Uran Butka, “arrati” te letërsia përmes historisë

Jun 13, 2016 | 18:47
SHPËRNDAJE

Herë pas here ai tenton të “arratiset” drejt letërsisë, por historia është sërish aty. Uran Butka historian i ikën ftohtë- sisë së dokumenteve për t’u strehuar te lirshmëria e trillit.

Uran Butka“Vetëm një natë”, kështu titullohet vëllimi me tregime i Uran Butkës, një botim i shtëpisë botuese “Bota shqiptare”, i promovuar pak ditë më parë, mes një rrethi intelektualësh, shkrimtarë, kritikë, piktorë…

Edhe pse libri ka dalë vetëm pak kohë më parë, tregimet e tij lexohen me një frymë dhe të pranishmit kishin pasur mundësi të zgjidhnin të preferuarit mes tyre. Dikush do të veçonte tregimin “Nëna”, një tjetër “Shtatorja”, një tjetër tregimin që i dha titullin vëllimit, “Vetëm një natë”, “Fshatarët”, “Pishat e buta” etj.

Për poetin Bardhyl Londo, Uran Butka, i cili solli një mënyrë të re në studimin e historisë shqiptare, qartësisht ka një fushë interesi të vetën, që është historia dhe në “këtë domen krijon gjëra të bukura. Në këtë libër bën një përpjekje për të kaluar në një shkallë tjetër, përpiqet të hyjë në një shteg që nuk e ka kaluar në librat e tjerë të tij”.

Sipas Londos, tregimet e tij janë tërheqëse dhe vazhdojnë t’i qëndrojnë besnike atij domenit të tij, në të cilin, sipas poetit, ai është “zot i pamëshirshëm”. Duke iu referuar në veçanti dy tregimeve “Vetëm një natë” dhe “Shtatorja”, Londo do të shprehej se me një sy të shpejtë, duket sikur tregimet e Butkës vijnë me penelata të përgjithshme, por ia beh një fund, që e befason lexuesin.

Për studiuesin dhe kritikun Mark Marku, “letërsia e mirë vjen dhe nga autorë që nuk e kanë pretendimin letrar si profesion, por dëshirë për të rrëfyer” dhe se libri i Uran Butkës duhet lexuar si “bisedë me një njeri që tregon histori”. Marku thotë se në tregimet e Butkës ndërthuret dëshira për të rrëfyer, për të komunikuar me lexuesin me përvojën. Nëse Londo do të veçonte si karakteristikë të veprës së Butkës realizmin, Marku e quan veprën e tij një “rikonstruksion të realitetit”.

Sipas tij, në tregimet e autorit hasim një lloj “historizmi të njeriut shqiptar”. “Duke na rrëfyer na çon te ca karaktere të shqiptarëve, duke i zbuluar ashtu si janë. Që në themel ne kemi mosnjohjen e vetvetes.

Ai na çon tek ajo vetvete që jemi dhe ky është një qëndrim i ndershëm e i dobishëm”, tha Mark Marku. Profesor Bashkim Kuçuku u fut në një analizë më të detajuar letrare të veprës së Butkës. Zgjedhjen e tregimit, si formë krijimi, Kuçuku e shpjegoi si një “shpëtim” në një kohë të karakterizuar nga kriza e leximit.

Ai e quajti këtë një urë mirëkuptimi mes autorit dhe lexuesit. “Vepra e tij ka një taban të fortë realist që e bën të suksesshëm. Por autori e ka ndjerë që realizmi klasik është i pamjaftueshëm, ndaj edhe fut shtresa të reja komunikimi”.

Ai do të ndalej te dy karakteristika të veprës së Butkës, te metafora dhe dramatikja. Duke marrë si shembuj disa tregime të Butkës, si “Fshatarët”, “Pishat e buta” apo “Pamje nga ura”, ai nxjerr në pah tiparin metaforik dhe ikjen nga proza tradicionale, drejt një teksti dramatik. Të tjerë të pranishëm do të ndaleshin në tregime të veçanta, me personazhe reale, të cilat u flisnin më së shumti të pranishmëve.

Uran Butka midis misionit dhe pasionit

HALIT SHAMATA

Ndryshe do të thoshim: Uran Butka midis historisë dhe letërsisë. Në kufirin ndarës dhe në osmozën natyrale që i bashkon të dyja, Uran Butka riskon suksesin e tij të dyfishtë. Puna e historianit për të është një mision, si rrallëherë i paautorizuar nga askush. Ndërsa shkrimtaria letrare, deri më tash e hijezuar nga politikani dhe historiani Butka, po rreket të ndryshojë rendin e përparësisë së vlerave. Krijimtaria letrare është pasioni i përditshmërisë së tij.

Por Uran Butka ka bërë me pasion edhe deputetin dhe vazhdon të bëjë me një pasion natyral, punën e historianit. Euxhenio Montale, poeti nobelist dhe, në të gjallë edhe senator i përjetshëm italian, në përmbledhjen me ese “Në kohën tonë” shkruan se raporti mes ideales dhe reales krijoi letërsinë klasike, ndërsa raporti mes reales dhe ireales krijoi letërsinë moderne.

Përtej dy blloqeve kryesore të letërsisë, tek Uran Butka përndryshe, shfaqet një qasje tjetër, raporti mes historisë dhe realizmit si drejtim letrar. Një qasje deri diku niçeane. Në veprën “Mbi dobinë dhe dëmin e historisë për jetën”, Niçe shkruan “Ajo që është histori dhe ajo që nuk është histori janë në mënyrë të barabartë të domosdoshme për shëndetin e një individi, të një populli dhe të një qytetërimi. (përkth. im).

Duket sikur në këtë pamëdyshje të dyshuesit të paepur Niçe, Uran Butka end thurimën e teksteve të tija historike dhe letrare.

Historiani Butka i ofron Butkës shkrimtar, dokumente, fakte, dëshmi, në të shumtën e rasteve tronditëse, që abstragohen estetikisht në tekst letrar, duke ruajtur herë drejtpërdrejt, herë të mjegulluar kontekstin dhe dëshminë historike. Nga ana tjetër, shkrimtari i ofron historianit, gjuhën dhe stilin letrar, vitalizimin e shkrimeve historike, me një qasje të vetvetishme letrare duke ruajtur entitetin e tekstit historik. Një gjë vlen të thuhet lidhur me atë që Niçe e quan “dëmi i historisë”.

Veprat historike të Butkës kanë mënjanuar deri diku nga vë- mendja e lexuesit, veprën e tij letrare. Kjo ka edhe një arsye më shumë, veprat historike të Butkës i përkasin historisë politike moderne. Është i njohur konstatimi i Edit Durhamit, se shqiptarët prodhojnë më shumë histori sesa konsumojnë. Me ç’duket, pas njëqind vjetësh, mund të themi të kundërtën…

Duket vërtet e çuditshme që, me gjithë kontekstin e jetës dhe përjetimeve politike, proza e shkurtër e Uran Butkës dallohet lehtas për lirizmin e sinqertë dhe poetikën e ngrohtë. Mund të thuhet se ai është në vazhdën e rrëfimit poetik në prozë, të brazduar herët nga mjeshtra si Mitrush Kuteli, por edhe Sotir Andoni etj. Uran Butka është në përputhje me veten, për sa i përket natyrës së njeriut dhe natyrës së stilit të tij letrar.

Ai është i kuptueshëm, me një lexim të parë, por gjërat duket sikur ndërlikohen pasi ke mbaruar së lexuari tregimtarinë e tij. Aktualiteti shqiptar, që heraherë shmanget në të shkuarën e afërt, është ajo me të cilën lidhen shqetësimet dhe përjetimet krijuese të Uran Butkës.

Më poshtë po përpiqem të ofroj disa lexime të vëllimit “Vetëm një natë” që sapo ka dalë nga shtypi: Tregimi “Vetëm një natë”, që ka pagëzuar librin me proza, na rrëfen kalvarin e mundimshëm gjer në pamundësi, nëpër të cilin kalon procesi i kthimit të pronës. Për autorin, rikthimi i pronës nuk është malli në vetvete, por është rikthim te liria, e cila ka kuptim, qoftë edhe vetëm për një natë. Tregimi “Zëri”, në një kontekst social, na thotë se gjëra fare të vogla, siç është ngritja e pavetëdijshme e tonit të zërit, mund të prishë status quonë e një familjeje.

Në kontekstin psikologjik, zbrazëtia e zërit prish ekuilibrat shpirtërorë. Uran Butka në pjesën më të madhe të tregimeve të tij, shfaq një mentalitet që e ka kapërcyer prej kohësh tranzicionin e stërzgjatur shqiptar. Në tregimin “Viti ‘92″ pasqyrohet modeli i një nëpunësi arsimor, që pasi ka provuar torturat dhe burgjet e komunizmit, duke qenë i ndershëm me veten, i vlerëson njerëzit nga meritat dhe jo nga biografia, gjë nga e cila ne shqiptarët ndjehemi të trysnuar ende edhe sot.

Tirana zë një vend të veçantë në librin e Butkës. Tregimi me titullin sugjestionues “Pamje nga ura” nga idili i Urës së Tabakëve, gjer te gërhima çehoviane në shfaqjen e dramës së Milerit, ngre problemin e vlerave të dyshimta që mpleksin të ardhmen e një njeriu apo një qyteti. Karrierizmin e mbështetur mbi shëmtimin moral trajton novela “Arrivisti”.

Dhe po në këtë frymë, është edhe përpjekja për të blerë me para, lavdinë e paraardhësve, jo për t’i bërë nder qytetit, por në emër të pushtetit, te tregimi “Shtatorja”. Ceremonia për përurimin e shtatores që bëhet në prag të zgjedhjeve ka një mbyllje groteske. “Në orën e caktuar kryetari i bashkisë mbajti një fjalim të ndjerë dhe, në mes të një entuziazmi të paparë, nisi të zbulonte shtatoren. Por gjithçka u fashit rrufeshëm: shtatorja ishte pa kokë”.

Në libër ka një numër tregimesh ku përjetimet dhe përvoja personale kondensohen në situatë artistike, përmes dramacitetit te tregimi “Nëna”, përmes së papriturës te tregimi “Prangat”, si dhe përmes lirizmit te “Dy pensionistët”, apo përmes aksionit te tregimi “Pishat e buta”.

Sikurse ndodh që përjetimi personal nuk arrin gjendjen e masës artistike si në skicën “Përfaqësuesi i popullit” etj. Uran Butka ka njohur dy anët e medaljes së pushtetit. Ai është ndër të paktit njerëz që kanë provuar dhunën e egër të shtetit dhe qenien në pushtet. Nga kjo buron dramaciteti dhe thelbi i qenies së tij.

Por unë besoj se ai u përket atyre që mendojnë se pushteti nuk është as i natyrshëm, as i domosdoshëm. Më në fund do të them se Uran Butka është vital në gjithë qenien dhe krijimtarinë e tij.

Nga viti ’96, në harkun e njëzet viteve, ai ka shkruar më shumë se njëzet vepra në fushën e historisë, monografi, libra me tregime, një roman etj. Një model se si mund të përballohet koha fizike me punë të përditshme. Në takimin e radhës ai është gati të dhurojë një libër të ri. Kjo të sjell ndër mend Sartrin që besonte se Prusti punonte me dy duar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura