Historia e saj është e ngjashme me pak të tjera përqark. Foshnja vetëm njëmuajshe dënohet, duke u ndarë përjetësisht me prindërit biologjikë. Valbona Çoku nuk e njohu kurrë të ëmën, ndërsa babanë e takoi në moshën e pleqërisë, në prag të 80-ave. Arratisja e të atit nacionalist, Mentor Çoku, në ’44-ën, largimi në Itali i së ëmës me ndihmën e Nako Spirut dhe Manush Myftiut, internimi në Savër të Lushnjës dhe martesa me një tjetër të dënuar
Për prindërit e saj ajo mbeti gjithmonë vajza e vogël njëmuajshe. Arratisja nga Shqipëria e të atit do t’i kushtonte tepër shtrenjtë. Valbona Çoku nuk e njohu kurrë
nënën e saj, sepse nuk e lanë asnjëherë të bashkohej me prindërit. Të atin e takoi pas afro 50 vitesh. Historia tragjike e jetës së 67-vjeçares dhëmb ende sot. Sëmbon në zemrën e gruas së vuajtur, e cila rrëfen mes ngashërimesh e lotësh kapitullin e zymtë të jetës. E bija e politikanit nacionalist, Mentor Çokut, për shkak të marrëdhënies konfliktuale të të atit me Enver Hoxhën dhe bindjeve që shkonin në kundërshtim me sistemin komunist, ishte e dënuar të vuante nën lëkurë pasojat e atij regjimi. E si të mos mjaftonte ndarja për së gjalli me të dy prindërit që jetonin në Itali, në moshën 16- vjeçare arrestohet në shtëpinë e dajës në Tiranë dhe e vetme dërgohet të kalojë 30 vitet e tjera të jetës në kampin e të persekutuarve në Savër të Lushnjës. Pikërisht aty ku do të ngryste ditët më të errëta të jetës, do të lindte edhe një rreze drite e trazuar me pakëz shpresë. Valbona u njoh me Sokolin, shokun e jetës, i cili prej moshës dyvjeçare së bashku me familjen e tij gjendej në po atë kamp. Martesa në kushte të pazakonta, lindja e tri fëmijëve dhe jeta sot. Takimi mallëngjyes me babanë pas shumë vitesh dhe brengat e një jete të vuajtur. Valbona rrëfen për suplementin “Unë Gruaja”.
Znj. Valbona, nuk jeni marrë kurrë me politikë, megjithatë keni kaluar 30 vite në internim, cila është historia juaj?
U bëra fatkeqe që në muajin e parë të lindjes. Linda në një familje normale, shumë të dashur dhe me tradita. Nga ana e
babait, Mentor Çokut, ishin të gjithë që në gjenezë patriotë të vjetër, ndërsa nga mamaja, Zenie Resuli, ishin njerëz të kamur. Por, brenda dy muajsh, familja jonë u shkatërrua me lehtësinë që shkatërrohet një kështjellë rëre. Linda në tetor të vitit 1944. Babai në atë kohë merrej me politikë. Ishte deputeti më i ri i Parlamentit shqiptar, vetëm 30 vjeç. Përfaqësonte zonën e Ohrit. Për moshën ishte shumë aktiv dhe i gjendur në të gjithë ngjarjet e vendit, njeri i përkushtuar. Im atë, nacionalist, u arratis nga Shqipëria në ditët e fundit të nëntorit 1944, duke më lënë mua njëmuajshe në shtëpi vetëm me mamanë. Kur vendosi të largohej, unë isha 40-ditëshe. Na mori me vehte në varkën me të cilën do të largoheshin babai dhe një grup bashkëluftëtarësh të tij, por duke nuhatur rrezikun për mua dhe time më, ai kërkoi që të ktheheshim mbrapsht. Kështu babai u arratis drejt Italisë fqinje.
Këtu nisën edhe vuajtjet për ju…
Absolutisht po. Kjo arratisje e tim eti, përpos aktivitetit të tij politik dhe prirjeve që shkonin në kundshërtim me regjimin e kohës, u bënë shtysë që babai im Mentor Çoku të cilësohej eksponent i rrezikshëm për kohën.
Cili ka qenë aktiviteti dhe veprimtaria politike e babait tuaj?
Im atë është ndeshur me grupet armiqësore që në moshën 16-vjeçare. Gjatë shkollës së mesme në Beograd, ai takohej me shumë njerëz, të cilët e njihnin për njeri me bindje antikomuniste. Në Beograd, në vitin e tretë të gjimnazit e akuzojnë për veprimtari antiserbe dhe e përjashtojnë nga shkolla. Kjo u bë shkak që ai të vinte më pas në Tiranë për të përfunduar maturën, ndërsa shkollën e lartë për Drejtësi e ndoqi në Milano. Ëndrra e tij ka qenë kaherë rrëzimi i komunizmit dhe bashkimi i Shqipërisë me vendet e tjera shqipfolëse, një prej tyre ishte dhe vendi i tij i origjinës, Maqedonia.
Është folur se ka pasur një raport konfliktual mes tij dhe Enver Hoxhës. E vërtetë?
Edhe unë kam dëgjuar që ka qenë një marrëdhënie konfliktuale. Di që e njihnin njëri-tjetrin, por shpesh në takime bashkë kanë pasur episode jo fort të këndshme.
Ju ka treguar babai ndonjë të tillë?
Në një takim me një grup të rinjsh, dikush i kishte thënë për Enverin që ai ishte një imoral. Ndërsa im atë i është kundërpërgjigjur, duke i thënë që ishte një amoral, sepse një njeri si ai nuk e njihte aspak moralin. Një herë tjetër, në një mbledhje a takim mes të rinjsh gjirokastritë dhe disa të tjerë nga Ohri dhe Struga, një djalë i ri është ngritur dhe e ka kundërshtuar, duke i bërë kritikë që, duke qenë maqedonas, nuk i takonte të kundërshtonte kaq shumë çështjet kombëtare. Janë zënë keq atë ditë dhe kur kanë dalë jashtë, i ka shkuar dhe i ka thënë tim eti se nuk duhej ta merrte aq seriozisht atë zënkë. Kjo e kishte tërbuar babanë dhe ai ishte shprehur se Enveri ishte njeri që po ta pështyje, thoshte po bie shi. Ka qenë marrëdhënie e acaruar.
Ishte kjo arsyeja e atentatit që iu bë në Milano?
Babanë tim e cilësuan si eksponent dhe e dënuan politikisht. Dy vjet pas arratisjes në 1946-n, njerëz të Sigurimit të Shtetit i dërguan një letër, ku i shkruanin se kudo që të ishte apo të fshihej, ata do ta gjenin dhe do ta hiqnin qafe. Një ditë ishte duke ecur në rrugët e qytetit të Milanos dhe disa të panjohur i afrohen dhe e qëllojnë me armë. Plumbi e godet në këmbë, por falë Zotit nuk i mori jetën.
Ç’ndodhi më pas me nënën tuaj, si u largua ajo drejt Italisë?
Prindërit e mi kishin vetëm një vit të martuar bashkë. Pas largimit të babait, nëna mbeti vetëm me mua, një foshnjë njëmuajshe, dhe e gjithë kjo situatë e bëri të sëmurej rëndë nga mushkëritë. E përjetoi shumë keq ndarjen nga babai. Nuk ishte e lehtë dhe sa vinte, gjendja e saj shëndetësore rëndohej. Vendosi që të kurohej në Itali dhe mamanë e ndihmuan që të pajisej me një pasaportë dy shokë të saj të shkollës dhe miq të dajës, Nako Spiru e Manush Myftiu. Duke qenë se ajo kish studiuar në një kolegj francez në Greqi, aty kish ruajtur miqësinë dhe njohjen e përbashkët me këta dy persona, të cilët e ndihmuan nënën time që të kurohej në Itali. Kështu ajo iku, duke më lënë mua në duart e besuara të dajës sim, Ibrahim Resulit. Mamaja iku, po nuk e dinte ku qëndronte babai, sepse ishte ende kohë lufte. Ashtu e sëmurë shumë dhe me një peng në zemër, që po më linte mua pas me gjyshen dhe me dajon. Unë mbeta i vetmi fëmijë për prindërit e mi, ata nuk lindën më të tjerë. Duke e pasur gjithnjë kokën pas nga unë, e dënuan veten përjetësisht.
Kush do të kujdesej më pas për ju?
Ndonëse nuk u rrita nga prindërit e mi biologjikë, në familjen e dajës m’u dha dashuri pa kushte dhe shumë përkushtim. Mbaj mend që në raste festash gjithnjë më uronin që dashtë Zoti viti që vjen na bashkon familjarisht. Sigurisht, më shumë u dhimbte prindërve të mi ky realitet i hidhur… Ata humbën belbëzimet e mia të para, hapat e parë… gjithçka nga mosha e vogëlisë sime. Fëmijëria ime ka qenë me shumë dashuri dhe vuajtje gjithashtu. Ne banonim në Tiranë. Na hoqën nga Tirana e na çuan në Durrës. Daja im ishte shef llogarie ndër më të mirët, se kishte bërë universitetin në Trieste. Pas Durrësit, na dërguan në Thumanë, një zonë kënetore, që më pas u kthye në toka për t’u punuar. Zyra e dajës sim ishte një kasolle e vërtetë, por ai nuk ankohej, i gëzohej faktit që ishim të gjithë bashkë. Unë nisa të ndiqja shkollën dhe qëndrova për shumë vite në shtëpinë e prindërve të nuses së dajës. Nga shtëpia e tyre më morën ditën e internimit.
Çfarë ndodhi atë ditë?
Atë ditë isha vetëm në shtëpi e dajës dhe vjen një nga njerëzit e Sigurimit. I panjohuri troket në derë, pyet për emrin tim dhe fjala e parë që më thotë ishte se “Isha e internuar në Lushnjë”. Fraza e tij u shoqërua me një habi timen dhe për një moment mendova se mos më kishin ngatërruar me ndonjë person tjetër. Nuk e prisha terezinë në fakt… Më vonë mësova se ata kishin shkuar edhe në Thumanë tek daja. Më kërkuan që të shkoja me ta, por unë hezitova sepse nuk kisha asnjeri në shtëpi. Pashë të mblidheshin shumë njerëz në shtëpi e nisa të qaja, duke kërkuar mamanë. Ky i Sigurimit më dëgjon dhe më thotë që të mos qaj se nga mamaja dhe babai e kisha këtë kusur. Aty e kuptova që nuk kishin ngatërruar person. Më hipën në një furgon dhe më dërguan në Lushnjë. Në Savër të Lushnjës ishte një kamp ku qëndronin të gjithë të internuarit, por në dallim nga unë që isha e vetme, të tjerët ishin të gjithë me familjet e tyre.
Nuk kisha me vete asgjë. Kisha një kushërirë të afërt në Lushnjë, e cila më kishte mbajtur ca kohë kur më iku mamaja. Veipe dhe Nalo Hoxha u kthyen në prindërit e mi për ato dy javë qëndrimi atje. Më pajisën me plaçka trupi, më hipën në një karrocë dhe më zbritën në mes të rrugës pa më shoqëruar asnjëri dhe më kërkuan të shkoja vetëm atje. Kur hyra në kamp, më bënë përshtypje barakat ku qëndronin familjet e internuara, ndërsa për ata që ishin vetëm ekzistonin kazermat, ku mblidheshim të gjithë bashkë. Ishte gjëja më e tmerrshme që më kishin parë sytë ndonjëherë. Më bëri përshtypje gjithçka, njerëz që flinin në grupe, papastërti rrotull…
Sa kohë qëndruat në kamp?
Unë hyra 16 vjeçe dhe dola prej andej në moshën 46-vjeçare. Hyra vajzë e re dhe dola si grua e martuar dhe nënë e tri fëmijëve. Ditët atje ishin të tmerrshme. E kishim me detyrim për të punuar në tokat bujqësore të Lushnjës. Asnjëherë nuk i bëja dot punët e bujqësisë, sepse isha tepër e imët dhe e dobët në trup. Më pas vendosa të vazhdoja shkollën, vitin e tretë të Pedagogjikes që kisha ndërprerë kur më internuan. Shkolla ishte rreth 5 kilometra larg dhe shpeshherë e bëja rrugën bashkë me Sokolin, djalin që qysh në moshën dyvjeçare gjendej në atë kamp bashkë me familjen e tij. Kështu u njohëm të dy…
Kështu nisi edhe lidhja juaj, apo jo?
Duke bërë rrugën për në shkollë bashkë me Sokolin, mundëm që të njiheshim më nga afër me njëri-tjetrin. Lindi ndjenja mes nesh. Isha 20 vjeçe kur u martova, ndërsa Sokoli ishte 21 vjeç. Im shoq ishte internuar për shkak të arratisjes së disa xhaxhallarëve e të afërmve të tij nga vendi. Në atë jetesë të vështirë dhe kushte të tmerrshme, lindën edhe tre fëmijët tanë. Vajza e madhe Vilma, djali Leon dhe e vogla Ledia.
Zhvilluat ceremoni martesore?
Ne dolëm mbi gjithçka. Edhe pse të internuar, ne bëmë një takim familjar. Unë bëra një dasmë të thjeshtë në kamp, u vesha edhe me fustan të bardhë. Ishte kaq emocionuese.
Ndërkaq, kishit krijuar lidhje me prindërit tuaj?
Edhe gjatë kohës që qëndroja tek daja im Ibrahimi, ne shkëmbenim shpesh letra me njëri-tjetrin. Fjalët e tyre ishin vetëm përkëdhelëse, sepse për prindërit unë kisha mbetur ende foshnja që kishin lënë pas. Në fjalët e tyre shquaja dhimbje dhe brengë. Por, më emocionuese se gjithçka do të ishte telefonata e parë me prindërit e mi. Për herë të parë do të dëgjoja zërin e tyre përmes receptorit. Gjatë një letre të shkëmbyer mes nesh, prindërit me kishin dërguar edhe numrin e tyre të telefonit. Pasi isha internuar, ndodhte që një herë në vit të vija me leje në Tiranë dhe atë ditë gjendesha tek shtëpia e xhajës sim. I bie telefonit dhe receptorin e ngre mamaja. Siç duket, ajo e kuptoi dhe sapo dëgjoi zërin tim, i bie të fikët. Nuk folëm dot atë ditë. Ndërsa mua më ndodhi diçka e çuditshme, më iku zëri dhe nuk flisja dot asnjë fjalë. I bëja me dorë xhaxhait që të vinte tek receptori, sepse nuk flisja dot. Pas dy ditësh, pasi kishim mbledhur veten, mundëm të komunikonim. Ata vetëm më përkëdhelnin, për ta isha gjithmonë bebja e vogël.
Si ishte takimi pas 46 vitesh me babanë tuaj?
Nuk gjej fjalë për ta përshkruar. Unë isha 46 vjeçe dhe Mentori 77 vjeç. Në fillim të viteve 90’ ishte periudha kur nisën të pajiseshin të gjithë me pasaporta. Edhe ata që ishin nëpër kampe internimi. Edhe unë bëra tentativën time, por përveç meje të gjithë të tjerët morën pasaporta. Më tha kryetari i Degës që nuk mund të pajisesha me një të tillë, sepse babai im i kishte bërë keq këtij vendi dhe unë isha e dënuar për këtë shkak. Atë ditë lotët e mi nuk pushonin. Vendosa të merrja disa ditë leje për të ardhur në Tiranë tek disa kushërinjtë e mi. Me ndihmën e tyre gjeta dhe bleva dy pasaporta false, një për vete dhe një për djalin, të paktën të kisha një person të familjes me vete. Sokoli dhe dy vajzat qëndruan në Shqipëri. Atë natë fola me babanë në telefon dhe i pohova se me shpresë të Zotit të nesërmen do të isha në Itali.
Si u njohët me njëri-tjetrin, kishin kaluar kaq shumë vite…
Atë ditë hipëm në avion dhe bashkë me djalin qëndronim si të ngrirë, ndërkohë që ishim ngritur në qiell dhe unë ende nuk e kisha kuptuar. Zbritëm në aeroport dhe ajo që më bëri përshtypje, ishte fakti se çuditërisht mes turmës së gjithë atyre njerëzve, më ndriti si me një llampë vetëm portreti i tim eti. Të gjitha fytyrat e tjera m’u errësuan në moment. Kisha përballë vetes njeriun që kisha njohur vetëm përmes fotografisë.
Ishte emocion që të lë pa mend. Të ikësh nga internimi në mes të Italisë dhe u përballa me tim atë. Prita që të hyja në shtëpi e të gjeja edhe mamanë. Por, kur hyra, gjeta vetëm një buqetë të madhe me lule, fotografinë e stampuar të mamasë dhe një letër, “Mirë se erdhe zonja e shtëpisë!”. Vetëm qaja, qaja. Të nesërmën në mëngjes e mbajta frymën në varreza. Nëna kishte ndërruar jetë, dy vjet përpara se unë të takohesha me babanë, në ‘88. U afrova tek dera e varrezave dhe i kërkova tim eti që të mos më shoqëronte tek varri, por të ma tregonte nga larg. Doja të qaja, të shfryhesha e t’i thosha ato që s’i kisha thënë një jetë të tërë. Ditën tjetër, pasi u ambientova, rrija vetëm me babanë. E puthja, e përqafoja dhe i thoja “shyqyr o baba që nuk je dhe ti një fotografi”. Ishte gjithçka më emocionuese se kaq. Do të kalonin shumë ditë të tjera dhe ne vetëm do të çmalleshim… dukej sikur koha nuk na mjaftonte për të shprehur çfarë kishim në zemrat tona. Babai m’u duk njeriu më i dashur në botë…
Ç’ndjesi ju krijojnë sot këto kujtime të trishta? I keni falur “ata” që ju kanë bërë të vuani?
Që të falësh, duhet të kesh zemër. Ndoshta me arsye edhe kam falur, sepse koha bën të vetën, por me zemër kurrë. Si mund të fal unë faktin që, edhe pse një foshnjë bebe, nuk kisha bërë asgjë që të vuaj në jetë kaq shumë. Të ndahem për së gjalli me prindërit, të mos njoh kurrë nënën time e të humb 50 vite të jetës më babanë tim. Im atë kurrë nuk reshti së punuari për idealet e parimet e vendit të tij. Në Itali, ai ishte kryetar i Unionit Islamik. Ishte njeri me botë të madhe, erudit dhe mbi të gjitha zemërgjerë. Vuajtet nuk e mposhtën, ashtu si edhe mua. Të paktën shpresoj që brezat sot të mos harrojnë çfarë kemi hequr për vite me radhë, vetëm për hir të një sistemi të mbrapshtë dhe të një kohe që i penalizonte të gjithë pa dallim moshe, gjinie apo feje. Edhe sot, kur i kujtoj të gjitha këto, ngashërehem në lot, por sërish gjej forcën tek vetja për të jetuar e qetë me tim shoq, fëmijët, nipërit e mbesat e mia.
ERMIRA ISUFAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al