Në verën e vitit 1970 ka vizituar Shqipërinë Abu Xhihadi, krahu i djathtë i Jaser Arafatit, ideatori i Intifadës, organizatori dhe drejtuesi i sulmeve të shumta kundër ushtarëve dhe civilëve izraelitë.
Nga dëshmitarët e paktë të ngjarjes së rrallë, jeton vetëm gjeneral Rrahman Parllaku, asokohe zëvendësministri i Mbrojtjes. Nisur nga funksioni në krye të Shtatmadhorisë shqiptare, atij iu besua nga nomenklatura e regjimit përgjegjësia kryesore për realizimin e axhendës sekrete të delegacionit palestinez. I famshëm për kujtesën brilante, ish-ushtaraku i lartë, që kaloi 15 vite në ferrin e burgjeve komuniste, tashmë 95 vjeç, e kujton me detaje historinë e pazakontë të atij viti të largët.
Në një rrëfim për “Panoramën”, Perllaku zbardh për herë të parë rrethanat e vizitës së panjohur të Abu Xhihadit në Shqipëri, procedurën zyrtare të iniciuar nga kreu i Ushtrisë për Çlirimin e Palestinës, takimet e fshehta me oficerë të lartë në bazat strategjike të ushtrisë, bisedën kokë më kokë me Enverin në Vlorë etj. Gjithçka u realizua në fshehtësi të plotë, kujton ish-gjenerali karakterin sekret të vizitës së njeriut legjendë të shekullit XX, e cila nuk u bë kurrë publike. Megjithatë, zyrtari që ka shoqëruar mysafirët e largët, ka regjistruar në memorie kërkesat e parashtruara prej tyre për autoritetet e regjimit të Tiranës. Ndër më kryesoret, vë në dukje Parllaku, ishin ato për armatim e municione, që Hoxha aty për aty nuk ua mori përsipër, por u tregua bujar për mbështetjen politike. Sidoqoftë, shton ai, me Abu Xhihadin realizuam një marrëveshje për përgatitjen e oficerëve palestinezë, të cilët mbërritën në Tiranë pak javë më vonë…
Zoti Rrahman, në fillimin e viteve ’70 kur ju ushtronit detyrën e zëvendësministrit të Mbrojtjes, flitet se në Shqipëri ka bërë një vizitë sekrete Abu Xhihadi, kreu i Lëvizjes për Çlirimin e Palestinës. A është i vërtetë një fakt i tillë?
Me sa më kujtohet, kjo ka ndodhur në verën e vitit 1970. Abu Xhihadi erdhi në Tiranë në krye të një delegacioni me tetë ushtarakë të lartë. Kjo u realizua me miratimin e autoriteteve tona dhe bekimin e Enverit, i cili i ndiqte me vëmendje të veçantë zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe interesohej për tu njohur nga afër me potencialet politike dhe ushtarake të Lëvizjes për Çlirimin e Palestinës, por edhe për të konsumuar ndonjë porosi të vetën si “koka” e lëvizjes komuniste në botë…
Pra ka qenë një vizitë zyrtare, e realizuar me protokoll, me program të paramenduar nga të dyja palët, që u mbajt sekrete..
Kanë kaluar katër dekada nga kjo ngjarje dhe nuk mund të them me saktësi arsyen pse u mbajt e fshehtë. Ndoshta ngaqë pjesëtarët e delegacionit ishin ushtarakë dhe pjesa më e madhe e axhendës së tyre fokusohej në bazat dhe repartet e ushtrisë, por jo vetëm kaq. Me sa kujtoj, edhe vetë mysafirët ishin të interesuar të qëndronin larg syrit të publikut. Ata, edhe në vendin e tyre, nuk njiheshin me emrat e vërtetë. Kryetari i tyre, p.sh., kishte pseudonimin Abu Xhihad, ndërsa emrin e kishte Halil al-Vazir. Po kështu edhe të tjerët.
Sa ditë qëndroi Abu Xhihadi në Shqipëri dhe a u takuat ju me të?
Delegacioni i Abu Xhihadit qëndroi rreth 15 ditë. Unë isha në kontakt me të gjatë gjithë kohës, pasi isha caktuar nga udhëheqja t’i shoqëroja kudo që të shkonin.
Ju kujtohet çfarë përmbante program i vizitës?
Për distancën në kohë më duhet të vë në provë kujtesën, megjithatë pjesën kryesore të axhendës e mbaj mend, sidomos atë në repartet e ushtrisë ku ata qëndruan më gjatë. E nisën ditën e parë me një vizitë në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit(martirët për ta ishin gjenitë e kombit) dhe vijuan me një vizitë në Muzeun e Luftës. Të nesërmen dhe disa ditë me radhë vizituan disa reparte të ushtrisë.
Cili ishte qëllimi i vizitës së tyre në repartet e ushtrisë?
Atyre u interesonte përvoja jonë, mënyra si stërvitej ushtria, praktikat e luftimit në terren, organizimi i shtabeve dhe hallkave drejtuese në tërë nivelet e hierarkisë. Gjatë vizitës në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, asokohe institucioni kryesor i përgatitjes së kuadrove të ushtrisë, Hito Çako i njohu me profilin e shkollës, historikun dhe sukseset e saj në përgatitjen e oficerëve të të gjitha niveleve. Të nesërmen ndoqën nga afër një demonstrim stërvitor me objekt hedhjen e një ure në erë. Për këto veprime ata tregoheshin shumë kureshtarë. Akte të kësaj natyre mbështetur kryesisht te befasia dhe goditjet e menjëhershme, në atë kohë, ishin ndër veprimet kryesore të lëvizjes së tyre. Për këtë arsye pyesnin pa mbarim për përvojën tonë në luftimet e afërta, kryesisht në qendra të banuara me grupe të vogla luftëtarësh, për sulmin ndaj objekteve të rëndësishme dhe minimin e qendrave strategjike të kundërshtarit. Për këtë kishim parashikuar në program disa mësime treguese. Sipas axhendës sakaq, Abu Xhihadi dhe delegacioni që kryesonte vizitoi uzinën e tankeve, disa qendra strategjike të ushtrisë dhe ndoqi një qitje me artileri, e cila i impresionoi shumë.
Fakti që programi përfshinte vizita e takime në reparte të ushtrisë, do të thotë se delegacioni kishte profil ushtarak…
Delegacioni kishte karakter ushtarak dhe mirëfilli ishte i tillë. Jo vetëm drejtuesi i tij, Abu Xhihadi, që njihej si numri dy i ushtrisë, por edhe pjesa tjetër ishin ushtarakë të lartë. Megjithatë, veprimtaria e tyre në Shqipëri nuk u kufizua vetëm në ushtri. Ata patën takime e biseda edhe me drejtues të lartë të politikës së Tiranës. Një të tillë e patën me Mehmet Shehun që ishte Kryeministër dhe ditën e fundit u pritën nga Enveri.
Keni qenë i pranishëm në takimin e Abu Xhihadit me Enverin?
Kam qenë. Në takimin me Enverin, me sa më kujtohet, ka qenë i pranishëm Hysni Kapo, Ramadan Xhangolli, Petro Doda dhe një zyrtar i Ministrisë së Jashtme. Nga që ishte një takim konfidencial, ishte menduar me pak njerëz.
Çfarë kujtoni nga biseda e Enverit me Abu Xhihadin?
Enveri e priti në vilën e tij në Vlorë. E tërë biseda u fokusua te lufta për çlirimin e Palestinës dhe rolin e Arafatit dhe ushtrisë kundër trupave pushtuese. Enveri me sa shprehej, e njihte shumë mirë orientimin e organizatës Al Fatah dhe programin e saj në luftën e armatosur. Ndërkaq, mbështeste qëndrimin e saj ndaj klikës jordaneze të kryesuar nga mbreti Hysein, që jo vetëm nuk e mbështeste lëvizjen e tyre, por e luftonte pas shpine.
A i parashtroi Abu Xhihadi kërkesa të veçanta Enverit dhe si u përgjigj ky i fundit?
Abu Xhihadi mbi të gjitha kërkoi mbështetje politike, për të cilën Hoxha e garantoi se nuk do t’u mungonte asnjë çast. Po kështu ai kërkoi ndihma për armatim e municion. U fol diçka për këtë në atë takim, por me sa më kujtohet Enveri nuk mori gjë përsipër. E vetmja kërkesë që u vlerësua ishte ajo për përgatitjen e trupave ushtarake. Disa javë më vonë, sipas dakordësisë në këtë takim, erdhën nga Palestina rreth 30 kuadro dhe u stërvitën me programin e oficerit në detashmentin e zbulimit në Zall-Herr.
Çfarë u diskutua në takim për konfliktin me mbretin Hysein të Jordanisë?
Ai ishte një konflikt i njohur pak në Shqipëri, por me sa konstatova aty, Enveri ishte i mirinformuar për ecurinë e tij. Hysein për të ishte një figurë e urryer, sa edhe shefi i Partisë Komuniste jordaneze, Fuad Nasar, me të cilin Hoxha ishte divorcuar qysh në mbledhjen e 81 partive. Kur ra fjala për mbretin, një moment Enveri iu drejtua Abu Xhihadit: Është i poshtër ai xhuxhi, prandaj duhet ndalur, se po bëhet përditë e më i rrezikshëm. Fakti që i dinte edhe pamjen, i ngazëlleu miqtë palestinezë. Mbaj mend që aty Hoxha kërkoi vëmendjen e tyre për të shtuar vigjilencën, pasi kishte të dhëna për një ofensivë të ushtrisë mbretërore jordaneze ndaj refugjatëve palestinezë (Asokohe në territoret e Jordanisë ishin dyndur rreth 500 mijë refugjatë palestinezë). Kjo profeci e tij, çuditërisht, pak javë më vonë u bë realitet. Vetëm në pak ditë trupat jordaneze shpërngulën me forcë mijëra refugjatë palestinezë dhe shkatërruan me dhjetëra baza të organizatës për çlirimin e Palestinës.
Ju keni ndjekur të gjitha takimet e Abu Xhihadit në Shqipëri. Artikulohej në bisedat e tij ideja e shtetit islam, siç predikon sot xhihadizmi?
Thelbi i doktrinës së Abu Xhihadit dhe lëvizjes së tij, lidhej me çlirimin e Palestinës dhe mbrojtjen e popullit palestinez të shpërngulur me dhunë nga trojet e veta. Së paku, për sa shpreheshin njerëzit e Arafatit në Tiranë. Ky ishte konflikti kryesor i rajonit në atë periudhë. Tashmë dihet si rrodhën ngjarjet, ashtu siç dihet edhe fati i liderëve të kësaj lëvizjeje. Sa për doktrinën që predikojnë xhihadistët e sotëm, ajo nuk ka në fokus fatin e Palestinës dhe palestinezëve, por pretendon një shtet të vetëm islamik në botë.
Së fundi, ku qëndronte delegacioni që për karakterin sekret nuk doli në publik?
Delegacioni i Abu Xhihadit gjatë periudhës që ishte në Shqipëri u akomodua në një rezidencë sekrete të ushtrisë në Durrës. Kujdesej për të një staf i zgjedhur nga Shtabi i Përgjithshëm, i ngritur me urdhrin e Beqir Ballukut, në atë kohë ministër i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër.
Biseda e Enverit me Abu Xhihadin
Zbardhet takimi me zëvendëskryetarin e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) Halil al-Vazir
Dialogu sekret në vilën qeveritare të Vlorës më 3 gusht 1970
Nga gjithë historia e vizitës së Abu Xhihadit në Shqipëri, e risjellë për gazetën nga gjeneral Rrahman Perllaku, ka mbetur e regjistruar vetëm biseda kokë më kokë e Enver Hoxhës me zëvendëskryetarin e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) Halil al-Vazir. Takimi me kreun e regjimit në rezidencën qeveritare në Vlorë më 3 gusht 1970, është rezervuar nga ky i fundit në përmbyllje të vizitës misterioze të delegacionit palestinez në vendin tonë. “Panorama” zbardh me shkurtime dialogun e panjohur të Hoxhës, kreut të regjimit të vetëm ateist në botë me Halil al-Vazir (Abu Xhihad), shefit të krahut ushtarak të organizatës politike “Al Fatah”, njeriu më i besuar i Jaser Arafatit, organizator i dhjetëra aksioneve vdekjeprurëse kundër izraelitëve. Në të ndriçohet një pjesë e panjohur e lidhjeve shqiptare-arabe në periudhën komuniste. Çuditërisht, në atë bisedë, Hoxha që e ka pasur vijë konstante qëndrimin ndaj dy superfuqive, ka sulmuar më shumë Bashkimin Sovjetik, duke lënë pa përmendur SHBA, në një kohë që Moska dhe satelitët e saj vazhdonin ta ndihmonin me arsenale ushtarake OÇP-në…
ENVER HOXHA: Jam i lumtur që ju, vëllezërit tanë palestinezë, keni ardhur për vizitë në vendin tonë. Ju jeni përfaqësuesit e organizatës Al Fatah, orientimin politik të së cilës, në përgjithësi, e njohim. Megjithëse jemi marksistë-leninistë dhe pavarësisht nga fakti se pikëpamjet ideologjike të njëri-tjetrit ndryshojnë, ne i përkrahim orientimet e organizatës suaj për arsye se si detyrë themelore në programin e lëvizjes keni vënë luftën e armatosur deri në fund për çlirimin e atdheut dhe të popullit palestinez, prandaj të jeni të sigurt se te ne do të keni kurdoherë miq nga më të sinqertët.
Programi i organizatës suaj Al Fatah nuk është kundër popullit izraelit, as kundër fesë izraelite, se ju nuk jeni racistë, përkundrazi jeni njerëz përparimtarë, por me të drejtë ju nuk mund të lejoni që në vendin tuaj sionizmi ndërkombëtar të krijojë një shtet, siç është ai i Izraelit, që të shtypë popullin palestinez. Në këtë çështje ju mbani qëndrim plotësisht të drejtë, prandaj edhe ne si marksistë jemi dakord, përndryshe nuk do t’ju mbështetnim.
Neve na duket i drejtë veprimi i udhëheqjes suaj, pas goditjes që donte të bënte Hyseini (mbreti i Jordanisë, shënim i red.) me klikën e tij. Disa hapën fjalë që Hyseini qe rrethuar nga trupat e Al Fatahut, por kjo organizatë mbajti një qëndrim të matur me të cilin qetësoi gjendjen dhe Hyseinit i kërkoi të largonte kryeministrin dhe kryekomandantin. Kjo ishte një nga provat e para gjatë së cilës mendojmë se Al Fatahu gjykoi drejt, ndryshe gjendja mund të ndërlikohej më keq. Por edhe sikur të ndërlikoheshin situatat, ne kemi besim se ju do të dinit si të vepronit. Asnjë situatë nuk do t’i gjente të papërgatitur fedainjtë palestinezë, të cilët pushkën e kanë mbajtur kurdoherë në dorë. Në këto kushte, as Izraeli, as sovjetikët, askush tjetër nuk do t’ju bënin dot gjë. Fedainjtë e Al Fatahut me luftën e tyre nuk do të vazhdojnë të qëndrojnë me batanijet e OKB-së në krahë, po në unitet me popullin jordanez, do ta ngrenë lart flamurin e luftës çlirimtare të popujve arabë, do të fitojnë kundër imperialistëve dhe kundër Izraelit, do të arrijnë ta çlirojnë me luftë dhe të kenë atdheun e tyre…
ABU XHIHADI: Këto që dëgjuam nga ju ne i vlerësojmë si mësime mjaft të vlefshme. Me këtë rast më lejoni t’ju përshëndes në emër të KQ të Lëvizjes Al Fatah dhe Al Asifa të Palestinës. Bisedën me Ju e konsiderojmë një shkollë të madhe që do na ndihmojë shumë. Kemi gjetur te ju një popull mik të sinqertë që ushqen simpati dhe e përkrah pa rezerva luftën e popullit tonë. Ne jemi të bindur se mbështetja juaj për luftën tonë është e madhe dhe do të jetë e vazhdueshme. Nga ana jonë, ju japim fjalën e shokut dhe të luftëtarit se s’do të heqim dorë kurrë nga lufta e armatosur.
ENVER HOXHA: Shumë drejt e keni, kjo është e vetmja rrugë e çlirimit të popujve, veçanërisht e popullit vëlla dhe heroik palestinez. Lufta që po bëni ju është revolucionare…
ABU XHIHADI: Është revolucion që do ta çojmë deri në fund.
ENVER HOXHA: Në Jordani ekziston një parti e quajtur komuniste. Ne i njohim mirë komunistët jordanezë dhe sekretarin e saj Nasar që vete e vjen në Moskë. Në vitin 1960, kur Hrushovi filloi sulmin kundër nesh, Nasari na shau ne. Unë mendoj se ky komunist shtyhet nga revizionistët sovjetikë për ta sabotuar luftën e popullit tuaj. Për t’ju luftuar ju me të gjitha mënyrat, ai merr para dhe armë nga armiqtë tuaj. Nasari është gati të ndihmojë edhe mbretin Hysein kundër jush.
ABU XHIHADI: Ne e dimë që ai ka marrë armë nga Bullgaria dhe nga Bashkimi Sovjetik. Ai e mbron hapur sistemin monarkik në fuqi në Jordani dhe vendimet e partisë së tij janë të atilla që i pëlqejnë regjimit ekzistues atje. Nasari ka krijuar një organizatë me emrin “Partizan” dhe lufton kundër të gjitha organizatave tona për çështjen e planit të paqes të thurur nga armiqtë.
ENVER HOXHA: E shikoni si veprojnë ata? Nën kushtrimin e Leninit, o burra, të luftojmë së bashku me Hyseinët. Partia jonë na mëson të jemi kurdoherë të rreptë me armiqtë, por të drejtë, të hapët e të sinqertë me miqtë. Ju theksojmë edhe një herë, se Shqipëria, me ato mundësitë e pakta që ka, nuk do të kursejë asgjë për të mbështetur luftën e popullit vëlla palestinez. Faleminderit shumë për bisedën. I bëni të fala nga unë udhëheqësit tuaj, Jaser Arafat.
Njeriu i Arafatit, që ishte bërë tmerri i izraelitëve
Biografia e Halil al-Vazir, nacionalisti palestinez që drejtoi OÇP
Halil al-Vazir (Abu Xhihad) lindi në vitin 1935. Kreu shkollën e mesme në Gaza, me një bursë të Organizatës së OKB-së në Ndihmë të Refugjatëve Palestinezë. U diplomua me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Aleksandrisë, ku u bë pjesë e organizatës “Vëllazëria Myslimane”, asokohe e jashtëligjshme në Egjipt. Gjatë qëndrimit në Kajro u burgos disa herë. Në vitin 1957, u kap në një aksion në territorin izraelit dhe u dërgua në Arabinë Saudite. Në periudhën 1959-1963 jetoi në Kuvajt, me refugjatët palestinezë, ku themeloi organizatën “Al Fatah”, të cilën e zgjeroi më vonë në Algjeri. Aty ngriti kampin e parë stërvitor për militantët palestinezë. Në mesin e viteve ’60 kreu arsimin ushtarak në Vietnam dhe Korenë e Veriut. Në vitin 1967, kaloi në krye të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, duke marrë drejtimin e “Al-Asifa”-në, krahu ushtarak i “Al Fatah”-ut dhe u zgjodh me funksione të larta në Këshillin Kombëtar Palestinez. Që këtej do të shquhej për organizimin e veprimtarive politiko-ushtarake në Jordani, ku ishte vendosur një numër i madh refugjatësh palestinezë dhe ishin krijuar baza të shumta të luftëtarëve palestinezë. Pas disfatës së OÇP-së, bashkë me liderë të tjerë shkuan në Liban, nga ku riorganizuan infrastrukturën e rezistencës së armatosur. Abu Xhihadi njihet si organizatori i celulave ilegale në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës. Falë ndihmës së vendeve të kampit socialist, ai ringriti e riarmatosi forcat e OÇP-së dhe i shndërroi ato në një ushtri të vërtetë, që bëri bujë për sulmet vdekjeprurëse kundër trupave të Tel Avivit dhe civilëve izraelitë. Ofensiva izraelite në vitin 1982 i detyroi luftëtarët e OÇP-së të tërhiqen nga vendi dhe të vendosen në Tunizi, prej nga nisën lëvizje partizane në territoret e pushtuara. Abu Xhihadi u bë organizatori kryesor dhe frymëzuesi i proceseve që kulmuan me intifadën e parë palestineze. Ai u vra nga një komando izraelite më 15 prill 1988 në banesën e tij ilegale në një qytet të Tunizisë.
AFRIM IMAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al