimin. Tani që Kosta ishte i lirë, arrestimi me urdhrin e prokurorit të rrethit ishte i jashtëligjshëm. Kosta, i cili e shikonte veten të lirë pas 28 vitesh, nuk pati fuqi të reagonte. Mendja e tij pas kaq vitesh burg punonte vetëm të shkonte në Greqi, pranë familjes. Ai i njihte mirë praktikat e ridënimit që kishin ndjekur shumë bashkëvuajtës. Këtë fat e kishte pësuar Maqo Çomo, Gjin Marku, Kapllan Resuli, Bardhyl Belishova e të tjerë… Kryetari i degës më urdhëroi ta merrja Kosta Filin që ishte te financa dhe ta çoja te zyra e tij. Nuk kishte rrugë tjetër veç t’i bindesha. “Kosta, ti u lirove sot, por nga prokuroria ka mbërritur një urdhër arresti për ty”, kumtoi kryetari dhe i lëshoi para vendimin e miratuar të arrestit… Mbyllja e hetimeve dhe gjyqi i Kosta Filit u realizuan në mënyrë rrufe. Ai u ridënua edhe 10 vite të tjera. Pas disa ditësh u kthye në dhomën e tij të vjetër të burgut për të kryer dënimin. Me Kostën bisedoja herë pas here në greqisht.

Kërkesa e vetme që më bënte ishte të shkruante për familjen ndonjë letër jashtë radhe. Nuk mund të mos ia plotësoja. Në letrat që merrte nga Greqia dhe Amerika gjeje shpesh çeqe në vlerë dollari. Ishte detyra ime të kryeja veprimet në bankë dhe t’ia konvertoja në lek, të cilat pastaj i kaloja në llogari të Filit. Konvertimi bëhej me 20 lekë të vjetra për një dollar. Kostës i dërgonte shpesh dollarë djali i tezes nga SHBA-ja, Jani Hito. Ata ishin arratisur së bashku nga Shqipëria në vitin 1953. Ndërsa Jani shkoi menjëherë në Amerikë, Kosta pati historinë e mësipërme. Në vitin 1987, Kosta më tregoi se dhëndri i tij në Janinë, K. Dinaleksi, ishte i njohur i deputetit të Janinës, Papulas, ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë. Ai po interesohej që Papulas të ndërhynte tek autoritetet shqiptare për t’i falur pjesën e dënimit. Dhe kjo pati efekt. Papulas në atë kohë erdhi për vizitë në Shqipëri.

Menjëherë pas kësaj, erdhi një shkresë në burgun e Burrelit, ku thuhej se Presidiumi i Kuvendit Popullor kërkonte mendimin për faljen e dënimit të mbetur të të burgosurit Kosta Fili. Një muaj më pas, Kostën e liruan. U takova me të te turizmi i Burrelit. Më kërkoi ta ndihmoja të lidhej me telefon me vajzën e tij në Janinë. Kishte 28 vite që ishte ndarë prej saj dhe do t’i dëgjonte zërin për herë të parë. E ndihmova dhe lidhja u krye në çast. Jetova momente tepër prekëse, kur pashë Kostën goxha burrë, të qante si fëmijë dhe të puthte receptorin si i çmendur….

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura