VOA: Stërvitja më e madhe në botë e forcave detare, mesazh për Kinën

Jun 29, 2024 | 19:18
SHPËRNDAJE

Shtetet e Bashkuara dhe 28 vende të tjera partnere filluan këtë javë stërvitjen më të madhe luftarake detare në botë pranë brigjeve të Havait. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, analistët thonë se stërvitja në zonën gjeografike që njihet si “Unaza e Zjarrtë e Paqësorit”, ofron një mundësi për vendet partnere që të punojnë së bashku ndërsa i dërgojnë Kinës një mesazh të fortë parandalues.

STERVITJA E NATO

Bashkëpunim ndërkombëtar në një shkallë të lartë. Dyzet anije, mbi 150 avionë, tre nëndetëse dhe 25 mijë trupa po marrin pjesë në stërvitjen detare të këtij viti në Oqeanin Paqësor që njihet si RIMPAC.

Forcat detare të vendeve të ndryshme të botës po praktikojnë një gamë të gjerë misionesh, që nga reagimi ndaj fatkeqësive natyrore e deri tek aftësitë e nevojshme në luftë.

“Çdo vend i botës që ka interesa në Paqësor dhe do t’u përmbahet të njëjtave vlera, është i mirëpritur të marrë pjesë”, tha zyrtari i lartë i forcave detare të Kilit, Alberto Guerrero, zëvendëskomandant i stërvitjes RIMPAC.

Kina nuk është ftuar, pasi siç thonë analistët, mirëpritja e ngrohtë që i bëri stërvitja RIMPAC Pekinit rreth një dekadë më parë dështoi.

Markus Garlauskas drejton Nismën për Sigurinë e Indo-Paqësorit në Këshillin e Atlantikut.

“Kina u ftua të merrte pjesë në stërvitje. Por Kina përfitoi nga rasti dhe goditi pas shpine Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, duke e shfrytëzuar rastin si mundësi për të mbledhur të dhëna zbulimi dhe duke u përpjekur që të ketë ndikim më të madh, diçka e papranueshme”.

Zyrtarët thonë se stërvitja e përbashkët ushtarake i dëgon një mesazh të fortë Kinës që ta ndalojë ngacmimin e fqinjëve të saj.

“Ata jo vetëm që do të përballen me Shtetet e Bashkuara në vendin që po vënë në objektiv, por do të duhet të përballen me përgjigjen e shumë vendeve që kanë interesa të përbashkëta në frenimin dhe përballjen e agresionit kinez, si kërcënim për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur”, thotë Markus Garlauskas me Këshillin e Atlantikut.

Këtë vit, vendet që marrin pjesë në stërvitjen RIMPAC do të praktikojnë në goditjen e një anije të vjetër amerikane, të dalë nga funksioni, një shans i rrallë për të mësuar se sa të fuqishme janë armët e tyre për të fundosur një kundërshtar të madh në det të hapur. Stërvitja do të vazhdojë deri në fillim të gushtit./voa

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura