Votuan për Feçorr Shehun, PD përjashton dy këshilltarët. Artur Shehu: Nuk kam votuar, u falsifikua dokumentacioni

Nov 21, 2014 | 14:30
SHPËRNDAJE

Keshilltari i PD i perjashtuar, Artur Shehu

Partia Demokratike ka vendosur të përjashtojë nga të gjitha funksionet dy këshilltarët e saj në këshillin bashkiak të Ballshit që votuan për ti dhënë titullin “Qytetar Nderi” ish ministrit të brendshëm të regjimit komunist, Feçorr Shehu. Në një deklaratë për mediat thuhet se vota e Artur Shehut dhe Mirela Muçës ka qenë personale.

 

“Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe aktin e shëmtuar dhe të papranueshëm të dy këshilltarëve të PD, Artur Shehu dhe Mirela Mucaj, të cilët për qëllime të ulëta, personale dhe të papajtueshme e të dënueshme nga anëtarësia e PD kanë bashkuar votat duke shpallur Qytetar Nderi të Ballshit kriminelin e diktaturës, Feçor Shehu. Partia Demokratike i rekomandon degës së PD, Mallakastër largimin e tyre nga Partia Demokratike”, thuhet në njoftimin e PD-së.

Sipas selisë blu masa ekstreme e përjashtimit nga partia merret pasi dy këshilltarët shpallën “Qytetar Nderi” figurën kriminale dhe gjakatare të diktaturës, ish-ministrin e Brendshëm të Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu. “Vendimi i dy emrave të sipërpërmendur është në kundërshtim të hapur me vlerat që përfaqëson Partia Demokratike dhe anëtarësia e saj. Ai është një vendim personal i pazareve të ulta të këtyre personave dhe përgjegjësia direkte bie mbi ta” thuhet në njoftimin për shtyp.

Ndërsa kryetari i PD-së së Ballshit, Arjan Llanaj tha se “një ndër veprimet që kanë bërë këshilltarët tanë pa u konsultuar me PD-në ishte votimi për ti dhënë titullin qytetar nderi kriminelit të kohës së regjimit komunist Fecorr Shehu. Ky vendim i tyre ka qenë i pakonsultuar më parë e për këtë qëllim janë përjashtuar nga partia Artur Shehu e Mirela Muçaj”.

Lidhur me këtë vendim të Partisë Demokratike ka reaguar edhe anëtari i përjashtuar tashmë Artur Shehu, i cili tha në një prononcim për “Panorama Online” se i ka dërguar një mesazh kryetarit Basha ku sqaron pozicionin e tij në këtë çështje.

“Në mbledhjen e Këshillit është rënë dakord që të mos votohej Feçorr Shehu dhe Bashkim Shehu. Është kaluar në parim asistenca dhe taksat, nuk është kryer asnjë votim i fshehtë apo i hapur për askënd qytetar nderi të propozuar sipas ligjit. Kemi firmosur vetëm prezencën në një mbledhje 5 minuta. Ata që kanë falsifikuar dokumentacionin të mbajnë përgjegjësi”, thuhet në mesazhin që Artur Shehu i ka dërguar Bashës.

Artur Shehu u bë tre vjet më parë pjesë e debatit publik pasi ishte propozimi i Partisë Demokratike si kryetar i qarkut të Fierit, debat që kushtëzoi për disa kohë dhënien e votës së opozitës së kohës për tre ligjet me shumicë të cilësuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura