Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda pushoi dje akuzat dhe gjykimin ndaj Sokol Halilajt, i dyshuar për përfshirje në njërën nga vrasjet e dy policëve në Krujë, në vitin 1999.Të njëjtin person Shkalla e Parë për Krimet e Rënda e ka dënuar dy herë më parë me “burgim të përjetshëm”. Po ashtu, akuzat u pushuan edhe ndaj të bashkëpandehurit të Halilajt, Shefqet Seferit. Vendimi që nxjerr nga qelia të pandehurit Halilaj dhe Seferi u shpall dje, pak pas mesditës. Një pesëshe gjyqtarësh të Apelit vendosën prishjen e vendimit të dhjetorit 2010, të Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, vendim i cili dënonte me “burgim të përjetshëm” të pandehurin Sokol Halilaj dhe me 22 vjet burg të pandehurin Shefqet Seferi. Në një njëjtin verdikt, Gjykata e Apelit vendosi dje pushimin e çështjes penale në ngarkim të tyre. “Gjykata e Apelit vendosi prishjen e vendimit nr. 53, datë 29.12.2010 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe pushimin e çështjes në ngarkim të të pandehurve Sokol Halilaj dhe Shefqet Seferi”, thuhej në dispozitivin e vendimit të Apelit.
Deri dje, Prokuroria për Krimet e Rënda e akuzonte Sokol Halilajn për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim”, “vrasje me dashje në bashkëpunim” dhe për “armëmbajtje pa leje”. Dosja në ngarkim të tij dhe të bashkëpandehurit është shqyrtuar dy herë tek Krimet e Rënda. Fillimisht, i pandehur në dosje ishte edhe Dritan Rexhepi. Më 20 shkurt të vitit 2009, Krimet e Rënda vendosën dënimin e Halilajt dhe Rexhepit me “burg përjetë” dhe Seferit, me 25 vjet burg. Ky vendim u prish nga Apeli i Krimeve të Rënda në 29 maj të vitit 2009, i cili e ktheu dosjen për rigjykim në Shkallën e Parë. Këtë radhë dosja në ngarkim të Halilajt dhe Seferit u veçua nga ajo e Rexhepajt, për shkak se ky i fundit ishte duke vuajtur një dënim në Itali për një vepër të kryer në atë vend. Pas 44 seancash gjyqësore, Krimet e Rënda i deklaruan ata sërish fajtorë, duke vendosur “burg përjetë” për Sokol Halilajn dhe 22 vjet burg për Shefqet Seferin. Ngjarjet për të cilat ata akuzoheshin, janë shënuar më 27 gusht dhe 6 tetor të vitit 1999 në qytetin e Krujës, ku janë vrarë policët Arben Keqi dhe Durim Kasmi. Sipas Prokurorisë, vrasjet kanë ardhur si pasojë e një linje hakmarrjeje mes një familjeje në Krujë dhe punonjësit të policisë, Keqi.