Vrau burrin në gjumë, gruaja: Më tradhtonte, sëpatën e fsheha poshtë krevatit

Sep 30, 2015 | 8:37
SHPËRNDAJE

Vrasja e Administratorit të njësise së Kalasë së Dodës, Kadri Visha, nga gruaja e tij, duket se erdhi nga xhelozia, pasi ajo e akuzonte për tradhëti. Së paku kështu ka deklaruar vetë autorja, fill pas arrestimit.  

Kalaja e Dodes
Kalaja e Dodes

Paraprakisht, bazuar edhe në dëshminë e dhënë në polici pas arrestimit, dyshohet se krimi i rëndë në familje ka ndodhur për shkaqe xhelozie.

Sipas Policisë së Dibrës, dje është gjetur i pajetë në krevatin bashkëshortor administratori i njësive administrative Kala e Dodës, Kadri Visha. Dyshohet se vrasja është kryer nga bashkëshortja e viktimës, shtetasja Agime Visha, e cila është gjetur në dhomën tjetër të banesës, por menjëherë ka pranuar autorësinë e këtij krimi të rëndë. Megjithëse ngjarja ka ndodhur mesnatën e një dite më parë, ajo është zbuluar paraditen e djeshme.

Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se dje rreth orës 10:00 kanë marrë një telefonatë nga banorët e fshatit Ceren, njësia administrative Kala e Dodës, ku njoftohej vdekja e 50-vjeçarit Kadri Visha, administrator i kësaj njësie.

“Sapo kemi marrë njoftimin për ngjarjen kemi nisur efektivë të policisë në drejtim të fshatit Ceren. Bashkë me efektivët e Dibrës kanë udhëtuar edhe oficerë të Policisë Gjyqësore”, bëri të ditur Policia.

Mësohet se viktima Kadri Visha është gjetur i pajetë në krevatin bashkëshortor, me sëpatë të ngulur në kokë. Në dhomën tjetër të banesës së familjes Visha është gjetur Agime Visha, 44 vjeçe, lindur në Kalis të Kukësit.

Ajo iu ka rrëfyer policisë në momentin e mbërritjes së tyre në vendin e ngjarjes se e kishte vrarë me duart e saj të shoqin. Në sajë të hetimeve paraprake, dyshohet se 44-vjeçarja e kishte paramenduar vrasjen e bashkëshortit, pasi gjatë ditës kishte fshehur poshtë krevatit sëpatën, me të cilën më pas e ekzekutoi atë.

“Ky është një krim i kryer më paramendim. Së pari, kjo faktohet se Agime Visha pranon se e ka fshehur sëpatën poshtë krevatit gjatë pasdites së të hënës dhe së dyti, ajo ka deklaruar se e vrau burrin për motive xhelozie”-bënë të ditur burime nga grupi hetimor.

Viktima Kadri Visha
Viktima Kadri Visha

Sipas të dhënave, pasi janë kryer veprimet në vend, të afërmit e familjes kanë nisur mortin, ndërsa gruaja është prangosur dhe është dërguar në Policinë e Dibrës, ku është marrë në pyetje më në hollësi rreth krimit në familjen e saj.

Gjatë marrjes në pyetje, Agime Visha ka shfaqur shenja depresioni dhe çekuilibri mendor. Sipas Policisë, herë pas here përsëriste të njëjtat fjalë, ndonjëherë pa kuptim. Thoshte se e ka vrarë burrin për motive xhelozie, por nuk ka përmendur ndonjë rast konkret tradhtie bashkëshortore.

“Unë e vrava për xhelozi. Ai më tradhtonte. E kisha menduar vrasjen ndaj e fsheha sëpatën gjatë ditës poshtë krevatit. Kur atë e zuri gjumi, u ngrita dhe mora sëpatën që e kisha fshehur dhe e qëllova me të në kokë”. Kështu mësohet të ketë deklaruar në polici 44-vjeçarja.

Por, sipas të dhënave, ajo nuk ka përmendur emra konkretë për lidhje të mundshme së të shoqit dhe ka qenë konfuze dhe e paqartë gjatë të gjithë kohës, teksa akuzonte të shoqin e vdekur tashmë. Të afërmit e viktimës i kanë deklaruar policisë se gruaja kurohej për depresion vitet e fundit.

Madje, në banesë janë gjetur ilaçe antidepresion, ndërkohë që mjekët e Peshkopisë shprehen se kemi të bëjmë me skizofreni akute të autores së krimit. Kadri Visha është emëruar nga kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili, në muajin gusht të këtij viti, në postin e administratorit të njësisë administrative Kala e Dodës.

Kolegët dhe banorët e zonës shprehin konsideratat më të mira për viktimën, ndërsa pohojnë se kjo është një fatkeqësi familjare si rrjedhojë e problemeve mendore që kishte bashkëshortja, Agime Visha.

HASAN PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura