‘Videoja’, Sejdini: Shantazh i opozitës. Balla: Turku s’e ka mirë me çimkat. Meta: Distancohem nga ky komunikim

Jun 16, 2015 | 17:01
SHPËRNDAJE

Pas bisedës së filmuar ku shfaqet kreu i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, në garë për një tjetër mandat, duke ushtruar presion ndaj korrespondentëve dhe gazetarëve të mediave lokale, nuk kanë munguar reagimet.

Qazim Sejdini

Deputeti i PS-së, Taulant Balla ka qenë ndër të parët që ka reaguar me një postim në Facebook, duke e quajtur këtë një lojë cimkash.

“Kandidati i SHQUP-it ne Elbasan Ardian Turku bie ne kurthin e videove. Megjithatë ne do të respektojmë etikën, sepse fushata zgjedhore ka nevojë për krahasimin e programeve dhe të projekteve për të ardhmen. Ardiani e di mire se me cimkat dhe videot nuk ka marrëdhënie të mira”- shkruan deputeti socialist.

Ndërkohë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, pyetur gjatë intervistës së dhënë në “Opionin” për gazetarin Blendi Fevziu ka thënë se distancohet nga kjo mënyrë e të komunikuarit.

“Nëse kjo është në këtë mënyrë siç është paraqitur, unë distancohem plotësisht jo vetëm nga kjo mënyrë komunikimi, por edhe nga ky raport, qoftë me mediat, qoftë me qytetarët. Dhe shpresoj që zotëria të reflektojë dhe të kërkojë falje”- ka thënë Meta. 

Vete Sejdini në një reagim për mediat e ka quajtur shantazh të opozitës në prag zgjedhjesh gjithë këtë. Sejdini nuk mohon biseden informale, por sakteson se ajo është zhvilluar një vit më pare dhe në materialin e publikuar është krejt e nxjerrë jashtë kontekstit.

“Biseda e sinqertë dhe informale është zhvilluar në një nga takimet e mia me gazetarët vitin e kaluar, përpara se të fillonim takimin zyrtar.  Kam shkëmbyer mendime dhe kam dëgjuar shqetësimet e gazetarëve gjatë atij takimi, dhe më vjen keq, që, pasi i dëgjova shqetësimet e tyre, ajo copëz bisedë konstatimi po shfrytëzohet politikisht dhe ka dalë nga konteksti real i deklaruar në atë takim i vitit të kaluar”- thote ai.  

Sejdini sqaron me tej se “Asnjëherë dhe në asnjë rast, nuk kam pasur nevojë të “shantazhojë” ndonjë gazetar, apo botues e pronar mediash, për të emëruar apo shkarkuar ndonjë prej tyre, pasi në tetë vite drejtim në Bashkinë e Elbasanit, kam krijuar me ta, një raport të shkëlqyer komunikimi e bashkëpunimi”. 

 

***
Videoja është publikuar nga “ABC News”, teksa kreu i Bashkisë gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët u ka dhënë atyre disa porosi për të mos e goditur me shkrimet apo komentet e tyre, pasi në këtë mënyrë do të cenonin interesat e pronarëve.

Videoja e publikuar është e gjatë 1 minutë e 12 sekonda dhe bie në sy se është përpunuar me shkëputje, duke përmbledhur mesazhin e kryebashkiakut.

Sejdini ka thënë gjatë diskutimit “off records” se mes pronarëve të medias dhe pushtetit ka lidhje të ngushta dhe, për këtë arsye, e gjithë kjo përplasje do të bjerë mbi gazetarët.

“Pronari me pushtetin është i lidhur pazgjidhshmërisht, s’ka ku ta çojë topin. Në kohën që i prishni interesat pronarit, rruga e parë është të bjerë mbi ju, të bjerë mbi ju. Kështu që e doni, a s’e doni atë që keni përballë, jeni të detyruar të ndiqni interesat e pronarit. Ai është e detyruar t’ju përzejë juve dhe të mbyllë televizionin”, ka thënë Sejdini në videon e publikuar.

TRANSKRIPTIMI I BISEDËS

QAZIM SEJDINI:
Para se t’i jap i këshu, vetëm i gja duhet të keni parasysh që ju harroni që jeni në punë, nji. Dhe ju harroni,
me gojën tuj, me kameran tuj, i prishni interesat pronarit. Pronari me pushtetin është i lidhur pazgjidhshmërisht, s’ka ku ta çojë topin…

 Në kohën që i prishni interesat pronarit, rruga e parë është të bjeri mbi ju, të bjerë mbi ju…

Kështu që e doni, a s’e doni atë që keni përballë, jeni të detyruar të ndiqni interesat e pronarit.

Ai është e detyruar t’ju përzejë juve dhe të mbylli televizionin (qesh)…

Jo unë, por kushdo që të jetë këtu kryetar Bashkie, e ka lidhje pune, s’ka ku ta çojë topin.

Sado që të jetë dhe kushdo që të jetë, s’ka ku ta çojë topin, e ka të lidhme punën.

Kështu që kështu janë këto punë, edhe ajo zonja vogël, ça është kjo që ka dalë ime. Atë e pata paralajmëru
atë që përpara, mos ere ti çun, mos, mos, mos, mos, iku dhe është pa punë.

Ajo s’kupton vetëm një gja se si gjithë televizionet janë jashtë…(ndërpritet videoja).

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura