Visar Zhiti rrëfen ditët e internimit: Sigurimsi që donte të më rekrutonte, si më mbrojti Edi Rama! Ai vinte te unë mbrëmjeve vonë, i lexoja poezitë e fshehta

Nov 30, 2021 | 20:01
SHPËRNDAJE

Visar Zhiti-Edi-RAma-vinte-vone“Ndiej nevojën e një rrëfimi, si në kishë, i gjunjëzuar para ikonës… së tim biri. Ai nuk do të më përgjigjet, e ka të pamundur tani… ah! Dhe e di, radhën do ta kishin çështje të tjera… që më therin shpirtin, por nuk do të hapja dot gojë, më ka ngrirë. Atëherë ky rrëfim do të jetë arsye për të folur, ndërkaq plotësoj edhe njërën nga porositë. Poeti sipas Atjonit. Mbase këtu duhet të mbetem”.

Atjoni, ajo flakëz gëzimi e fikur para kohe do të mbetet përjetë i ndezur në shpirtin e prindërve, e të atit Visarit, që Zoti i ka dhënë të vetmin ngushëllim, të shkruarit. Janë qindra përse që ia tha dhe nuk ia tha dot të birit e që, në njëfarë mënyre, sot duhet t’i thotë. “Si na erdhi ai, i ndaluari…” është libri i radhës i Visar Zhitit, botuar nga shtëpia botuese “OMSCA 1”. Një libër në formën e një rrëfimi, ku ndërthuren kujtime nga e shkuara, nga ato vite ferri dhe e tashmja. “Shkas dhe protagonistë janë poeti rus Evgeni Jevtushenko bashkë me një student shqiptar me emrin Atjon, biri i autorit.

Nëpërmjet kësaj trinie përmblidhen këtu një sprovë e thukët, shoqëruar me brilante nga krijimtaria e Jevtushenkos, si dhe një përshkrim udhëtimi në vendin e tij me frymëzime nga andej, të përziera si rrallëherë në një libër. Ky takim dritëhijesh, që vazhdojnë dhe në të përtejmen, përbën një përsiatje për të kuptuar më mirë veten si një e vërtetë dramatikisht e bukur”, njofton botuesi për librin e ri të Zhitit. Diktatura, letërsia, prapaskenat politike, miqtë dhe “armiqtë” mbushin vizitën e “të ndaluarit”, Jevtushenkos, në Shqipëri.

Në morinë e rrëfimeve dhe mendimeve të Zhitit për sa më sipër, po shkëpusim disa faqe mbi raportin e Enver Hoxhës me artin dhe letërsinë, si e përdorte për qëllimet e veta, vizitën e Jevtushenkos në Tiranë dhe natën në vilën e ish-kryeministrit të vetëvrarë. Në rrjedhën e rrëfimeve, Zhiti shkëput edhe dy momente që e kanë lidhur me Edi Ramën artist dhe kryeministër; dikur në Lushnjë, kur Visari punonte në një fabrikë tullash dhe në kohën kur diskutohej emërimi i tij si ambasador i Shqipërisë në Vatikan.

VISAR ZHITI

DIKTATORI ENVER HOXHA A KISHTE TË PËRKËDHELURIT E VET?
Thjesht si në një bisedë, jo si në konferencë, do të thosha se ai ishte tejet i vëmendshëm ndaj letërsisë dhe arteve, i ndiqte dhe u printe atyre, i mbështeste dhe i pengonte, zbulonte prirje, arritje dhe armiq, vlerësonte dhe zhvlerësonte vepra dhe autorë, paguante shkrimtarë e artistë profesionistë dhe dënonte të tillë, ndonjëherë të njëjtë, të gjallë e të vdekur, fuste burgjeve, rroposte ç’nuk pëlqente, deri edhe lexues etj., bënte pjesëmarrësin, herë si kritik arti dhe herë si autor, shkruante dhe vetë, kujtimet, p.sh., që në çdo ribotim kishin ndryshime, se ndonjë nga personazhet e mëparshme, bashkëluftëtar a bashkëpunëtor, ministër, kryeministër etj., mund të kishte tradhtuar e ishte flakur në burg a ishte pushkatuar dhe fytyra e tij nxihej në fotot në grup që ilustronin librin, emri ose hiqej ose shahej mizorisht.

Diktatori shkonte në teatër, vizitonte ekspozita dhe studio, takonte shkrimtarë e artistë, kishte marrë pjesë në mbledhjet e tyre, kongreset, jepte direktiva, krijonte përçarje dhe mbante anën e një grupi, sipas interesit, herë të më të rinjve, kur dhe vetë ishte më i ri, dhe herë të konservatorëve, fanatikëve, kur po plakej dhe ishte bërë i gjithëpushtetshëm etj., etj., dhe vazhdimisht theksonte që shkrimtarët dhe artistët janë të Partisë, ajo i rriti dhe i edukoi dhe veprat e tyre i shërbejnë çështjes, kauzës, socializmit etj.,

Shkrimtarët e socrealizmit ishin mjeshtër të të pavërtetave, ata përshtatnin veprat e letërsisë sovjetike, legjendarizonin, p.sh., Luftën Nacionalçlirimtare të partizanëve, sidomos udhëheqjen e saj, komandantin, ndërkaq me epopenë e Ballit Kombëtar bënin të kundërtën, e përtallën, kolektivizimet trajtoheshin si në letërsinë sovjetike, po kështu mashtruan me armiqtë e brendshëm; ashtu siç i sajonte ata partia, që i pushkatonte pa faj, edhe letërsia e socrealizmit sabotonte të vërtetën, duke bërë kështu “Kënetën” malarike letrare, lufta jashtë kundër revizionizmit modern nuk ishte dhe aq parimore, por përpjekje e dhunshme për të ruajtur sundimin brenda.

Tabloja e mbledhjes së 81 partive në Moskë, duke karikaturizuar liberalin Hrushov me bashkëpunëtorët dhe duke bërë epikë Enver Hoxhën me shokë, ishte propagandë acaruese dhe, kur Enveri i hiqte dhe i pushkatonte ca nga ata shokët, si p.sh. kryeministrin, ministrin e mbrojtjes etj., edhe autorët i hiqnin nga tabloja artistike, duke derdhur mbi portretet e tyre sërish bojë mashtrimi. Plagjiaturat vazhdojnë, shkrimtarët me emër besojnë se u takojnë atyre gjetjet dhe vlerat, sidomos kur vijnë nga të dënuarit, sepse sipas mendësisë e praktikave të dikurshme, atyre u merreshin pasuritë, floriri, koha, mënyra e jetesës etj. Në vend që të njiheshin si prurje të tyre e të përuroheshin si të tilla, heshtet skuthshëm. Përgjithësisht shkrimtarët e socrealizmit nuk shquheshin për dashuri ndaj njëri-tjetrit ose që të kenë përkrahur më të rinjtë, kolektivitetin anonim – po, pra askënd.

 

EdI RAma i ri

Edi Rama

DY BËRTITJE TË EDI RAMËS DHE E TRETA, IMJA, E HESHTUR… …

Të të tregoj për një bërtitje të Edi Ramës për mua, e kam futur dhe te libri “Ferri i çarë”. Sapo isha liruar nga burgu dhe punoja si skllav në fabrikën e tullave në Lushnjë, ishte ende diktaturë… të paktë ishin ata që guxonin të rrinin me mua e më të paktë ata që më vinin në shtëpi… Edi më vinte… mbrëmjeve vonë… lexoja poezi të miat, nga të fshehtat, dhe Mondi thotë se e ka parë të përlotej… Në këtë kohë, Edi bënte një afresk në murin e muzeut të qytetit, si Pikaso, thoshin, moderniste. Ata të partisë, veteranët, kërkonin të shembej muri, ka sjellë liberalizëm, atje në Tiranë, ku është pedagog në arte, le të bëjë si të dojë ai, po jo këtu, apo u bën qejfin të internuarve, nejse, pikërisht në këtë kohë, Sigurimi i Shtetit prapë më ishte qepur keqas dhe donte të më bënte bashkëpunëtor.

Metoda sovjetike, staliniste, tortura psikologjike, kërcënime, s’e di a kishte ndonjë poezi me këtë temë Jevtushenkoja. Unë nuk po pranoja vendosmërisht. Dhe një paradite, teksa po pinim kafe andej nga “Blerimi”, Bujari, Mondi, Edi, Ladi, më kishin marrë dhe mua, “me biografi të keqe, armikun”, isha ndërresa e dytë, pasdite duhej të shkoja në fabrikë, kur u shfaq operativi i Sigurimit të Shtetit, ai që më përndiqte, u ul diku përballë, që ta shikoja dhe të më shikonte, ngultas si në filmat sovjetikë, sikur donte të më hakërrehej: eeej, e njeh veten ti, i porsadalë nga burgu, me kë rri, ç’do këtu?… dhe u ngrita rrëmbimthi, ika befas nga bari. Ç’pati? – kishte pyetur Edi, më tregon më pas. Shiko andej, i treguan operativin. Dhe ai, i gjatë sa dukej sikur shmangeshin shandanët e rinj për t’i hapur rrugë, dhe gjithë nerva, i bërtiti operativit: ç’do këtu ti që tremb njerëzit, kush je ti që s’i lë të pinë as një kafe të qetë?…

Vonë, tani afër, do të më jepej rasti të bisedoja me Edi Ramën për Shën-Peterburgun, ku ai kishte qenë për një vizitë me familjen e tij, kërkonin një grua, një lidhje e hershme… dhe kishte mbetur i mahnitur nga “Venecia e Veriut”. Çfarë qyteti, më tha, sa art, sa shije, sa poezi ka ai vend… Edhe Moska… Isha përzishëm, ndërkaq arrija të ndiqja rrëfimin e tij, po më fliste si mik, si dikur, nuk më shikonte, teksa lëkundej mbi poltronën kryeministrore, vazhdonte të vizatonte, sigurisht mbi ndonjë shkresë, shkëmbente ngjyrat, edhe tonin në të folur, ishte dhe s’ishte aty, skica po përplotësohej, mbase ishte gati tani për të shkuar pas të tjerave në ndonjë ekspozitë në Berlin a Firence, ndërsa në gazetat e huaja dilnin titujt… vizatimet e një Kryeministri… dhe m’u nëpërmend, s’di se si, se pikërisht ai për mua kishte bërtitur prapë.

Bërtitja e dytë është e madhe, sublime dhe historike, do të thosha, e tanishme, e kësaj kohe, e bërë publike dhe në media. Edi Kryeministër i bërtet Presidentit të Republikës, Nishanit, jo përballë si me operativin, por në telefon dhe përsëri për mua, ngaqë donte të më emëronte ambasador në Vatikan, do të zgjatem pak këtu, se është një çështje që s’ka mbaruar ende, mjaft e përfolur dhe në media, s’ka “Jevtushenko”, por burokraci të së keqes së trashëgimtarëve të trashëgimtarit të Stalinit e ai, presidenti enverist, mashtrueshëm nuk donte të shkoja në Vatikan dhe sa herë shpjegonte në media, po aq herë ndryshonte shkakun e po në media ia përplasnin në fytyrë se ishin interesa klanorë, ordinerë, ku ai ishte i kapur.

Dhe Edi po i bërtiste paq: “Po e persekuton prapë, tiiii…, e telefoni sa nuk çahej, i krahut tënd është, pse s’e dekreton”. “Nuk kam krahë unë”, kishte thënë Presidenti dhe pastaj do të ankohej në një nga televizionet e njohura: “Më bërtiti Kryeministri, dukej që ende nuk i kishte ikur tromaksja.” Ngjante me një bolshevik filmash, oficer i mbetur i “Aurorë”-s që ia kishte marrë era kapelën… Dhe shkova se shkova në Vatikan, atje ku Atjoni im kishte dashur me kohë. Grupi Parlamentar i marrëdhënieve me jashtë e mbështeti njëzëri, e majta dhe e djathta, propozimin që unë të isha ambasador në Vatikan. Dhe shoqatat e ish-të persekutuarve i shkruan letër Presidentit. Dhe intelektualë, edhe kryetari i Parlamentit, edhe poeti Dritëro Agolli etj., më mbështetnin. Pati artikuj dhe në ndonjë gazetë italiane.

Bashkëpunimi im, i ambasadës me Vatikanin, ishte i mrekullueshëm, u shtri dhe në marrëdhënie miqësore e ato shpirtërore, jo vetëm diplomatike. Në ambasadë, e them me keqardhje, gjeta një si personazhi i Kafkës, veçse metamorfoza kishte ndodhur në të kundërt, insekti i stërmadh qe shndërruar në diplomat. Ja, shkaku i së gjithës, ajo u duhej aty, një djall e di se për ç’interesa, puna e tyre. Për atë bëhej lufta, neurozat e saj shndërroheshin në çmenduri presidenciale. Që të largohej djalli nga ambasada, at Andrea David bëri lutjen e Shën Mikelit dhe i bekoi mjediset. Ndenjëm ca kohë në paqe. Ndërsa unë doja t’i përgjigjesha Presidentit, sa pa ikur ai nga detyra, gati e kisha një poezi-grotesk…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura