Vdekja mister e Navalnyt/ Reagimi i ashpër i BE, Borrell: Vladimir Putin dhe regjimi i tij do të mbajnë përgjegjësi

Feb 19, 2024 | 18:11
SHPËRNDAJE

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u zotua se presidenti rus, Vladimir Putin, do të mbahet përgjegjës për vdekjen e udhëheqësit rus të opozitës, Alexei Navalny.

Alexei Navalny

Ai i bëri komentet pas një takimi që zhvilloi në Bruksel me të venë e tij, Yulia Navalnaya.

Vdekja e Navalnyt në një burg të Arktikut, javën e kaluar, e tronditi opozitën në mërgim të Rusisë, e cila, ashtu sikurse Perëndimi, drejtoi gishtin e fajit nga Kremlini.

“Ne i shprehëm ngushëllimet më të thella të BE-së Yulia Navalnayas. Vladimir Putin dhe regjimi i tij do të mbajnë përgjegjësi për vdekjen e Alexei Navalnyt”, shkroi Borrell në platformën X.

“Siç e tha edhe Yulia, Putini nuk është Rusi. Rusia nuk është Putin. Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për shoqërinë civile të Rusisë dhe mediat e pavarura”, shtoi ai.

Navalnaya iu drejtua ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel, pasi u zotua se do të vazhdojë luftën e burrit të saj kundër kontrollit të vrazhdë të Putinit mbi Rusinë.

Ministrat e BE-së diskutuan opsionet për t’i shkaktuar kosto të reja Kremlinit, pas vdekjes së Navalnyt.

BE-ja ka vendosur tashmë sanksione ndaj Moskës, përfshirë Putinin, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Por, Borrell tha se pret që shtetet anëtare të BE-së të propozojnë sanksione të reja ndaj atyre që janë drejtpërdrejt përgjegjës për trajtimin e Navalnyt, përfshirë sistemin e burgjeve të Rusisë.

Ai, po ashtu, tha se Brukseli do ta riemërtojë listën e zezë të sanksioneve globale për të drejtat e njeriut sipas Navalnyt. Kremlini mohoi se ka gisht në vdekjen e Navalnyt./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura