Në Tiranë, mediat hasin të njëjtat vështirësi, presione politike dhe censurë edhe kur raportojnë mbi ecurinë e integrimit europian.
Kështu pohuan sot vëzhgues të pavarur dhe gazetarë të kësaj fushe në një takim mbi sfidat e medias gjatë pasqyrimit të procesit integrues në BE.
Në tryezën shoqërisë civile me diplomatë europianë dhe gazetarët, u theksua se ashtu si në raportimet për fusha të tjera, edhe për sa u takon lajmeve mbi procesin e integrimit europian, mediat e Shqipërisë vuajnë nga të njëjtat bllokime informacioni, mungesa të lirisë së shprehjes, të censurës, auto-censurës, presione nga politika dhe nga pronarët.
Gazetarët dhe shoqëria civile vlerësoi se këtij procesi nuk i kushtohet hapësira e nevojshme në diskutimin publik dhe mediatik, madje kjo shihet si një frenim i debatit për çështje të realitetit.
Pedagogu i gazetarisë dhe publicisti Lutfi Dervishi thotë se në Shqipëri aktualisht në luftën ndaj korrupsionit duket se ka hapa prapa, ndërsa me lirinë e medias shihet se nuk ka hapa para.
“Shohim që më shumë ka propagandë se sa informacion, më shumë ka stisje se sa lajme, më shumë denoncime se sa investigime. Mbetet shumë për të bërë sepse vet media ka problemet e veta të korrupsionit dhe të pafuqisë së saj për të reaguar”, thotë zoti Dervishi.
Vëzhguesit pohojnë se besimi tek mediat dhe tek institucionet shtetërore e gjyqësore varet drejtpërdrejt nga reagimi i tyre ndaj problemeve dhe skandaleve, ndëshkimi ose jo i krimit.
Ata shtuan se aktualisht rolin e medias e kanë marrë vet zyrtarët dhe institucionet, bizneset, por kjo situatë nxjerr më në pah nevojën për gazetarë profesionistë, që të ndajnë të vërtetën nga gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat, e sajimet nga realiteti.
Hapja e negociatave do të sjellë një skanim të detajuar mbi ecurinë e vendit sipas standarteve të BE-së edhe mbi pjekurinë e medias shqiptare, pohuan vëzhguesit.
Mungesat e lirisë së medias në Shqipëri janë ndër pikat e përhershme kritike në raportimet ndërkombëtare, dhe kjo sipas studiuesit dhe publicistit Neritan Sejamini vjen prej financimit problematik të mediave.
“Nuk ka ende në Shqipëri një model të suksesshëm të financimit të mediave, i cili të garantojë pavarësinë. Mediat financohen nga burime të caktuara; grupime interesi, biznesi apo burime informale që origjinën e kanë nga politika, por ato nuk mund të jenë media të pavarura. Nëse nuk arrihet kjo pavarësi financiare dhe menaxheriale është vështirë të flasim për media thelbësisht të pavarur”, thotë zoti Sejamini.
Anketimet e publikut shqiptar flasin për një mbështetje shumë të lartë ndaj procesit të integrimit në Bashkimit Europian, i cili është një proces teknik dhe i ndërlikuar, ndaj përgatitja e medias nevojitet të jetë përherë e më profesionale, u theksua në takim.
Analistët nënvizuan se përfshirja e Shqipërisë në një komunitet me liri dhe vlera të konsoliduara siç është BE do ta bëjë edhe shoqërinë shqiptare më demokratike dhe median e saj më profesionale, në mënyrë që edhe shtypi shqiptar të bëhet si ai europian. /VOA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al