VIZITA E ERDOGAN NË TIRANË/ VOA: Ajo që bie në sy, anashkalimi i protokollit duke mos takuar Presidentin Meta. Ja komenti i zëdhënësit të Qeverisë

Jan 17, 2022 | 16:07
SHPËRNDAJE

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan nisi sot një vizitë në Shqipëri, me një agjendë të ngjeshur, e cila përfshin që nga përurimi i veprave të financuara nga qeveria turke, deri te nënshkrimi i marrëveshjeve të përbashkëta, duke u mbyllur me një fjalim, që presidenti turk do të mbajë pasdite në parlamentin shqiptar.

Zoti Erdogan u prit në aeroportin “Nënë Tereza” me nderimet më të larta nga kryeministri Edi Rama, me të cilin u drejtuan për në Laç, ku u përurua një kompleks pallatesh me 522 apartamente, në të cilat do të strehohen familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019.

Pallatet e reja ku përfshihen njësi shërbimi si dhe mjedise shplodhëse e sportive, u ndërtuan falë ndihmës së menjëhershme, që qeveria turke ofroi për përballimin e dëmeve, përmes një fondi prej 42 milion eurosh.

Presidenti turk e cilësoi realizimin e këtij kompleksi apartamentesh një shenjë tjetër të lidhjes së fortë mes dy vendeve.

“Shenja e vëllazërisë nuk është kur t’i vjen pasi të kanë thirrur, por të qëndrosh pranë vëllait tend kur ai ka nevojë. Dhe tani e në vijim ne do të jemi gjithmonë pranë. Shpresoj që kjo miqësi me baza kaq të forta do të vijojë në pafundësi”, deklaroi ai gjatë ceremonisë në Laç, ku sheshit pranë pallateve të reja të ndërtuara i është dhënë emri i tij.

Kryeministri shqiptar dhe presidenti turk patën më vonë një takim dypalësh në selinë e qeverisë në Tiranë, në përfundim të të cilit pritet të nënshkruhen disa marrëveshje.

Një tjetër ceremoni është parashikuar më pas, me përurimin e restaurimit të xhamisë së Et’hem Beut në qendër të Tiranës.

Ndërsa fjala në parlamentin shqiptar do të shënojë dhe fundin e vizitës së presidentit turk në Tiranë.

Ajo që bie në sy gjatë kësaj vizite është anashkalimi i protokollit, me mungesën e takimit të presidentit turk me homologun e tij Ilir Meta.

Ky i fundit e nisi ditën duke kujtuar 554 vjetorin e vdekjes së Heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shoqëruar dhe me pjesë nga një film dedikuar atij, ku ai shfaqej në beteja kundër turqve.

Ndërsa më vonë, kur në Laç zhvillohej ceremonia me praninë e presidentit Erdogan, pak kilometra më tutje në qytetin e Lezhës ai zhvilloi homazhe në memorialin e Skndërbeut.

I pyetur nga Zëri Amerikës për koincidencën e vizitës së presidentit turk, në datën e vdekjes së Skënderbeut dhe nëse një koincidencë e tillë përbënte ose jo problem, zëdhënësi i Qeverisë Endri Fuga e cilësoi pyetjen “në rastin më të mirë -të pakujdesshme- dhe në rastin më të keq -provokuese-, sepse nuk ka asnjë lidhje mes Republikës së Turqisë dhe rrethimeve të Krujës apo mes qëndresës së Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut dhe Turqisë së sotme, e cila është anëtare e NATO-s, vend partner strategjik i Shqipërisë dhe mik i mirë në ditë të vështira, siç e tregoi edhe mbështetja e paçmuar për rimëkëmbjen pas tragjedisë së tërmetit. Prandaj problem në këtë rast nuk përbën vizita e Presidentit të Republikës së Turqisë, po lidhje të tilla krejt pa lidhje, të cilat padashje nxisin urrejtje mes popujve”, – u shpreh zoti Fuga.

Turqia ka rritur ndikimin e saj politik dhe ekonomik në rajonin e Ballkanit. Kryeministri shqiptar njihet për raportin e tij të ngushtë me presidentin Erdogan, i cili konsiderohet si një udhëheqës autoritarist.

Por gjatë ceremonisë së sotme në Laç zoti Rama e përqëndroi fjalën e tij në vlerësimet për zotin Erdogan dhe rëndësisë që ai personalisht i jep miqësisë së lidhur me të, për të cilën siç u shpreh “ndjehem krenar”.

Ai pati një përgjigje ndaj atyre që e shohin me dyshim këtë marrëdhënie duke u shprehur se “Presidenti Erdogan thotë atë që bën dhe bën atë që thotë. Nuk është e lehtë në botën e sotme, edhe në diplomacinë e sotme, që të gjesh njerëz që Po-në e kanë Po dhe Jo-në e kanë Jo, sepse ja ku jemi sot. Këtu është materializimi i të gjithë fjalëve të bukura. Këtu mund të shikohet se çfarë do të thotë presidenti Erdoğan kur thotë “Shqipërinë e kam në zemër dhe çfarë i dhemb Shqipërisë, më dhemb dhe mua”, u shpreh zoti Rama duke ju referuar ndërtesave të reja në Laç.

BURIMI: VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura