VOA: Francë, partitë e majta dhe të qendrës kërkojnë aleancë kundër të djathtës

Jul 2, 2024 | 15:14
SHPËRNDAJE

E djathta e vijës së ashpër në Francë nuk ka qenë kurrë më afër pushtetit pasi fitoi raundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme të dielën.

Le Pen

Rezultati krijon mundësinë që ky krah politik të emërojë kryeministrin e ri përpara fillimit të Olimpiadës së Parisit, nëse fiton në raundin e dytë që do të mbahet më 7 korrik. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lisa Bryant partitë e majta dhe të qendrës tani po bëjnë thirrje për një aleancë kundër ekstremizmit në një nga vendet më të rëndësishme të Evropës.

Partia ‘Bashkimi Kombëtar’ dhe udhëheqësja e saj Marine Le Pen po festojnë fitoren në raundin e parë të zgjedhjeve. Në katër vitet e fundit ajo ka punuar për të përmirësuar imazhin e partisë kundërshtare të emigracionit, nga një lëvizje e vlerësuar si raciste, në një alternativë të pranueshme politike.

Puna e saj duket se ka dhënë rezultat, pasi “Bashkimi Kombëtar’ fitoi të djelën një të tretën e votave. Kjo e nxori atë shumë përpara partisë së Presidentit Emmanuel Macron dhe aleatëve të tij, të cilët u renditën në vendin e tretë, me pak më shumë se 20 për qind.

Aleanca e majtë e quajtur ‘Fronti i Ri Popullor’ doli e dyta, me rreth 28 për qind të votave.

Pjesëmarrja ishte më e larta në vite, duke treguar që për votuesit këto zgjedhje të parakohshme janë shumë të rëndësishme. Ato u shpallën nga Presidenti Macron, tre vjet përpara afatit, pas rritjes së përkrahjes për të djathtën e vijës së ashpër në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, muajin e kaluar.

Platforma e të djathtës së vijës së ashpër, që përfshin politika të ashpra kundër krimit dhe imigracionit të paligjshëm dhe zotimin për trajtimin e shqetësimeve për koston e jetesës, po fiton përkrahje.

Kryetari i “Bashkimit Kombëtar’ Jordan Bardella, që ka mundësi të emërohet Kryeministër, nëse partia e tij fiton shumicën e vendeve në Parlament, u bëri thirrje votuesve të mbështesin partinë e tij në raundin e dytë.

Megjithatë, jo të gjithë janë bindur të përkrahin këtë parti. Në një qendër votimi në pjesën verilindore të Parisit, që konsiderohet si bastion i së majtës, shumë votues janë të frikësuar nga një fitore e mundshme e ‘Bashkimit Kombëtar’.

Një prej tyre është Matthieu Maguet.

“Qeveria aktuale ka përqafuar disa politika të së djathtës, që pritet t’i përkeqësojë gjërat. Veçanërisht në lidhje me të drejtën për të demonstruar, të drejtat e pakicave dhe gjithçka tjetër”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Votuesja Emmanuela Konan nuk pranon të tregojë se si votoi, por ajo thotë se një fitore e ‘Bashkimit Kombëtar’ do të jetë e dëmshme për vendin.

Votuesja tjetër Christine Pekar, mbështet aleancën e Presidentit Macron.

“Mendoj se ai tregoi guxim politik duke nxitur gjithë ato reforma që bëri gjatë shtatë viteve të fundit”, thotë për Zërin e Amerikës zonja Pekar.

Në Paris dhe gjetkë, njerëzit protestuan kundër të djathtës së vijës së ashpër pas shpalljes së rezultateve të para.

Politikanët e së majtës kanë bërë thirrje për krijimin e një aleanca kundër ekstremizmit.

Thirrje të ngjashme po bëjnë edhe partia në pushtet dhe kryeministri i tanishëm, Gabriel Attal. Për të shtuar mundësitë për fitoren e partive që nuk vlerësohen si ekstremiste, zoti Attal tha se partia e tij do të tërhiqej nga zonat ku gjasat janë të vogla për fitore.

Por, dallimet në mes të Presidentit Macron dhe të majtës janë të mëdha. Ndërsa janë bërë përpjekje për t’i tejkaluar ato, gjasat janë të mëdha që fitorja e ‘Bashkimit Kombëtar’ të jetë e pandalshme./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura