Veliaj shkarkon kryetarët e FRESSH të Korçës e Hasit

Jul 7, 2012 | 14:06
SHPËRNDAJE
Erjon Veliaj

Valë të forta reagimesh nga krerët e Forumit Rinor Eurosocialist të shkarkuar nga sekretari për Rininë dhe Emigracionin, Erjon Veliaj. Krerët e zgjedhur në Asamblenë e FRESH të qytetit të Korçës dhe të Hasit, i kanë dërguar dje një letër-ankesë kryesocialistit Edi Rama, kryetarit të Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi dhe kryetares së FRESSH-it, Elisa Spiropali, ku shprehin shqetësim për shkarkimin jo në përputhje me statutin e PS-së nga sekretari i Rinisë. Krerët e forumeve rinore e quajnë si të padrejtë dhe nul shkarkimin nga posti i kryetarit të FRESH-it, që sipas tyre i është komunikuar me një telefonatë nga sekretari i Rinisë Erjon Veliaj dhe i realizuar në mënyrë abuzive. Shkresat janë firmosur nga 12 kryetarët e rrethit të Korçës dhe 11 krerët e FRESSH-it të rrethit të Hasit, të cilët kërkojnë nga kryesocialisti Edi Rama që të mbledhë Kryesinë e Partisë Socialiste për të shqyrtuar këtë çështje. Në kërkesën e të rinjve të shkarkuar nga Erjon Veliaj thuhet se në selinë rozë duhet të mblidhet Komisioni i Garancive Statutore, për të verifikuar vlefshmërinë e procesit të shkarkimit dhe zëvendësimit të krerëve të FRESSH-it nga Veliaj. Ndërkohë që burime nga selia rozë bëjnë të ditur se ditën e hënë do të mblidhet Komisioni i Garancive statutore për të gjykuar rreth shkarkimeve të ndërmarra nga sekretari i Rinisë. Ndërkohë që puna e sekretarit të Rinisë, Veliaj, pritet të analizohet në një mbledhje të Kryesisë së PS-së, e cila ende nuk është përcaktuar me datë të saktë.
Shkarkimet
Kryetari i FRESSH-it nga rrethi i Hasit, Eduard Poga, ka shprehur indinjatën e tij dhe të rinjve të këtij forumi për shkarkimin, që sipas tij është realizuar në mënyrë jolegjitime nga Erjon Veliaj në një lokal të qytetit të Krumës. “Në takimin e parë të Erjon Veliajt, sekretar për Rininë dhe Emigracionin në PS, i cili vjen në rrethin tonë për të prezantuar 6 kandidaturat për kryetar FRESSH-it dhe pa zhvilluar asnjë proces zgjedhor, pa votuar askush, pa pasur asnjë konferencë FRESSH, pa dijeni të asamblesë së FRESSH-it Has dhe pa logjikë juridike, në shkelje të statutit, shkarkon kryetarin legjitim të FRESSH Has, Eduart Poga. Ndërkohë emëron në prezencë të disa personave të vetëshpallur anëtarë të FRESSH-it një person tjetër kryetar të FRESSH-it Has. Këtë veprim e bën në ambientet e një lokali të qytetit Krumë, ky veprim është abuziv e nul, përbën fraksion, dhe aspak demokratik për një forum të tillë të majtë rinor”, shprehet Poga. Nga ana tjetër, kryetari i zgjedhur i FRESSH të rrethit të Korçës, Ylli Ndini, shpreh shqetësim për shkeljen e statutit të PS, ndërkohë që e cilëson vendimin e Veliajt si tentativë për të prishur harmoninë në PS. “Jemi të shqetësuar për këtë situatë, e cila nuk na ndihmon në rrugën e përbashkët që kemi nisur për të fituar zgjedhjet e vitit 2013. Këto ngjarje dëmtojnë rëndë imazhin dhe parimet demokratike te funksionimit të partisë sonë”, thuhet në letrën e FRESH-it të Korçës.

Spiropali u largua nga Asambleja
Kryetarja e FRESSH-it, Elisa Spiropali, ka braktisur mbledhjen e parë të Asamblesë Kombëtare të këtij forumi. Shkak për këtë largim ishte lista e re e përgatitur nga Sekretari për Rininë dhe Emigracionin në PS, për të cilin Spiropali ka kërkuar verifikim. Ajo ka kërkuar që të verifikohet lista e anëtarëve të Asamblesë, ndërkohë që sipas saj, kjo listë është përgatitur nga Erion Veliaj. Në këto kushte, Spiropali ka braktisur mbledhjen bashkë me rreth 20 përkrahës të saj, duke pezulluar për rreth një orë Asamblenë.  Spiropali tha se “Lista ishte bërë nga sekretari i Kryesisë së PS për rininë, Erion Veliaj, ndërsa FRESSH është një forum që vepron në mënyrë të pavarur”.

FRESSH i Kavajës, peticion Ramës
Dy ditë më parë, asambleja e FRESH-it të Kavajës i ka dërguar një letër kryesocialistit Edi Rama dhe kryetarit të Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, me anë të së cilës shpreh shqetësim për shkarkimin e kryetarit të FRESH-it të kësaj dege, Elton Derjajt, nga sekretari i Rinisë në PS, Erion Veliaj. Nëntë kryetarët e rrethit të Kavajës kanë nënshkruar një peticion me anë të të cilit e akuzojnë Erjon Veliajn për presion dhe shkarkim të kryetarit Elton Derjaj në mënyrë abuzive dhe jo në përputhje me statutin. Të rinjtë e Kavajës shprehen të indinjuar nga abuzimi i Veliajt me pushtetin e PS-së, pasi sipas tyre, një shkarkim i tillë i një të zgjedhuri në forume mund të bëhet vetëm nga asambleja e FRESSH-it.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura