Xhevat Limani, vargje poetike nëpër kohë pakotësie

Jun 13, 2023 | 10:29
SHPËRNDAJE

NGA HALIL RAMA

Capture

Poeti dhe artisti me famë botërore Xhevat Limani, i dekoruar nga ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me motivacionin “Në shenjë vlerësimi për kontributin dhe vlerat e larta artistike në realizimin me profesionalizëm të figurës së heroit tonë Kombëtar, duke u bërë personazhi unik i Skënderbeut, në të gjitha trojet shqiptare dhe anembanë botës” (Dekret nr. 11963, datë 10.02.2021), që këtë libër ua përkushton:

“Pasardhësve trashëgimtarë, mbesave princesha dhe nipërve princa shpirthyjnorë… Leas hyjneshë, e cila triumfon në çdo sfidë me peshë; Lizës mendare tipike shqiptare…Leonit, talent i rrallë me yll në ballë, Remziut që noton valëve të një gjeniu…”, siç pohon ai vetë, ka shkruar vargje poetike nëpër kohë pakotësie, duke i mbartur me vete rrugëve të botës. Ai ka derdhur në vargje çka përjetuar, diku mes shenjave, tingujve dhe fjalëve, duke qenë gjithnjë vetvetja. Artisti famoz Xhevat Limani, që ka bërë të ndjehen krenar diasporën shqiptare në SHBA, Londër, Berlin, Paris, Bruksel, etj., me interpretimin mjeshtëror të rolit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në skenat e sallave e kinemave më madhështore të qyteteve kryesore të botës, përveçse si një nga aktorët më të mirë shqiptarë, ka bërë emër edhe në fushën e letrave.

Vepra-te-autorit-Xhevat-Limani

Pasi ka botuar 12 drama (“Varrtarët”, dramë-1994) “Albaniada, tetë drama”-2002; “Anatema”, dramë2002; “Muri i lotëve”, dramë-2005; “Dodona”, dramë-2012); poemën dramatike “Skënderbeu”, 2018 dhe “Gjergj Kastriot Skënderbeg”, 2019; dy romanet: “Artisti pa atdhe”-2015 dhe “Triumf”, roman jetësor-2021; vëllimin poetik “Pranverë dimërore”-1989; poemën “Ora shqiptare”-2009, si dhe “Antimemorandum”, ese dramatik – 2009, vjen më së fundi për lexuesin me vëllimin poetik “TerrAdritë” që u promovua të dielën më 11 qershor 2023, në sallën “Unesco” të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Dhjetëra përfaqësues të botës akademike, të letrave, artit e kulturës, mes të cilëve: Prof. dr. Ago Nezha, kryetari i Shoqatës “Labëria” – Nderi i Kombit, prof. dr. Saimir Shatku – sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës prestigjioze “Bashkësia Dibrane”, Kristaq F. Shabani, president i Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve, “PEGASI Albania”, poetet e studiueset e mirënjohura Emrie Krosi e Barie Çupi, moderatori i eventit, ikona e gazetarisë sportive dhe dokumentarit televiziv, Dëfrim Methasani, etj., vlerësuan krijimtarinë letraro-artistike mjaftë produktive e cilësore të Xheval Limanit.

I ndarë në dy pjesë, “Pikëlima” dhe “Rapsodi epike”, ky libër, në 220 faqe përmban 80 poezi, ku pothuajse në të gjitha përligjet titulli sinjifikativ i tij, “TerrAdritë”. Kësisoj, poeti Limani, që e ka në zemër e shpirt shqiptarizmën duket se apelon bashkëkombësit e tij për të dalë nga humnera e territ në dritën e përbotshme, drejt progresit.` “Skënderbeu i kohëve moderne”, e lëshon këtë apel, pothuajse në të gjitha poezitë e kapitullit të dytë “Rapsodi epike”. Këtë shqetësim të poetit e dallojmë fare qartë qoftë edhe në strofën e fundit të vjershës me titull “Shpirti mu këput”: “Veç toka po rënkon pa përfillur ligje/ Shpirtrat e këputur në errësirë kërkojnë shtigje/ Vargjet me tërbim përplasen nëpër brigje jete/ Po liria ku humbi vallë?”…

Këtu, si edhe te vjersha vijuese “Në Krujë”, ku: “shpata e Atij burri/ Foli shqipërisht te flamuri/…ulërinte toka/ Qante guri/..Dridhej qielli/ Buzëqeshte dielli…”, gjuha artistike thyen norma… Shumësia përmasore e ligjërimit poetik të Xhevat Limanit është e atij niveli sa ta bëjë lexuesin të shqetësohet për fatet e kombit të vet. Ndërsa tek poezia “Dëshpërimi troket”, duket lehtazi se si emocioni i poetit është përzierje e imazhit me tingullin: “Merrmëni muza anonime/ Dhe ju zana mbi selvitë/ Mos prisni, ju shtojzovalle/ Po hidhmëni tek perënditë../ Mjaftë durova në këtë jetë,/ Sa nuk duron njeri…” , vargje këto ku dallohet qartë struktura e mendimit poetik dhe e vargut në përgjithësi; uni ose karakteri i atij ligjërimi që e bën të veçantë mes ligjërimeve të tjera. Epikja në poezinë e Xh. Limanit vjen në nivelin sipëror edhe në poezitë me titull: “Mjerimi”, “Shqipërisht”, “Shpirtkryengritësi”, “Porosi”, etj

Tingëllim aktual ka veçanërisht poezia “Kaosinë”, ku poeti shpalos me tërë madhështinë e botës së tij të brendshme shpirtin e revoltës, qoftë dhe vetëm në vargjet: “Protesto Dardani,/ Si në kohën për Kushtetutë, / Mallkimi i Ahtisarit / Me verdikt u shpall: Kushtetutë dhe Republikë/ Pse vallë tani keni frikë…?”. Po në këtë linjë është edhe poezia “VIVA LA MUERTA”- “RROFTË VDEKJA” ku: “Murtaja bie në Tiranë/ Fadromat shembin mure të kalbur/ Çjerrakët shtiren në megafon/ Teatri vajton i pandosur përdhé/ Muret ranë gërmadhë/Policët demonstrojnë pushtet…”, vargje këto ku duket se poeti jeton jetën e pavdekur të kombit të vet. Këtu, përpara së gjithash është poezia.

Ajo formon shpirtin e kombit. Në këto poezi, si dhe në dhjetëra të tjera të këtij kapitulli është gjithçka që ekziston rreth autorit dhe veprës letrare të tij, e pasqyruar në vite. Gjithçka përmblidhet në një vështrim të arsyetuar, duke e përqendruar në vargje informacionin kulturologjik dhe duke e shndërruar atë në komunikim efikas me lexuesin. Sa u përket figurave letrare, në poezinë e këtij poeti janë më evidente hiperbola, personifikimi dhe antiteza. Kësisoj Ai ndërton nëpërmjet vargut imazhe të gjalla për të nxitur fantazinë e lexuesit si mjet për të ndihmuar në kuptimin prej tij të përshkrimit të gjallë figurativ dhe emocional të jetës. Këto i ndeshim edhe në poezitë e kapitullit të parë “PIKËLIMA”, që në tërësinë e tyre janë poezi lirike. Në 39 poezi të këtij kapitulli poeti Xhevat Limani përqendrohet te ndjenjat dhe emocionet e veta për përjetime të caktuara. Si për shembull te “Lule shtatselvi”, ku ai i përulet thjesht yllit që kërkon t’i ndriçojë shpirtin:

“Të përulem thjesht/ O yll, ndriçomë shpirtin/ Terri po ma zë frymën…/ Thjeshtë, të dua o hëna ime/ Që ndrin skutat e errëta/ Brenda shpirtit tim/ Të djegur e vetmuar…”. Në dhjetëra poezi të këtij poeti dallojmë gjendjen e tij shpirtërore, njohim më së miri jo vetëm Atë, por edhe shtresën, klasën, popullin të cilit i takon. Më evidente kjo tek poema “Pikla dhe gjethe”, ku poeti e shpalos botën e tij shpirtërore, qoftë edhe nëpërmjet këtyre vargjeve: “Hesht dhe flas me psherëtimë/ Brigjeve të dehur me dashurinë/Kateve hyjnorë, nëse dua të zbres/ Durim, e dashur, buzëvarret duan vetminë/ Ti më zgjo ëmbël, qetë, çdo mëngjes…”. Emrie (Emi) Krosi, ndër zërat më kompetitiv e profesional të kritikës së sotme letrare, veç të tjerash, gjatë fjalës së saj argumentoi se si libri me poezi “TerrAdritë” i vishet analogjisë së ferrparajsës së Dantes.

Kjo sepse terri si një metaforë mes errësirës së natës, përfshin brenda saj çerdhen e fjalëve: [terr/terri/terrinë], ku terri është dhimbja, që mbulon si një lulesë shpirtin liriko-epik të poetit. “Në pjesën e parë, ‘Pikëlinë’, duket se pikëlina e tij, fillon me kryesemën e fjalës lule: [lule/ lulesë/ lulie/ luleselvie etj.], na sjell botën florale që tëholl të gjithë fabulën në tërë hapësirën e librit, përmes truallit Iliro-Dardan, pasi bota florale është arketipi kulturor i të parëve tanë”, argumenton Emi Krosi. Ajo pohoi se “perceptimi i poetit ndaj terrinës shpirtërore të ‘elitës’ së kulturës përmes vargjeve: drita tej errësirës/kot rrjedh si kot/çdo gjë rrjedh në vetmi, kjo vetmi apokaliptike, që kërcënohet nga errësira e atyre që hedhin ploja dhe saora duartrokasin për feniksin e irnuar dhe të rrëzuar, se paralelet dhe parabolat poetikoshpirtërore dallgëzojnë, si fatkeqësi jo vetëm kombëtare, por ‘zezojnë’ edhe shpirtin puritan të poetit, që gjithherë na mallkon për fatkobin tonë, po prej vetvetes”.

Po ashtu, ajo konkludon se në pjesën e dytë, “Rapsodi epike”, poeti përmes epikës njëson atdheun, jo vetëm si njësi gjeografike por mbi të gjitha dhembja aq shqipërisht trajtëzon: mallin, mungesën, përjashtimin, përdhosjen, braktisjen, refuzimin, përmes ironisë, sarkazmës pse jo dhe vetëvrasjes kombëtare, falë edhe klasës së korruptuar politike këtej dhe andej Drinit. Kristaq F. Shabani, në këndvështrimin e tij e sheh poezinë e Xhevat Limanit përmes përshkrimit gjallësor, i treguar thiktë me gisht tregues prej tij, të galerisë të tipave veprues të territ.

Sepse terri është real, i saktë, zbulues, i lakuriqësuar dhe tronditës: “Ata ecin nëpër shi, mos t’u duken lotët,/ Rrëshqasin nëpër borë, të mbulojnë gjurmët,/ Futen në batak, duke ndjekur turmën,/Dalin në foltore dhe korbkrrokasin…”. Poeti i profilizuar e godet me forcë errësirën duke bërë radioskopi, skaner …Krahasimi i grafikuar artistikisht: “Kukudhë të mjerë,/Që s’njihni pranverë,/Ju, dordolecë ‘Lambrosë’…”, të rrok me forcë magnetike dhe të hap syverbërinë… (TERR E DRIT˨). Dhe në skenën e interpretimit final u thirr Drita, e cila ngriti dhe arkitekturoi “folenë e zgjuar” te zemrat e njerëzve, duke u ndriçuar me të gjitha format, mënyrat dhe mjetet.

Predikim mesazhi në strukturën dhe substratin limanian: “Drita sjell begatinë shpirtërore dhe tokësore”. Parabolizëm dinamik i thënies bibliane: “Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi. Në këtë kontekst, vëllimi është pjesë e ‘nuhatur’ dhe e përcaktuar bindshëm: filozofik”, u shpreh K. F. Shabani në promovimin e këtij libri. Ira Kurti nga ana e saj, përveçse vlerave të librit “TerrAdritë” të Xh. Limanit, do të veçonte mbështetjen në vijimësi që i ka dhënë atij bashkëshortja, Lulja, që siç ka emrin gjallon në tërë krijimtarinë e këtij kolosi të aktrimit e të letrave shqipe. Për vlerat ideoartistike të këtij libri foli edhe Hekuran Rrapaj.

Ndërkohë që prof. dr. Ago Nezha u shpreh për ngjalljen e shqiptarizës nga Xhevat Limani nëpërmjet aktrimit dhe veprës së tij letare. Në këtë linjë u shpreh edhe prof. dr. Astrit Memia, Presidenti i “Imazhit shqiptar”, që sipas tij në tërë krijimtarinë letrare dhe artistike të Xhevat Limanit flitet shqipërisht.. Vetë artisti i madh, dramaturgu, prozatori e poeti Xhevat Limani, do ta elektrizonte sallën me interpretimin plot ndjenjë e mjeshtri të rrallë të poemës “Bagëti e Bujqësia” të të Madhit Naim Frashëri. Poeti dhe artisti me famë botërore Xhevat Limani, i dekoruar nga ishPresidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me motivacionin “Në shenjë vlerësimi për kontributin dhe vlerat e larta artistike në realizimin me profesionalizëm të figurës së heroit tonë Kombëtar, duke u bërë personazhi unik i Skënderbeut, në të gjitha trojet shqiptare dhe anembanë botës” ( Dekret nr.11963, datë 10.02.2021), që këtë libër ua përkushton:

“Pasardhësve trashëgimtarë, mbesave princesha dhe nipërve princa shpirthyjnorë…Leas hyjneshë, e cila triumfon në çdo sfidë me peshë; Lizës mendare tipike shqiptare…Leonit, talent i rrallë me yll në ballë, Remziut që noton valëve të një gjeniu…”, siç pohon ai vetë, ka shkruar vargje poetike nëpër kohë pakotësie, duke i mbartur me vete rrugëve të botës. Ai ka derdhur në vargje çka përjetuar, diku mes shenjave, tingujve dhe fjalëve, duke qenë gjithnjë vetvetja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura