Vizitë në Krujën e Skënderbeut dhe Teqenë e Sarisalltikut

Jun 21, 2014 | 11:41
SHPËRNDAJE

“Shqipëria ime fantastike” do të ndalet sot në një destinacion turistik shumë interesant, por që kategorizohet te turizmi ditor. Bëhet fjalë për Krujën, qytetin historik, i cili prezanton më së miri një ndër pjesët më të lavdishme të historisë sonë, atë të periudhës së Skënderbeut. Për shkak të distancës së afërt me Tiranën, diku rreth 30 kilometra, Kruja është destinacioni i parë i guidës turistike për çdo të huaj që viziton vendin tonë.

Sigurisht, ky artikull vjen në kohën e duhur, duke pasur parasysh temperaturat dhe shirat që kanë përfshirë vendin tonë dhe një ditë ndryshe në Krujë do të ishte mënyra më ideale për ata që nuk duan të largohen shumë larg kryeqytetit dhe ndoshta të bëjnë një llogari të mirë të shpenzimeve. Po për çfarë ia vlen të shkohet në Krujë? Sigurisht, kur përmend këtë qytet, gjëja e parë që të shkon në mendje është Muzeu Historik Kombëtar dhe Kalaja si dëshmi e një periudhe kur kjo krahinë ka luajtur një rol kyç në rrjedhën historike me epopenë e Skënderbeut.

Një ndër atraksionet e qytetit të Krujës është pa dyshim Pazari karakteristik i Krujës (Derexhiku), i cili fillimet i ka në shekullin XVII, u dëmtua shumë në vitin 1944 nga një zjarr i madh dhe u restaurua në vitin 1967, vit në të cilin u shpall “Monument kulture”. Në fillimet e veta numëronte rreth 200 dyqane, ndërsa sot janë rreth 70- 80. Është i njohur sidomos për prodhimin e zejeve, ku qilimat zënë vendin kryesor të prodhimit dhe janë ndër suvenirët më të preferuar të turistëve (vendi më i këshillueshëm për turistët për blerjen e sovenirëve në Shqipëri nga shumicave e guidave si Western Balkan, publikuar nga Lonely Planet apo guida frëngjisht “Albanie nga Petit Fute”).

Ndërkohë vizita në Muzeun Historik është vazhdimësi e këtij rrugëtimi. Ky muze, për habinë e të gjithëve, ka qenë ndër të paktat vende në Krujë dhe jo vetëm që nuk u prek nga viti i tmerrshëm 1997 dhe që është ruajtur me një fanatizëm që ia vlen të vlerësohet nga ata që punojnë në të dhe e të gjithë qytetarëve të Krujës. Sot vizitohet pambarimisht nga turistët nga vendi dhe të huaj, dhe ofron një shërbim që e evidenton si një ndër muzetë më të organizuar të Shqipërisë.

Gjithashtu, për t’u mos u lënë pa vizituar është Muzeu Etnografik Kombëtar, një banesë që ndodhet brenda lagjes “Kala” të Krujës. Banesa i takon shtresës së pasur feudale, me prirje të theksuara qytetare. Ajo është ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XVIII. Në Krujë nuk do të gjeni vetëm turizmin kulturor, së fundi është shtruar edhe rruga që të dërgon në malin e Krujës dhe të pasionuarit e natyrës do të mund të kenë mundësinë të shijojnë një pamje mbresëlënëse dhe ajrin e pastër, pa harruar edhe vendin e shenjtë për besimtarët bektashinj, Teqenë e Sarisalltikut, ku sipas legjendës, ai vret Kuçedrën duke shpëtuar vajzën e princit të Krujës dhe çliron ujin për qytetin, ndërkohë një gjurmë këmbe misterioze gjendet aty, duke u treguar se si Sarisalltiku kalon me tri hapa në Korfuz, ku thuhet se ka dhe varrin. Nuk e besoni??!! Shkoni dhe shikojeni nga afër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura