Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, po shqyrton mundësinë e përfshirjes së kandidatëve shqiptarë në lista zgjedhore.
Njohësit e rrethanave politike, Xhelal Neziri dhe Petar Arsovski, thonë se partitë politike maqedonase tashmë e kanë të qartë se fitorja e tyre në zgjedhje pa shqiptarët, nuk garanton marrjen e pushtetit.
Lideri i VMRO DPMNE-së, Hristian Mickoski, tha se planifikon që në listat e ardhshme për deputetë të partisë që drejton, të ketë edhe kandidatë shqiptarë.
Pas mbajtjes së Komitetit qendror të partisë së tij gjatë vikendit, ai bëri të ditur se është në kontakt me disa shqiptarë dhe kandidatë potencialë për deputetë nga bashkësitë e tjera etnike.
“Pse jo? Pse jo, kur ne kemi anëtarësi nga të gjitha bashkësitë etnike?! Maqedonia është e të gjithë njerëzve. Kjo është fushata jonë. Secili që ka ambicie, kualitete dhe përgjegjësi për të punuar për Maqedoninë [e Veriut], është i mirëseardhur. Unë i inkurajoj dhe ju them se kam kontakte me disa prej tyre shqiptarë, turq, romë, boshnjakë, vlleh etj, që ata të gjenden në listën e ardhshme fituese të VMRO-DPMNE-së me të paktën 61 deputetë”, tha Mickoski.
Në këtë mënyrë, opozita maqedonase, VMRO-DPMNE, synon sikurse Lidhja Social Demokrate (LSDM), t’i afrohet shumicës së kualifikuar apo ndryshe të njohur si parimi i Badenterit edhe pse lideri i kësaj partie, Mickoski, kishte ritheksuar se qëndron pas idesë për heqjen e parimit të Badenterit, bashkë me përcaktimin e 20-përqindëshit, si dhe mekanizimin e balancuesit gjatë përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e shtetit.
Votimi i dyfishtë i njohur si votimi me Badenter është kategori kushtetuese e vendosur me Marrëveshjen e Ohrit, në bazë të të cilit sigurohet votim i dyfishtë nga ana e deputetëve nga komunitetet joshumicë në Kuvend për ligjet sistematike që prekin interesat e popujve joshumicë.
Xhelal Neziri nga Qendra Hulumtuese SCOOP në Shkup thotë për Radion Evropa e Lirë se qëndrimi i fundit i VMRO DPMNE-së që shqiptarët të përfshihen në listat për deputetë, tregon se kjo parti më në fund e ka kuptuar se të bërit politikë ekskluzivisht brenda partisë maqedonase, mund të sjellë fitore, por nuk paraqet garanci për marrjen e pushtetit.
Neziri rikujton dështimin e kësaj partie për të marrë pushtetin në vitin 2016, edhe pse doli fituese në zgjedhje.
Gjithashtu, VMRO DPMNE-ja në zgjedhjet presidenciale në vitin 2018, u mund në rundin e dytë nga koalicioni i Lidhjes Social Demokrate me Bashkimin Demokratik për Integrim, që doli me një kandidat të përbashkët konsensual, edhe pse kjo parti printe me votat e maqedonasve në rundin e parë.
“Kjo parti tanimë e ka kuptuar se pa një qasje inkluzive (gjithëpërfshirëse) në aspektin etnik, nuk mund të arrijë një sukses të plotë që në këtë rast nënkupton marrjen e pushtetit. Fitorja në Shkup përmes një kandidateje të pavarur ishte një test i mirë, i cili rezultoi me efekte pozitive me atë që kjo parti fitoi garën duke qenë në koalicion me partitë politike shqiptare në opozitë. Një qasje më ndryshe ndaj shqiptarëve, një qasje më inkluzive (gjithëpërfshirëse) mendoj se është një fazë e re për këtë parti”, vlerëson Neziri.
Nga ana tjetër, politologu maqedonas, Petar Arsovski, për Radion Evropa e Lirë thotë se VMRO DPMNE-ja, si parti me qasje nacionaliste, tani do ta ketë shumë më të vështirë sesa socialdemokratët që janë në pushtet për të bërë një ofertë për elektoratin shqiptar.
“Për VMRO DPMNE-në, për shkak të narrativit politik që ka përdorur me vite, do të jetë shumë më e vështirë të bëjë një ofertë autentike për shqiptarët kundrejt Lidhjes Social Demokrate, pasi një kohë të gjatë kishte një narrativë më patriotike dhe më kombëtare”, konsideron Arsovski.
Funksionimi i partive mbi idetë etnike, gjithnjë e më i vështirë
Njohësit e rrethanave politike thonë se ka kaluar koha e vjeljes së votave mbi idetë etnike pasi qytetarët gjithnjë e më shumë votën ua besojnë atyre që ofrojnë zgjidhje për problemet konkrete, me të cilat ballafaqohen gjatë përditshmërisë.
Lidhur me këtë, Xhelal Neziri thotë se nëse absorbohen të gjitha çështjet e hapura që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndëretnike, atëherë humb dhe kuptimi i funksionimit të partive ekskluzivisht mbi bazë të një etniteti.
Neziri konsideron se kjo qasje e partive maqedonase, që në përbërjet parlamentare të përfaqësohen dhe me deputetë shqiptarë, do të imponojë edhe reformimin e partive shqiptare.
“Nuk besoj se do të humbin partitë shqiptare, por kjo do të nxisë që partitë shqiptare të kalojnë në një fazë të re, të profilizohen dhe të kenë një qasje të re, e cila më tepër do të jetë ideologjike sesa etnike”, thekson Neziri.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare kërkohen nga VMRO DPMNE-ja për shkak të paqëndrueshmërisë së shumicës parlamentare, e cila ka 64 nga 120 mandate në Kuvend.
VMRO-ja akuzon Qeverinë për paaftësi në përballje me krizën ekonomike, ndërsa veç kësaj, opozita pretendon se ajo nuk ka as legjitimitet, meqë kryeministri Dimitar Kovaçevski, sipas saj, në këtë post ka ardhur pa zgjedhje duke zëvendësuar ish-kryeministrin Zoran Zaev.
Për të nxitur zgjedhjet, VMRO DPMNE-ja që nga 10 maji ka nisur me bllokimin e punës së Kuvendit përmes deputetëve të saj qoftë me fjalim të gjata, apo duke bllokuara foltoren.
Partitë tjera janë shprehur kundër zgjedhjeve, përfshirë edhe LSDM-në e kryeministrit Dimitar Kovaçevski, por jozyrtarisht zyrtarë të partive që janë pjesë e Qeverisë thonë se zgjedhjet janë të paevitueshme për shkak të bllokimit të punës së Kuvendit, i cili nuk arrin të miratojë asnjë nga ligjet që parashihen me votat e dy të tretave të deputetëve.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë mbajtur më 15 korrik të vitit 2020./REL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al