Vrasësi i Gentian Beqirit kërkon falje në Gjykatë, dëshmon në procesin kundër Çapjave: Kreva vrasjen për 50 mijë euro

May 12, 2022 | 12:14
SHPËRNDAJE

Në procesin gjyqësor ndaj grupi të Ardia, Çapjas që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme, dje ka dëshmuar Ervis Bardhi.

gentian-beqiri-dhe-babai

Bëhet fjalë për aktin e vrasjes së babë e bir, ngjarje e ndodhur 10 vite më parë në qytetin e Elbasanit. Nën statusin e të penduarit, Bardhi ka nisur të flasë për gjithçka mbante mend nga ajo histori, pak a shumë siç edhe ka dëshmuar në rrëfimin shterues për prokurorinë që lidhet me rekrutimin, njohjen me viktimat e tij dhe deri te momenti i atij ekzekutimit. I riu nga Elbasani, para nisjes së rrëfimit, duke shfrytëzuar edhe mundësinë e pranisë së gazetarëve në sallë, ka gjetur rastit t‘i kërkojë ndjesë familjes Beqiri e veçanërisht nënës së Gentianit. Ai ka rrëfyer detaje të rëndësishme për fatin e asaj dosjeje, ndërkohë që herë pas here është ndërprerë nga Ardian Çapja, i cili e ka konsideruar dëshminë e tij të rremë.

RRËFIMI I AUTORIT TË VRASJES

Kështu i penduari i drejtësisë, Gentian Bardhi, dëshmoi para gjykate se është paguar me 50 mijë euro nga Ardian Çapja për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në Elbasan në vitin 2012. Me statusin e të penduarit të drejtësisë, Ervis Bardhi dha dëshminë në procesin ndaj Ardian Çapjes e “miqve” të tjerë të akuzuar për vrasjen e Gentian e Nezir Beqirit në vitin 2012. Dëshmitari dha detaje nga mënyra se si ishte njohur me Gentian Beqirin në Burgun e Peqinit dhe marrjen e porosisë për ekzekutimin e tij nga Ardian e Florenc Çapja deri në ditën e ekzekutimit. Bashkëpunëtori i drejtësisë ka rrëfyer takimin e parë që ka bërë me Ardjan dhe Florenc Çapjan, duke theksuar se ka shkuar për ta takuar me Etjen Canin, Klajdi Dokollin dhe Olsi Lekun. Në atë takim ai pretendon se kanë marrë 2500 euro dhe një pistoletë me silenciator. Ndërsa takimi i dytë ka ndodhur në Kërrabë: “Po kthehesha me Olsin për në Elbasan kur kemi takuar në rrugë Ardian dhe Florenc Çapjan. Gjatë debateve Ardiani ka thënë që ata do na ndihmonin me para. Na kanë dhënë 50 mijë euro, por në këmbim duhet të vrisnim një person. Ardiani më ka thënë se përse takohesh me Gentian Beqirin. I kam thënë që e kam njohur në burg. Më pas gjatë debatit Ardiani më është drejtuar me fjalët, vrasjen do ta bësh ti. U tremba se në makinë ishte dhe një person tjetër që nuk e njihja”.

PLANET PËR VRASJEN

Ervis Bardhi theksoi se kanë bërë disa plane për të kryer vrasjen, por që asnjëri prej tyre nuk u dukej i arsyeshëm. Dy ditë para ekzekutimit ata kanë pirë kafe në shtëpinë e Gentian Beqirit. Bashkëpunëtori i drejtësisë rrëfen se ditën kur kanë shkuar për të kryer vrasjen ishte nën efektin e drogës dhe alkoolit. Ai i tha Gjykatës se Etjen Cani dhe Klajdi Dokolli po bënin rojë, ndërsa ai së bashku me Olsin është ngjitur për në banesën e viktimave. Bardhi pretendon se fillimisht e ka qëlluar me plumb në faqe Gentian Beqirin, ndërsa më pas e ka shkrehur armën dhe 3 herë të tjera. Ndërsa Nezir Beqirin e ka vrarë Olsi Leku, duke e mbytur me jastëk pasi e kishte goditur fillimisht në nofull. Pas ngjarjes ata janë larguar në drejtime të ndryshme, ndërsa Olsi Leku ka bërë djegien e makinës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura