VIDEO/ Ndezën flakën në pronat e tyre, por rrezikuan banesat, vihen në pranga dy persona! Balla: Zjarrvënia e qëllimshme, krim i rëndë! Dënohet deri në 15 vite burgim

Jul 26, 2024 | 11:03
SHPËRNDAJE

Dy persona janë arrestuar në Golem dhe Rrogozhinë, pasi akuzohen për zjarrvënie të qëllimshme, e cila ka rrezikuar dhe banesat përreth.

Policia bën me dije se në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale B. H., 60 vjeç dhe Z. S., 58 vjeç.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar dhe ministri Taulant Balla, i cili ka theksuar se zjarrvënia e qëllimshme është një krim i rëndë dhe dënohet deri në 15 vite burgim.

“Policia e Shtetit ka arrestuar në flagrancë autorët e zjarrvënieve dje në Kavajë dhe Rrogozhinë. Dua të rikujtoj se zjarrvënia e qëllimshme është një krim i rëndë dhe dënohet deri në 15 vite burgim. Policia dhe strukturat e tjera vartëse të saj, do të kenë tolerancë zero në këtë drejtim. Gjithashtu i bëjmë një apel të gjithë qytetarëve, që të sinjalizojnë Policinë e Shtetit dhe Shërbimin Zjarrfikës, për të identifikuar autorët dhe për të ndihmuar në eliminimin e rrezikut që në momentet e para”, shprehet ministri.

Njoftimi i policisë

Golem dhe Rrogozhinë/Policia identifikon dhe vë në pranga dy autorë të dyshuar të zjarrvënieve mesditën e djeshme.

Si pasojë e zjarreve u rrezikuan banesa, si dhe u dogjën parcela të mbjella me ullinj e pemë të tjera frutore dhe sipërfaqe pyjore, në fshatrat Zigxhafaj dhe Sineballaj.

Ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve dhe shërbimeve të Forcës së Sigurisë Kombëtare, të asistuar nga një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes, mundësoi neutralizimin e flakëve dhe shpëtimin e banesave.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale të menjëhershme, të kryera nga shërbimet e Policisë me qëllim përcaktimin e autorësisë së 2 rasteve të zjarrvënies në fshatrat Zigxhafaj dhe Sineballaj, të ndodhura mesditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:

-B. H., 60 vjeç, banues në fshatin Zigxhafaj, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e tij, për të djegur mbeturina, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë rrezikuar banesa në zonë, janë djegur sipërfaqe toke të mbjella me ullinj dhe pemë frutore, si dhe janë djegur sipërfaqe pyjore;

-Z. S., 58 vjeç, banues në fshatin Sineballaj, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e tij, për të djegur mbeturina, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke e mbjellë me ullinj.

Neutralizimi i flakëve dhe shpëtimi i banesave janë bërë të mundur si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve zjarrfikëse dhe atyre të Forcës së Sigurisë Kombëtare, me asistimin e një helikopteri të Ministrisë së Mbrojtjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Policia e Shtetit apelon sërish për qytetarët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarr, pasi reagimi i Policisë për arrestimin e autorëve do të jetë i menjëhershëm, konform parashikimeve të Kodit Penal për këtë krim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura