Vajza e Liri Gegës: Nënën ma pushkatuan shtatzënë, ia dogjën eshtrat me acid

May 13, 2013 | 8:34
SHPËRNDAJE
Lavdie Ndreu duke rrëfyer për “Panorama”

Flet Lavdie Merlika (Ndreu), e bija e çiftit që u dënua me vdekje.

“I arrestuan te shtëpia e xhaxhait në Sllovë dhe thanë se i kapën në kufi duke u arratisur”

Lavdie Merlika, vajza e vetme e Dali Nderut dhe Liri Gegës, dy figurave të njohura të lidershipit historik të dënuar me vdekje në mesin e viteve ‘50, e rindërton ndarjen tragjike me prindërit duke veçuar tri momente kulmore: çastin e arrestimit, lajmin për vdekjen e tyre dhe pushkatimin e nënës shtatzënë.

Ka qenë vetëm tetë vjeçe atëherë, por mban mend me detaje rrethanat e tragjedisë dyfishe. Sa kishim shkuar te xhaxhai në Sllovë, kur erdhën dhe i arrestuan papritur, kujton ajo. Thanë se i kapën në kufi duke u arratisur. Pas tre muajsh mbërriti lajmi se i dënuan me vdekje si armiq të popullit. Çfarë ndodhi më tej, ishte një fatkeqësi më vete, shton Lavdija duke rrëfyer kalvarin e vuajtjeve në kampin e Shtyllasit, përçudnimin e të tjerëve si familjarë të armiqve e tradhtarëve dhe stërmundimet sfilitëse në kërkim të eshtrave të prindërve që nuk i gjetën kurrë. Sidoqoftë, për të, pushkatimi i nënës shtatzënë ka qenë brenga më e madhe. Përtej mëdyshjeve për këtë akt makabër, të denoncuar zyrtarisht nga Hrushovi, vajza e çiftit të dënuar me vdekje s’ka as dilemën më të vogël për faktin rrëqethës se nëna e saj është pushkatuar shtatzënë. Me dëshmi e prova të pakontestueshme, ajo të krijon bindjen se ka ndodhur pikërisht kështu, pavarësisht përpjekjeve të regjimit për të pohuar të kundërtën…

Dali ndreu e Liri Gega me vajzën Lavdie dhe djalin Sokol pak ditë para arrestimit

Zonja Lavdie! Prindërit tuaj, dy nga personazhet e njohura të lidershipit komunist, janë pushkatuar në një ditë, me akuzën për tradhti ndaj atdheut dhe tentativë arratisjeje. Çfarë kujtoni nga ndarja tragjike me ta?
Kanë kaluar vite e dekada qysh atëherë. Tashmë jam bërë nënë e gjyshe. Koha shumë gjëra i ka venitur, vitet kanë bërë të tyren, por palca e ndodhive, pasojat, nuk mund të shqiten lehtë. Tri janë momentet kulmore që ruaj nga ajo ndarje tragjike: çasti i arrestimit të prindërve, lajmi për vdekjen e tyre dhe pushkatimi i nënës shtatzënë. Jam rritur me brengën dhe dhimbjen e tyre. Kam qenë e vogël, shumë e vogël kur jam ndarë me prindërit. Pa përkujdesjen e njerëzve të babait, nuk do të isha kjo që jam. Xhaxhallarët, por sidomos gratë e tyre, kanë bërë gjithçka për të kompensuar dashurinë e prindërve të vërtetë. E them me plot gojën që jetën time ua dedikoj atyre, përkushtimit dhe përkuj-desjes së pakursyer që reguan për mua. Megjithatë…
Megjithatë, pas asaj që ndodhi, fjalët “nënë” e “babë” nuk t’i nxuri më goja…
Nuk e di ç’ka ndodhur në raste të ngjashme, por në rastin tim, fjalët “nënë” e “babë” nuk i kam shqitur kurrë nga vetja. Në shqiptimin e tyre, kam ndier gjithnjë diçka hyjnore, të shenjtë. Po, po. Si mund t’u flisja ndryshe atyre që s’më lanë kurrë pa ngrohtësi atërore. Paçka se edhe vetë jetonin në mjerim e terror të skajshëm. I kam thirrur baba me plot gojën, me gjithë shpirt xhaxha Beshirit dhe nënë Mynyres, gruas së tij. Për ta u bëra fëmija i tetë, por më e privilegjuara ndër shtatë të tyre…
E keni fjalën për kohën kur keni humbur prindërit? Po kur jetonit me ta, ju kujtohet?
Me ta jam ndarë kur isha tetë vjeçe. Asokohe jetonim në katin e dytë të një shtëpie private te Rruga e Kavajës. Prindërit kishin ardhur aty fill pas luftës. Babai, me sa mbaj mend, ishte drejtor i ndërmarrjes së ndërtimit, po shpesh i flisnin gjeneral. Mamaja punonte mësuese në shkollën pedagogjike te Rruga e Elbasanit. Unë vazhdoja shkollën te “Hasan Vogli”. Si fëmijë, kuptohet nuk kisha si t’i dija peripecitë që kishin kaluar prindërit deri atëherë. Ajo që ndieja ishte rrallimi i vizitave të miqve dhe shokëve të tyre, të cilët dikur hynin e dilnin shpesh.
Pra, një pjesë të fëmijërisë e keni kaluar në Tiranë, madje në kushte relativisht komode po të kemi parasysh kohën…
Si fëmijë i dy zyrtarëve, krahasuar me moshatarët e tjerë, kuptohet, jetoja më mirë. Të tjerët, në pjesën më të madhe, nuk e kishin këtë privilegj. Kam mbresat më të bukura nga ajo periudhë. Ndër to mbaj mend dhuratat e prindërve për ditëlindje. Babai sidomos ishte shumë i dhënë për to. Kur mbusha shtatë vjeçe, ai më bleu një fizarmonikë. E ruaj edhe sot atë. Është e vetmja relikte që kam nga ato vite. Ishte dëshira e babit të bëhesha instrumentiste. Mamaja nga ana tjetër kujdesej të isha e rregullt në shkollë, por edhe në veshje e sjellje. Ajo ishte shumë e dhënë pas kuzhinës. Gatimin e kishte pasion. Mbaj mend sidomos byrekun me shumë petë. E tëhollte vetë, e përgatiste me kujdes dhe i rrinte te koka derisa piqej. I hidhte pak yndyrë. Shpesh për këtë babai e xhaxhallarët e thumbonin me shaka, duke i kujtuar origjinën si gjirokastrite. Shumë herë mamaja më merrte me vete në shkollën e saj. Aty më linte për orë të tëra në shoqërinë e vajzave të Pedagogjikes. Pak a shumë kështu rrodhi ajo pjesë e fëmijërisë deri ditën kur ata i arrestuan…
Keni qenë e pranishme kur janë arrestuar?
Atë skenë e kam parë nga afër. Atëherë isha tetë vjeçe.
Në dokumentet e Sigurimit rezulton se ata janë arrestuar gjatë një tentative për të kaluar kufirin për në Maqedoni…
Ky është një mashtrim i paskrupullt. Ata janë arrestuar në oborrin e shtëpisë së xhaxhait, në Sllovë të Peshkopisë. A mund t’i thuash kufi shtetëror portës së gjyshit ku kishim shkuar për të qëndruar disa ditë?! Marrëzi, marrëzi pa fund…

Liri Gega në një mbledhje të partisë

Cila ishte arsyeja që kishit shkuar në Sllovë?
Arsyeja që kishim shkuar aty lidhej me shëndetin e vëllait, Sokolit. Ai ishte dy vjeç dhe vuante nga një sëmundje kronike. Ishte kuruar për të disatën herë në spitalin e Tiranës. Mjekët më në fund kishin rekomanduar të frekuentonte klimë malore. Pas konsultës me ta, prindërit vendosën të shkonim në Sllovë. Aty kemi mbërritur një natë para se t’i arrestonin…
Ishit e pranishme në momentin e arrestimit?
Në Sllovë arritëm afër mesnatës. Babai kishte porositur një makinë tip “Xhip” dhe ishim përgatitur për t’u nisur në mëngjes herët. Për arsye nga më të ndryshmet, makina erdhi aty nga mesdita. Udhëtimi zgjati disa orë. Kur shkuam në fshat, i gjetëm në gjumë. Të nesërmen te shtëpia ku rrinim u gjendën xhaxhallarët dhe të afërmit e tjerë. U bënë mbi 15-20 burra e gra. Kështu ndodhte gjithmonë në raste të tilla. Ngaqë u bënë shumë, dolën në oborr e po bisedonin. Herë pas here, gratë e shtëpisë u servirnin kafe. Aty nga mesdita, te porta kryesore u shfaqën policët e armatosur. Të parin kërkuan xhaxha Beshirin. Diçka folën me të në këmbë dhe pastaj u drejtuan nga babai dhe mamaja. Aty për aty nuk mora vesh se çfarë komunikuan me ta, por pashë që u hodhën prangat. Të parit babait, pastaj mamasë. Në çast, njëra nga gratë që ishte në këmbë, bërtiti me zë të mbyllur…
Komunikuat me prindë-rit në këto çaste?
Situata ishte e papritur. Në moment më dukej vetja si në ëndërr. Teksa rrija e shtangur para gruas së xhaxhait, dëgjova zërin e mamasë që i thoshte: Amanet djalin, Sokolin! Sakaq, u hodh babai qortueshëm: Amanet Lavdijen, se ajo do t’i mbajë mend të gjitha! Kaq ishte gjithçka. Ku ta dija se ai do të ishte komunikimi i fundit me ta. Tek u ndamë, i ndoqa me sy derisa i futën forcërisht në makinë. Deri në fund mamaja nuk i shkëputi sytë nga unë…
Çfarë dinit në atë kohë për babain dhe mamanë?
E dija që kishin qenë të dy në luftë. Kisha mësuar që babai kishte qenë komandant divizioni dhe mamaja komisare e zonës Vlorë-Gjirokastër. Për këto mbanin disa dekorata që i ruanin në shtëpi. Lart e poshtë kisha dëgjuar që së fundi kishin pësuar goditje. Ngaqë isha e vogël, nuk mund ta kuptoja ç’kishte ndodhur me ta. Për mua mjaftonte që ata ndiheshin mirë me punët që u kishin ngarkuar. Më vonë pastaj e njoha të plotë historinë e tyre…
Ku qëndruat pas arrestimit të prindërve?
Dy vjet ndenjëm te xhaxhai në Sllovë. Pas dy vjetësh na internuan në Shtyllas të Fierit. E mbaj mend si tani tmerrin e atyre ditëve. Ishin 20 makina që erdhën dhe na morën. Udhëtimi për te kampi i internimit zgjati dy ditë e dy net. Na plasën aty te koçekët e kooperativës, sikur të ishim kafshë dhe jo qenie njerëzore…
Kaq i madh ishte fisi Ndreu që u deshën 20 makina?
Fisi Ndreu ishte një fis i madh dhe i njohur për tradita dhe lidhje të fuqishme me njëri-tjetrin. Ndoshta për këtë arsye na mblodhën me kuç e me maç dhe na plasën në Shtyllas. Në Sllovë lanë vetëm nga një grua për çdo familje, por edhe ato për tre muaj, sa të mblidhnin prodhimet e stinës. I fundit hipi në makinë im vëlla, Sokoli. Gruaja e xhaxhait iu lut policëve ta mbante aty, se ishte i sëmurë. “Në asnjë mënyrë!”, u përgjigj prerë eprori i tyre. “Nuk e kuptoni që për këtë qen po shkoni edhe ju aty”, u hodh një tjetër, duke e kapur Sokolin prej zverkut për ta hipur në makinë…
Në Shtyllas pastaj nisi një jetë tjetër…
Jeta në Shtyllas ishte një skëterrë e vërtetë, në kuptimin e plotë të fjalës. Një kalvar i tërë vuajtjesh e mundimesh. Çdo ditë aty e kam kaluar me lot në sy. Fakti që për këtë ishin bërë shkaktarë (pa shkak) prindërit e mi, më brengoste shumë, sado e vogël që isha. Më mundonte një ndjenjë e brendshme përballë njerëzve të tim ati dhe mundohesha me mënyrën time t’ua shpërbleja me sjellje dhe rezultate në mësime. Frekuentoja shkollën rregullisht dhe njëherazi punoja në arë, merresha me punët e shtëpisë, kujdesesha për Sokolin. Mbarova shtatëvjeçaren në Pojan me të gjitha pesa (ajo ishte nota më e lartë), por m’u prenë krahët kur s’më lanë për më tej. Një plagë më vete kjo, që e përjetova shumë keq. Sidoqoftë, tanimë isha më e rritur dhe më e kthjelltë për atë që na kishte zënë.
Sa kohë qëndruat në Shtyllas?
Unë jam larguar nga Shtyllasi në vitin 1971, kur u martova te Merlikët e Krujës. Të tjerët qëndruan aty deri në fillimin e viteve ‘90. Në Krujë, në një farë mënyre shpëtova nga sfilitjet e kampit të internimit, por nga jo represioni politik që më ndiqte në çdo hap. Sidoqoftë, për nga kushtet e jetesës dhe puna në Artistiken e qytetit, nuk kishte të krahasuar me Shtyllasin…
Si jeni njohur me lajmin për dënimin e prindërve me vdekje?
Lajmin për dënimin me vdekje e mësuam njëherazi me njoftimin për pushkatimin e tyre. Asokohe ishim ende në Sllovë. Procedura e hetimit dhe gjykimit ishte zhvilluar me dyer të mbyllura në harkun e tre muajve. Gjithçka në fshehtësi, në terr të plotë. Kur po prisnim ç’po ndodhte me fatin e tyre, një mbrëmje dëgjuam nga Radio Tirana lajmin e kobshëm: Sot u ekzekutuan tradhtarët e popullit Dali Ndreu e Liri Gega! Ishte gjëmë e kaluar gjëmës. Nuk doja t’u besoja veshëve për atë që dëgjoja, por ishte e vërtetë…
Pra, në të njëjtën ditë humbët të dy prindërit që u ekzekutuan nga e njëjta dorë…
Një tragjedi e tmerrshme, por më e keqja se nuk përfundonte me kaq. Akoma më makabër ishte lajmi për pushkatimin e nënës shtatzënë…
Kur thoni këtë, keni parasysh vërejtjen që i bënte Hrushovi Enverit pas Konferencës së Tiranës, apo diçka tjetër?
Në atë kohë, nuk kishim asnjë mundësi të njiheshim me qortimin e Hrushovit për kreun e regjimit të Tiranës. Një mesazh i tillë as bëhej fjalë të vinte tek ne. Me të jemi njohur vitet e fundit nëpërmjet shtypit…
Me një fjalë, e keni ditur më herët…
Patjetër që e kam ditur, madje jo vetëm unë. Për nga mosha dhe lidhjet e afërta me nënën, nuk mund të më shpëtonte diçka e tillë. Në një farë mënyre, ajo ma kishte pohuar edhe vetë. Pastaj, mënyra si u përjetua tragjedia dyfishe nga të afërmit, sidomos nga gratë e xhaxhallarëve, pushkatimi i nënës shtatzënë, veçohej, megjithëse nën zë, si gjëma më e rëndë. Kuptohet, në praninë tonë nuk flitej kurrë për të, por në ligjërimet e vajeve përmendej herë pas here. Në vitet e mëvonshme kur jetonim në Shtyllas, në bisedat familjare flitej hapur për ekzekutimin e nënës shtatzënë. Ka qenë një rast ku njëri nga xhaxhallarët në gjendje dëshpërimi është shprehur publikisht: Enveri nuk vrau dy, po tre nga njerëzit tanë! Deshi Zoti qëlluan njerëz të mirë ata që e dëgjuan, se do përfundonte keq edhe ai…
Po pas viteve ’90, jeni njohur me fakte e dëshmi të tjera për këtë krim makabër?
Jemi njohur me radiogramin e Hrushovit për Enverin dhe përgjigjen mohuese të këtij të fundit mbështetur në një raport fals nënshkruar nga një farë Bekteshi, i njohur asokohe si mjek pediatër(!) Të thuash e neveritshme, është pak, por me sa dimë nuk e ka besuar njeri, pale Hrushovi. Sakaq, duke u interesuar për vendvarrimin e prindërve, kemi mësuar dhe një fakt tjetër që vërteton krimin makabër: eshtrat e prindërve, me urdhër të posaçëm, i kanë djegur me acid! Kemi arritur të takojmë dëshmitarë të ngjarjes, që pohojnë se operacioni i drejtuar nga Kadri Hazbiu është kryer fill pas radiogramit të Hrushovit për të fshehur gjurmët. Me sa duket, barbarët i ka trembur ideja e një ekspertize për verifikime shkencore. Pastaj, te “Panorama”, para disa kohësh, njëri nga të pranishmit në momentin e ekzekutimit, ka deklaruar se Liri Gega ishte shtatzënë kur u pushkatua…

Liri Gega në gjyq: Kritikova udhëheqësit për punë grash
Kanë tradhtuar interesat e Partisë dhe kanë zhvilluar aktivitet armiqësor kundër pushtetit popullor! Me këtë akuzë shkuan para skuadrës së pushkatimit Liri Gega e Dali Ndreu, dy nga figurat historike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që u dënuan me vdekje në mesin e viteve ’50. Dokumenti i procesit gjyqësor nënvizon sakaq se çifti Ndreu ishte kapur duke u arratisur në drejtim të Jugosllavisë. “Gega e Ndreu, artikulon akuza zyrtare, kanë pasur për qëllim rrëzimin e udhëheqjes së partisë dhe zëvendësimin e saj me elementë oportunistë, devijatorë dhe karrieristë, për të ndryshuar kursin e zhvillimit socialist dhe t’ia nënshtronin vendin një shteti të huaj. Ndër argumentat e konsumuara në proces, trupi gjykues veçon përfshirjen në aktivitet të organizuar agjitacioni dhe propagande, bashkëpunimin me funksionarë të legatës jugosllave në Tiranë, furnizimin e agjenturave të huaja me informata me karakter sekret etj. “Liri Gega dhe Dali Ndreu, shprehet në aktakuzë, gjatë zhvillimit të Konferencës të Tiranës, kanë zhvilluar aktivitet të theksuar armiqësor me karakter antiparti dhe antipushtet. Sipas dokumentit, dy të lartpërmendurit për të maskuar qëllimet e vërteta kriminale, kanë dalë me flamurin e mbrojtjes së demokracisë dhe ligjshmërisë, duke shtrembëruar në mënyrë flagrante realitetin dhe duke akuzuar pa të drejtë si fajtore udhëheqjen e PPSH për prishjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Me synim diskreditimi, Gega e Ndreu, vihet në dukje aty, kanë shpifur kundër udhëheqjes së partisë dhe qeverisë, duke shkuar në këtë drejtim deri në trillime e fyerje, madje dhe të evenimenteve të vogla me karakter personal. Liri Gega, nënvizon dokumenti, në hetuesi dhe para gjyqit ka pohuar: “Kam kritikuar udhëheqësit jo vetëm për çështje politike, por edhe në çështje personale, të thjeshta, çështje grash, çështje imoraliteti etj”. Ata kanë dalë me flamurin e rehabilitimit të elementit armik të goditur nga partia dhe kanë kërkuar që të futen në radhët e Partisë për të zënë poste udhëheqëse elementë të cilët për shkak të pikëpamjeve oportuniste, devijatore, trockiste, karrieriste etj., ishin të gatshëm t’i jepnin fund rrugës së lavdishme që ndjek populli nën udhëheqjen e Partisë. Në dokument përmendet pohimi i Dali Ndreut për të hequr masat ndëshkimore dhe për të rehabilituar jo vetëm ata të dy, por edhe elementë të tjerë të dënuar nga Partia si Ramadan Çitaku, Tuk Jakova, Bedri Spahiu etj.

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura