Vetting zbulon skemën e importit fitimprurës të vajit të gjembaçit! Si po rrezikohet jeta e shqiptarëve! Eksperti: Vaji ‘indian’ përdoret nga pastiçeritë e fast-foodet

May 16, 2024 | 20:35
SHPËRNDAJE

EMISIONI VETTING

Ku shkon “vaji i panjohur”?

“Vetting” kërkoi të dhëna të tjera nga Doganat për të kuptuar sasitë totale të vajrave vegjetale që janë importuar në Shqipëri. Bie në sy fakti se sasia e vajit të lulediellit të importuar ka qenë e ulët në vitin 2020, 2021 dhe 2022.

Megjithatë zbulohet se pas vitit 2020, sasitë e mëdha të vajit të gjembaçit Indian janë zëvendësuar nga vaji i panjohur me kod specifik 15121990. Është ky vaj, i cili ka mbuluar nevojat për import nga viti 2021 deri në gusht 2023 sipas korrespondencës me Doganat.

c8fb4b5f-6b97-46b7-8e90-26537c83f27e

Por çfarë deklarojnë Doganat për këtë vaj?

Sipas Doganave, janë importuar rreth 65 milionë litra vaj vegjetal, për të cilin informacioni është i kufizuar. Vlera e këtij vaji kap shifrën totale 10.7 miliardë lekë ose rreth 107 milionë euro.

 “Ka produkte, që kanë një kod specifik, të cilat kanë një kod që është unik për produktin, por ka nga ata që kur ka kode të shtuara apo të përgjithësuara. Çdo lloj produkti ka një kod, kudo që tregtohet. Produkte pa kode nuk ka!”- tha profesor Kapllan Sulaj.

Nga të dhënat e siguruara nga Nomenklatura e Mallrave, që jep informacione për kodet specifike sipas llojit të produktit, për këtë kod shkruhet “të tjera”, duke ngritur shumë pikëpyetje për këtë produkt.

a2980ebd-2851-4cdf-995c-d09c64cfd5dd

Sipas profesor Dritan Topit: “Kemi situata të cilat shoqërohen me përzierje, një produkt i sapoekstratuar dhe përzihet me një kontingjent, me një  produkt që ka një kohë më të vjetër dhe mund të ketë dalë jashtë përdorimit si produkt, ka shumë aspekte dhe këtu hyn në atë fushë që quhet çështje të sigurisë ushqimore dhe në momentin që përdorim termin siguri, pastaj duhet të jemi të përgatitur për situata pasigurie, situata ku mund të abuzohet me produktin e me radhë dhe të kemi mundësinë që ta hetojmë, ta zbulojmë nëse kemi shkelje, abuzim apo çdo gjë është brenda parametrave”.

Sipas Doganave, me këtë emërtim gjatë periudhës 2021-2023 është importuar produkti me emërtesën “vaj luledielli”, por tabela e Doganave flet për një sasi të vogël, e cila është e papërfillshme dhe e paqartë.

“Vetting” kontaktoi Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për të marrë informacione për produktin me këtë kod, por AKU-ja refuzoi nën pretekstin se nuk ka kodin doganor për produktet, por emërtimet.

Nga informacionet e siguruara nga nomenklatura doganore e Bashkimit Europian, ky kod ka patur informacione shtesë përsa i përket natyrës së produktit.

Sipas këtyre informacioneve, ky kod me emërtimin parësor “të tjera”, përfshin vaj luledielli dhe vaj gjembaçi të rafinuar.

Pra, duke iu referuar nomenklaturës të Bashkimit Europian, ky vaj mund të ketë në përbërje vaj luledielli dhe vaj gjembaçi.

Por ku bazohemi që ky vaj mund të jetë vaj gjembaçi?

Vet drejtuesi i Qendrës “Alert”, konfirmoi se para dy vjetësh ka denoncuar prezencën e vajit të gjembaçit Indian në Shqipëri. Në lajmin e publikuar në media, vajit të gjembaçit, në dokumentin e publikuar për vitin 2022 i referohej me kod 15121990, pra vajit që mbulon të gjithë furnizimin me vaj për vitin 2021-2023.

PERGJIGJE VAJI GJEMBACI 111

“Mund të përdoret vaji i gjembaçit përveçse në shitje në pakicë, mund të përdoret në industrinë e përpunimit të ëmbëlsirave, të ushqimit e të tjerave, të atyre që ne i marrim të gatshme, apo edhe të paketuara, mund të përdoret nga rrjetet e pastiçerive, mund të përdoret nga rrjetet e fastfood-eve. Ne kemi rrjete fast food-esh, jo thjesht ato rrjetet e fastfoode të vogla të lagjeve, por i shohim masivisht nëpër qendrat tregtare, pra rrjete edhe shumë të njohura, të cilat askush nuk e di se me çfarë vaji punojnë. Nëse në rastin më të mirë nuk punojnë me vaj palme, por janë edhe institucionet ato që …së pari duhet ta garantojnë atë zinxhirin e produktit të sigurt, deklarimin në etiketë çdo përzierje sepse në fund të fundit është i lejuar vaji gjembaçit Italian apo Indian për t’u trajtuar. Çështja është vetëm të deklarohet  në etiketë. Ajo nuk deklarohet në etiketë, shitet si vaj luledielli, ndërkohë përfitimet e përfituesve të tij janë shumë të mëdha sepse është produkt që merret me çmim shumë më të lirë se sa vaji i lulediellit dhe hyn në Doganë po si vaj luledielli, pa taksë doganore”- deklaron Granit Sokolaj.

Dekani i fakultetit të biocenologjisë në Kamëz, Profesor. Doktor. Kapllan Sulaj deklaroi se UBT po përgatit laboratorin e parë të certifikuar në Shqipëri për analizat e vajrave, i cili është një domosdoshmëri me situatën aktuale të sigurisë ushqimore.

 “Gjetja e falsifikimeve të vajit është një moment jo i thjeshtë sepse kërkon pajisje dhe kërkon njerëz të kualifikuar, por ka ardhur koha që ne duhet të marrim masa të tilla dhe duhet që të ngremë kapacitete të tilla analitike për t’i dhënë fund ose për të frenuar të gjithë falsifikimet dhe manipulimet që mund të bëhet me lloje të ndryshme, me parti të ndryshme me vajra, të cilat mund të vijnë të hyjnë në vendin tonë dhe mund të përzihen në receptura të ndryshme.”- shprehet Kapllan Sulaj.

Ligji nuk e ndalon përzierjen e vajrave, por mungesa e evidentimit të vajit në etiketat e produktit jo vetëm që është shkelje, por cenon seriozisht jetën e njeriut.

Sipas Dritan Topit: “Çdo njeri duhet të dijë çfarë konsumon, çfarë ha. Prodhuesi e ka detyrim ligjor të japë informacion ligjor lidhur me përmbajtjen, tregtuesi, importuesi e ka detyrim ligjor lidhur me përmbajtjen e produktit. Pse dua ta nënvizojë këtë fakt? Nuk ka të bëjë me vetëm me çështjet e sigurisë ushqimore atë që sapo nënvizova me herët, pra rrezikshmëria e pranisë së disa substancave të themi toksike të dëmshme.

Por mjafton të përmendim rastin këtu që në popullata, një përqindje edhe pse të ulët kemi individë të cilët janë alergjikë n.q.s konsumojnë produkte të caktuara. Dhe n.q.s në etiketë nuk është e specifikuar, mban këtë substancë, ai personi nëse e konsumon, jeta e tij është në rrezik”.

Pra, AKU-ja nuk e di se çfarë vaji ka hyrë në Shqipëri me këtë kod, ndërsa Doganat japin disa informacione, të cilat në vetvete nuk specifikojnë saktësisht llojin e vajit. Pra, shqiptarët nuk e dinë se çfarë vaji po konsumojnë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit

Sipas progres raportit të vitit 2023, Shqipëria ka ende probleme në sektorin e sigurisë ushqimore.  “Ajo që vihet re është fakti që ato që janë të shkruara nuk zbatohen 100% ashtu siç janë shkruar. Akoma kemi mangësi, jo vetëm në plotësimin e spektrit ligjor të tyre, por edhe zbatimit.”- shprehet per Vetting, Dekani i Fakultetit të Biocenologjisë në Kamzë, Profesor. Doktor. Kapllan Sulaj.

Por, në fakt, nuk janë vetëm deklaratat e ekspertëve ushqimorë ato që zbulojnë mangësi në zbatimin e ligjit nga AKU-ja, por edhe progres raporti  i vitit 2023 nga BE.

Në raport theksohet se Shqipëria duhet plotësojë nevojat për staf, të cilat evidentojnë në kohë rreziqet ushqimore dhe sigurojnë që të dhënat kombëtare të jenë transparente.

BE shprehet se pavarësisht krijimit të Panelit Shkencor në Qershor 2022 dhe shkurt 2023, rezultatet e punës së tij nuk janë ende publike, duke konfirmuar problemet e AKU-së me transparencën.

Një nga problemet që evidentohet në progres raport është edhe testimi i qumështit të papërpunuar, ku rekomandohet që të sigurohen direktiva për përmirësimin e cilësisë së qumështit. Por këto raporte të BE-së nuk janë të vetmet që kanë rezerva për punën e AKU-së. Kontrolli i Lartë i Shtetit vazhdimisht ka evidentuar problematika të ndryshme, që lidhen me sigurinë ushqimore.

Në raportin e fundit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është audituar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për vitin 2022 dhe 2023. Sipas qendrës “Alert”, raporti paraprak i Kontrollit të Lartë të Shtetit i është dërguar AKU-së në tetor 2023 dhe mbi gjetjet e tij, çdo sektor duhet të bënte observacionet e tij për rastet e konstatimit të shkeljeve, të cilat në raportin paraprak zbulojnë situatën me abuzimet e sigurisë ushqimore.

Nga rekomandimet e vendosura për AKU, zbulohet se ka patur problematika me analizat që merren nga produkte të ndryshme.

Audituesit theksojnë se nga procesi që ndjekin inspektorët në terren u konstatua se, rekordi i inspektimit mbyllet me gjenerimin e procesverbalit përfundimtar edhe në rastet kur në subjekt është marrë një mostër dhe përgjigja e saj kërkon një afat që është përcaktuar në aktet ligjore.

Në rastet kur analiza mund të rezultojë me ngarkesë bakteriale apo mikrobiologjike, në sistem krijohet një autorizim i ri duke humbur kështu gjurmën me rekordin e inspektimit që ndodhet në sistem regjistruar nga inspektorët të cilët kanë kërkuar kryerjen e një analize laboratorike.

Në raportin e KLSH thuhet se: “Mbyllja e rekordeve kryhet në të gjitha rastet, nisur nga fakti se përgjigjet laboratorike nuk kthehen brenda afateve, dhe masat e marra në vazhdimësi të këtij inspektimi të kryer janë në kundërshtim me aktet ligjore, duke detyruar kështu krijimin e një tjetër inspektimi, por këtë herë bazuar në rezultatin e mostrës. Vonesa e përgjigjes së laboratorëve vë në rrezik konsumatorët, por njëkohësisht arritjen e objektivave të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit”.

Në raport evidentohen të njëjta të dhëna për të gjithë inspektorët, ku shumica nuk kanë gjuhë të huaj si aftësi dhe kodet e identifikimit në sistem janë shumë thjeshta për thyer nga jashtë.

Në sistemin e AKU-së evidentohet se persona që janë larguar nga sistemi rezultojnë aktiv në sistem dhe rasti më flagrant është kur profili i punonjësit nuk përputhet me pozicionin e punës.

Sipas Abdyl Sinanit: “Zbatimi i rregullit, sidomos përgatitja e specialistëve. Ata duhet të jenë të ndërgjegjshëm në punën dhe që të jenë të ndërgjegjshëm duhet të mbajnë përgjegjësi për zanatin e tyre.

Se n.q.s i ngatërrove zanatin një agronomi, ai bën punën e veterinerit dhe veterineri po bën teknologun, atëherë asnjëri nuk është i saktë. Se që të bëhesh teknolog ushqimor, janë 6 Kimi, Kimia e përgjithshme, Kimia organike, Kimia inorganike, Kimi fizike, Kimi koloidale, Kimi inxhinierike.

Janë gjithë këto. Nuk bëhet siç ka thënë ai, ka mësuar një llaf dhe përsërit ato llafet. Që të flasësh për këtë punë, duhet të kesh njohuri shumë të thella, prandaj them unë gjithmonë, specialistin duhet ta vëmë në vendin e tij dhe ai të përgjigjet deri në fund”.

Sipas ekspertëve, problemet që ka Autoriteti Kombëtar i Ushqimit lidhen me mënyrën se si është përdorur ky institucion nga politika.

“Ajo që vë re në autoritet janë lëvizje të ndryshme që kanë pësuar persona të ndryshëm, të cilët kanë qenë të kualifikuar dhe për shkak të reformave që janë marrë, por edhe për shkak të ndërhyrjeve që ka bërë politika, duke bërë që të cenohet puna e autoritetit kombëtar të ushqimit.”- thekson Dekani Kapllan Sulaj.

Nga ana tjetër eksperti Granit Sokolaj thekson se: “Është për të ardhur keq që një institucion, I një rëndësie kaq të madhe për shëndetin e publikut dhe të konsumatorëve është akoma një ent publik që shërben si tortë politike për të bërë qoka të atyre që kanë shërbyer më mirë. Qoftë për të ndarë partitë, apo për t’iu dhuruar postet.”

Ndërkohë, në vitin 2020, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit doli nga shërbimi civil, duke funksionuar me kod pune. Kjo e ka bërë më të ekspozuar këtë institucion ndaj lëvizjeve politike, që më pas kanë pasoja në cilësinë e ushqimeve që konsumojnë shqiptarët.

Sipas Granit Sokolajt: “Do të thotë që edhe njerëzit ata mund të lëvizen sa herë të duan, mund  të hiqen, fitojnë gjyqin, marrin disa paga dhe vetëm aq. Dhe pastaj zëvendësohen me njerëz të tjerë, në shumë raste të paaftë, në shumë raste të korruptuar, në shumë raste janë ata “zarët” në thonjëza që Drejtori i Përgjithshëm, përdoren ose shkojnë atje ku ka nevojë Drejtori i Përgjithshëm apo Drejtorët e Drejtorive Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Dhe jemi në këtë situatë ku jemi sot”.

Siguria ushqimore ka impakt të drejtpërdrejtë te shëndeti i njeriut dhe kushtëzon jetën  e tij. Sipas raportit të publikuar nga Organizata Botërore e Ushqimit, çdo njeriu që jeton në Shqipëri i duhet të shpenzojë 440 lekë në ditë ose 4.4 dollarë vetëm për ushqim për të plotësuar nevojat e një diete normale.

Vlera e kësaj kostoje, e cila është për vitin 2021, rezulton me vlerën më të lartë në Europë dhe në Rajon. Bie në sy fakti se në renditjen mes 163 vendeve, Shqipëria gjendet e 28 për kostot e larta të dietës ushqimore.

Ky indeks i kostos së dietës ushqimore është nxjerrë nga databaza e të dhënave të FAO-s dhe në vendin tonë rezulton më e larta, për shkak të faktit se vendi ynë ka një ndër pagat më të ulëtat në Europë dhe pothuajse 30% më të ulëta se Rajoni. Ndërkohë që, çmimet janë të larta dhe madje për disa produkte, edhe më të larta se vendet e Bashkimit Europian.

Sipas dietologëve, mbas viteve 2010, studime të cilat kanë qenë 20-30 vjeçare, të iniciuara nga kompani të ndryshme farmaceutike, kanë zbuluar që epigjenetika është një sektor që ndryshon edhe gjenet tona.

Dietologia Matina Çobo shprehet se; “Ne lindim me një material gjenetik, e cila thotë “Po, ti ke predispozitë për kancer, ti jo nuk ke”. Në rast se ti ndikon te ushqyerja jote, kjo është epigjenetika.  Mënyra se si ndikojmë ne te gjenet tona përmes ushqyerjes, ke gjasa që këto gjene që mund të jenë pro kancerogjene, t’i lësh gjithë jetën në fjetje, pra mos ti aktivizosh, ose duke u ushqyer keq, ti ke gjasa ti aktivizosh shumë herë, prandaj sot është rikthyer e gjithë vëmendja e mjekësisë, e industrisë farmaceutike, e industrisë ushqimore drejt një ushqyerje sa më të shëndetshme”.

Në Rajon, pas Shqipërisë kostot më të larta dietës ditore për ushqim i ka Serbia me 4.3 USD për person në ditë, e ndjekur nga Bosnja me 4.1 USD në ditë, Mali i Zi me 3.7 USD në ditë dhe Maqedonia e Veriut me 3.6 USD në ditë.

Në përgjithësi, kostot e larta të dietës ushqimore i kanë vende e varfra dhe vendet në zhvillim.

Sipas prof Dritan Topit: “Për konsumatorët mjafton të themi që kur ata bëjnë analizat në laboratoret biokimike, aty ata bëjnë analizën e yndyrnave dhe aty kuptohen yndyrnat e mira dhe yndyrnat e këqija se si e kanë nivelin e tyre. Dhe gjithmonë u kërkohet të konsumojnë produkte, të cilat të rrisin nivelin e yndyrnave të mira, ato që quhen kuadrile.”.

Studimet kanë treguar se cilësia e vajrave të gatimit ka impakt të drejtpërdrejtë te sëmundjet e zemrës ose qarkullimit të gjakut.

Vetëm duke analizuar të dhënat nga INSTAT për shkaqet e vdekjeve zbulohet se kemi rritje të numrit të vdekjeve nga sëmundjet që lidhen me qarkullimin e gjakut. Konkretisht, nga viti 2018 deri në vitin 2021 është rritur me rreth 30 % më shumë numri i vdekjeve ose 168 më shumë vdekje në vit nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut.

ss

Sipas raportit të Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO), rreth 16% e popullsisë në Shqipëri ose 400 mijë banorë nuk kanë mundësi të përballojnë kostot e një diete të shëndetshme.

FOTO INSTAT 2021

LEXO EDHE: 

Vetting zbulon shifrat: 34 milionë tonë litra vaj gjembaçi të importuar në 1 vit! Kush po pasurohet në kurriz të shqiptareve duke mashtruar me vajin e lulediellit!

Vetting zbulon skemën e importit fitimprurës të vajit të gjembaçit! Si po rrezikohet jeta e shqiptarëve! Eksperti: Vaji ‘indian’ përdoret nga pastiçeritë e fast-foodet

Vetting/ Vaji i lulediellit i përzier me “gjembaçin” Indian?! Ekspertët ngrenë alarmin për shtimin e sëmundjeve! Me çfarë po gatuajnë shqiptarët?

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura