Vuçiç nuk mundet dhe nuk duhet mirëpritur kurrë

Dec 20, 2019 | 10:00
SHPËRNDAJE

SPARTAK TOPOLLAJ topollaj

Në delirin e tij të madhështisë dhe protagonizmit, Edi Rama, i mikluar edhe nga komplimentet sarkastike të mikut të tij serb, Aleksandar Vuçiç – që ka deklaruar se më e pakta Kryeministri ynë është një lider rajonal – ka vendosur dhe këmbëngulur që Samiti i Tretë për mini-Shengenin Ballkanik të mbahet në Durrës, paçka se ky qytet pothuaj ka rënë në gjunjë prej tërmetit gati apokaliptik, pasojat katastrofike të të cilit mund të ishin shmangur në një masë të madhe, në qoftë se Dakot dhe Sakot e “rilindjes” nuk do të abuzonin, i pari me vite dhe e dyta me muaj në krye të bashkisë së qytetit, apo për më tepër, Qeveria e Ramës të kish marrë seriozisht paralajmërimin e Presidentit Meta, që para tërmetit të 21 shtatorit, i cili u pasua nga i tmerrshmi tërmet i 26 nëntorit, mbështetur te prognoza e një autoriteti shkencor të sizmologjisë greke. Madje, një prej anëtarëve të Kabinetit Qeveritar, e “mirënjohura” anekdotike dhe proverbiale për servilizmin ndaj “Skënderbeut” të ri, e qesëndisi Presidentin! Pasi dështuan me sukses të plotë të zbatonin idenë e vdekur që në lindje për shkëmbim territoresh, Vuçiç dhe Rama, të përkrahur çuditërisht edhe nga Thaçi, hodhën idenë e krijimit të një mini-Shengeni Ballkanik, për të cilin u mbajtën dy samite të mëparshme, në Novi Sad dhe në Ohër me pjesëmarrje gjysmake (tre nga gjashtë shtete)?! Me sa po duket, të njëjtin fat do të ketë edhe i treti, ndoshta më i vërteti për nga dështimi, se ashtu si në dy të parët, edhe te ky i treti, Kosova do të mungojë. Në të parin, Kosovën nuk e ftuan, megjithatë Rama shkoi, në të dytin Kosovën e thirrën në stilin “m’ka çu nana me la gojën”, e Rama përsëri mori pjesë, ndërsa në të tretin, nën pretekstin se Haradinaj ka dhënë dorëheqjen, mikpritësi ftoi Thaçin, i cili, megjithë miqësinë tashmë të deklaruar me Ramën, përsëri refuzoi. Kuptohet për të rritur sadopak kuotat e “patriotit”, kurba e të cilave ka rënë frikshëm pas idesë famëkeqe për shkëmbim territoresh.

Po pse këmbëngul Vuçiç te mini-Shengeni Ballkanik? Ai e njeh mirë ëndrrën shekullore serbe për Durrësin, të cilin, edhe pse e ka të qartë që s’do ta ketë kurrë, synon të paktën ta shfrytëzojë si portin më të afërt për të dalë në Adriatik, Jon e Mesdhe. A thua s’e kupton Rama këtë?! Përse u duhet dhënë kjo patericë serbëve, pikërisht kur Qeveria e Kosovës ndërmori hapin kurajoz të taksimit 100% për të gjitha mallrat serbe?! A ndihet mirë Rama pas deklarimit të Haradinajt se në Berlin, në sy të Merkelit dhe Makronit, ai i bënte presion për pezullimin e taksës, të paktën për gjashtë muaj? Si nuk e dëgjuam një herë atdhetarin e përgjëruar Rama të kërkojë nga miku i tij Vuçiç dhe konia e diplomacisë serbe, Daçiç, të ndalin fushatën korruptive diplomatike për tërheqjen e njohjeve të Kosovës së Pavarur, të arritura me aq mund nga Kosova dhe diplomacia e Qeverisë shqiptare “Berisha – Basha”, me përkrahjen e fuqishme të SHBA-së, Gjermanisë dhe vendeve të tjera mike, që e ngritën në 116 numrin e shteteve, të cilat e njohën atë?! Po si s’e dëgjuam një herë të vetme Ramën t’i kërkonte së dashurës Serbi (siç e quajti në fjalën e tij në OKB), të hiqte bllokimin gati pesëvjeçar të linjës së interkonjeksionit të tensionit të lartë, për ndërtimin e së cilës Gjermania mike e Merkel-it, investoi gati 100 milionë $?! Po liderin e Vetëvendosjes, Kryeministrin e pritshëm të Kosovës, Albin Kurtin, a e ka dëgjuar Rama ç’thotë në disa intervista rresht, lidhur me raportet Kosovë – Serbi, pa harruar mosdakordësinë me shumë nga qëndrimet dhe pikëpamjet politike mes tyre?! A e kupton Rama pse Presidenti Trump i shtoi të dërguarit e posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Palmer, i njohur për debulesën ndaj Serbisë, që e ka dhëndër, edhe ambasadorin e fortë në Gjermani, Grenell, posaçërisht për raportet dhe bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë?! Po Kancelaren Merkel a e lexon mes rreshtash në deklaratat e saj dhe si i interpreton ato?! A nuk i ka rënë në sy Ramës “dora e ngrohtë” e mëmës Rusi dhe Putin-it drejt Serbisë, madje thuhet se Cari i Kuq shpesh del nga zyra e stërmadhe e tij në Kështjellë dhe ngjitet në Kullën e Orës së Kremlinit, nga ku, duke u ndalur më gjatë, hedh vështrimin drejt Perëndimit?! E sigurt është se bazën e maskuar të spiunazhit rus afër Nishit (apo s’e mbulon mirë këtë sektor, si KGB-ist i regjur), avionët MiG dhe Suhoj, helikopterët modernë “MI 35”, e ndoshta dhe Sistemin e Mbrojtjes Raketore, nuk po ia jep apo fal kot Serbisë.

Ramës, që parapëlqen shpesh ta përdorë zhargonin popullor, i duhet kujtuar për vigjilencë, ajo shprehja e bukur popullore e dibranëve të mençur, për atë nusen e re (Vuçiçin, pra), që thosh: “Te nana të jem dhe burrin ta kem” nuk shkon.

Por t’i kthehemi Vuçiç-it, këtij pehlivani kameleon të politikës serbe, për të cilin autori i këtyre radhëve ka shkruar gjatë muaj më parë në “Gazeta Shqiptare”. Përmbi 15 vite (1993-2008) Vuçiç ishte në udhëheqësinë e Partisë Radikale Ultranacionaliste Serbe të Kriminelit të Luftës, Vojisllav Sheshelj, e në aleancë me Milosheviçin, “Kasapin e Ballkanit”, u emërua ministër i Informacionit, bash në kulmin e krimeve të regjimit pushtues serb në Kosovë (24 mars 1998-24 tetor 2000), e më pas ministër i Mbrojtjes, zv.kryeministër, Kryeministër e që nga 31 maj 2017 President i Serbisë. Më 2008 braktis Partinë Radikale dhe Sheshelj-in (që pas arrestimit gjykohet e dënohet në Hagë, si Milosheviçi, Karaxhiçi e Mlladiçi) dhe krijon Partinë Progresive Serbe. Mjeshtër i dezinformimit, bëri sa mundi në krijimin e alibive dhe justifikimin e krimeve të regjimit gjakatar të Sllobos, ministër i të cilit ishte. Kurrë nuk ka kërkuar falje, madje këmbëngul se nuk ka pasur krime lufte, gjenocid, masakra, përdhunime, deportim me forcë, djegie e shkatërrime, duke i quajtur deri edhe mashtrime të amerikanëve, NATO-s e Perëndimit, siç bëri vetëm pak ditë më parë, teksa Masakrën e tmerrshme të Reçakut e quajti sajesë të ambasadorit amerikan të OSBE-së, Uiliam Uolker, masakër, të cilën e pa e gjithë bota, çka edhe e detyroi SHBA-në, NATO-n dhe liderët si Klinton, Bler, Shirak, Shrwder e D’Alema, të bombardonin Beogradin, dhe së bashku me UÇK-në, FARK-un e Presidentit të paharruar, Rugova, e luftëtarë të shumtë nga Shqipëria e diaspora të çlironin Kosovën. Identike kjo si Stalini, që akuzonte nazistët për masakrën sovjetike të Katinit ndaj mijëra oficerëve polakë. E pra, këtë Vuçiç, që ende mban të fshehtë varret masive në Serbi të rreth 2000 të vrarëve shqiptarë, ka ftuar “mikpritësi” ynë i madh Rama në Samitin e Durrësit për Mini Shengenin!

Gjeniu ynë Kadare ka konstatuar me keqardhje se në Europën e sotme, çuditërisht dhe paradoksalisht, po harrohen krimet dhe masakrat e regjimit stalinisto–hitlerian të Milosheviçit me shokë, një prej të cilëve është edhe Vuçiç, miku serb i Edi Ramës, ndërkohë që edhe shumë nga liderët serbë po përkëdhelen e llastohen. Para se të thirrej në Hagë Haradinaj apo të tjerë luftëtarë shqiptarë, duhej të thirrej Vuçiçi, Daçiçi, Nikoliçi e të tjerë. Por habitshëm, ky Vuçiç është President në Serbinë “demokratike’’ dhe kjo do të ishte e njëjta sikur në Gjermaninë e Kancelarëve Adenauer, Brandt, Erhard, Kohl, Shrwder apo Merkel të zgjidhej President famëkeqi Gëbels, ministri hitlerian i Propagandës.

Pikërisht për të gjitha këto, nuk mundet dhe nuk duhet ftuar e jo më mirëpritur Aleksandar Vuçiç.

* Diplomat

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura