Të tjera detaje janë publikuar lidhur me vrasjen e biznesmenit shqiptar Marius Dhiamandis një javë më parë në Greqi. Mediat fqinje kanë zbuluar se shqiptari ka marrë dokumente greke të falsifikuara nga një rrjet kriminal që u godit ditën e djeshme në Greqi.
Sipas Protothema.gr 35-vjeçari shqiptar kishte marrë identitet të rremë dhe është greqizuar si emigrant nga një vend i ish-Bashkimit Sovjetik.
Dokumentet e rreme kapnin shifrat e 30 mijë eurove, dhe këtë rrjet kriminal e drejtonin disa efektivë policie.
Organizata kriminale u godit ditën e djeshme. Deri më tani janë konfiskuar mbi 600 mijë euro, ndërsa vetëm në kasafortën e oficerit që ishte truri i rrjetit janë gjetur 320 mijë euro.
Organizata thuhet se ka funksionuar që nga prilli 2013. Në total, sipas hetimeve të deritanishme, në organizatën kriminale ka prova se janë përfshirë 34 punonjës policie.
VRASJA E BIZNESMENIT SHQIPTAR
Biznesmeni shqiptar, Marius Dhiamandis u ekzekutua një javë më parë në karburantin e tij në Greqi. Siç duket edhe në video, një makinë BMË afrohet pranë karburantit ku ndodhej edhe shqiptari. Nga xhami i pasëm i makinës shfaqet një person i armatosur dhe i maskuar, i cili nxjerr armën dhe qëllon disa herë mbi biznesmenin, duke e lënë të vdekur në vend.
Dhiamandis rezulton i arrestuar më parë për një sasi kokaine që iu gjet në makinë. Ai është arrestuar gjithashtu edhe për një vrasje të ndodhur në Kipseli, në Athinë në shkurt të 2010-ës. Atij i është dhënë masa “detyrim paraqitje” edhe për një ngjarje kriminale të ndodhur në ishullin e Mykonos.
Dyshohet se i riu i kishte borxh disa personave një shumë prej 200.000 euro.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al