Ish-pjesëtari i “Shtetit Islamik” (ISIS), Albert Berisha, nga Prishtinë, i cili qysh në vitin 2013 kishte bërë thirrje për krenarinë e të qenit xhihadist, ka marrë leje nga Qeveria e Kosovës për ta “luftuar radikalizmin”.
Të gjithë e kujtojnë si ish-luftëtarin e ISIS-it i cili pas kthimit në Kosovë doli në medie për të thënë se është penduar që kishte marrë rrugën drejt “Tokës së Shamit”. Më 6 tetor 2013, Albert Berisha, atëherë 27-vjeçar, ishte nisur t’i bashkohet grupit terrorist “Al Nusra”, por pasi u kthye në Kosovë ai deklaroi se është bërë pishman. I njëjti në shkrimin e tij, të botuar në vitin 2013 (“Heronjtë ‘e Spanjës’ dhe ‘tradhtarët’ e Sirisë”) në gazetën “Besimtari” bën thirrje për xhihad dhe për krenarinë e të qenit shqiptar muxhahedin.
“E njëjtë është situata edhe me shqiptarët që luftojnë në Siri, ata kanë një ideal, kanë një qëllim, kanë një obligim, kanë një rrugë të cilën e trasojnë me krenari, kanë një xhihad për të bërë që i pëlqeu apo s’i pëlqeu Halilit apo dikujt tjetër, kjo është duke ndodhur.
Shqiptarët janë muxhahida krenarë që bëjnë xhihadin kur është e nevojshme”, shkruan në Berisha.
Instituti për Siguri dhe Integrim i Albert Berishës
Më 18 prill të vitit 2016, Albert Berisha me nënshkrimin e drejtorit të Departamentit për Regjistrimin e Organizatave Joqeveritare, Bajram Kosumi, pranë Ministrisë së Administratës Publike, ka marrë certifikatën e regjistrimit të Institutit për Siguri dhe Integrim (INSID).
Disa ditë më vonë, më 29 prill të vitit 2016, Albert Berisha gjendet fajtor dhe dënohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë bashkë me grupin prej 11 vetave.
Gjatë seancës gjyqësore Berisha kishte pranuar se pjesëmarrjen në Siri nga 6 deri në 20 tetor 2013 e kishte bërë për ta ndihmuar opozitën siriane në përpjekjen ndaj regjimit të Bashar al-Asadit. “Por tha se nuk ishte përfshirë asnjëherë në luftime”, shkruan “kallxo.com”.
Berisha kishte bërë ankesë në shkallën e dytë, derisa Gjykata e Apelit ende nuk ka vënë ndonjë afat ligjor për t’i shqyrtuar ankesat e tyre.
Gazeta “Zëri” ka siguruar këtë certifikatë dhe të dhënat e kësaj OJQ-je, e cila mësohet se e ka përkrahjen edhe të organizatave të tjera për siguri në vend, të cilat e kanë proklamuar tash e sa muaj idenë që kjo kategori e të përfshirëve në ekstremizëm, tash të penduar, të futen në procesin e deradikalizmit.
Instituti për Siguri dhe Integrim, INSID, ku Albert Berisha figuron drejtor dhe themelues bashkë me Ermal Binakajn dhe Gëzim Brestovcin, kanë mision “luftimin e ekstremizmit”.
Në dokumentet e siguruara nga “Zëri”, të kësaj organizate të shkruara me probleme të mëdha gjuhësore dhe teknike, thuhet se qëllimi i tyre është “edukimi, mbajtja e trajnimeve për dëmet që sjell ekstremizmi, trajnime për parandalim, ndërtim të paqes, promovim të tolerancës, etj”.
Në letrat e kësaj organizate shkruan se ata do të ketë bashkëpunim me organet shtetërore në fushat e ndryshme të interesit të përbashkët në shkëmbim të njohurive dhe të përvojave.
I kontaktuar nga gazeta “Zëri” Albert Berisha ka konfirmuar se para pak kohësh ka hapur organizatën joqeveritare. Ai ka thënë se deri më tash ka arritur të shkruajë katër projekte, të cilat ua ka dorëzuar donatorëve.
“Ne deri më tash kemi shkruar katër projekte dhe ato ua kemi dorëzuar donatorëve për financim. Ne deri më tash nuk kemi arritur të marrim fonde për realizim të projekteve tona”, ka thënë shkurt përmes telefonit Berisha.
Ai ka sugjeruar që pyetjet konkrete t’i dërgohen në e-mail adresën e tij personale, por pasi që i ka parë ai nuk ka dashur të japë përgjigje, duke u arsyetuar se nuk është i gatshëm për këtë çështje.
Qehaja nuk komenton, gazetari alarmon
Udhëheqësi i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Florian Qehaja, nuk ka pranuar të komentojë për gazetë, duke thënë se ka një kohë që ka vendosur të mos japë deklarata për medie.
Kurse gazetari, i cili ka disa vite që merret me radikalizmin në Kosovë, Visar Duriqi, i cili ka shkruar edhe për të kaluarën e Albert Berishës, ka thënë se ky person ka bërë thirrje të shkohet në xhihad, kurse tash po lejohet që të merret me procesin e “deradikalizmit”.
“Albert Berisha nuk ka kuptim që tash të merret me deradikalizëm, pasi që i njëjti ka qenë në fakt njëri që ka bërë thirrje për terrorizëm – shkuarje të kosovarëve dhe shqiptarëve në xhihad”, ka thënë Duriqi.
Sipas tij, i njëjti ka pasur më shumë se një version të ngjarjes së tij sesi ka përfunduar në ISIS dhe historia e tij duket krejt e pabesueshme.
“Duket që i njëjti thjesht po e përdor idenë e ‘deradikalizmit’ vetëm për t’i shpëtuar burgut për vete”, ka thënë Duriqi
Sociologia, Sibel Halimi, e cila ka trajtuar tash e një kohë fenomenin e shtrirjes së ekstremizmit dhe radikalizmit në Kosovë, ka thënë se liria e organizimit në organizata joqeveritare është e garantuar me ligj por, sipas saj, çështjet e ndjeshme si kjo nuk mund të trajtohen në nivelin sipërfaqësor, por kërkojnë ekspertizë, prandaj nuk është e thënë që të përfshirët në radikalizëm mund të jenë trajtues adekuat të kësaj çështjeje.
“Ata mund të paraqesin mostër tipike për fushata të mundshme dhe platformat antiradikalizëm dhe mund të përfshihen në skemën e zbardhjes së mënyrës së rekrutimit, kanaleve nëpër të cilin ata mbërrijnë në zonat e luftës, si dhe përfaqësimin e tyre në strukturat e organizatave radikale”, ka thënë Halimi.
Sipas saj, është mirë që personat e tillë ndryshojnë kahun, porse përpara se t’i hyjnë një projekti të tillë nevojitet një qartësim në aspektin ligjor në të kaluarën paraprake.
“Mbi të gjitha, rrëfimet e tyre autentike janë të dobishme për ta përçuar mesazhin tek individi apo grupet e mundshme për përfshirje në veprimtari radikale që shpie në terrorizëm”, ka përfunduar Halimi.
Zudi Hajzeri, imam dhe themelues i portalit “Foltash”, i cili edhe personalisht është ballafaquar me kërcënime nga grupet ekstremiste në Kosovë, ka thënë se është jonormale që një njeri i dënuar nga Gjykata të hapë një organizate joqeveritare, e cila për qëllim të saj ka luftimin e terrorizmit.
“Unë besoj se përmes kësaj OJQ-je ky mund ta ketë për qëllim të përfitojë para dhe të shpëtojë sa më lehtë, pasi që gjykata e shkallës së parë e ka dënuar me 3.5 vjet burg”, ka thënë Hajzeri për gazetën “Zëri”.
Sipas tij, edhe nëpër vende të tjera ata që kanë qenë në luftë në Siri, Irak apo edhe diku tjetër janë munduar të organizojnë fushata sensibilizuese, por, sipas tij, të gjitha kanë dështuar plotësisht.
“I kanë marrë fondet, i kanë shpenzuar të gjitha dhe më pas ata janë kthyer sërish në Siri, Irak apo diku tjetër. Për rastin konkret mua s’po më duket normale. Ai ka qenë në luftë, është kthyer këtu dhe tash tenton të mbledhë fonde për deradikalizëm. Së pari çka di ai t’u tregojë të tjerëve për këtë çështje, kur pikërisht ka qenë çështja fetare ajo që e ka çuar atë në luftë”, tha më tej Hajzeri.
Sipas tij, në Arabi njerëzve që janë kthyer nga luftërat u kanë dhuruar para, makina, por edhe gjëra të tjera, por, sipas tij, të gjitha i kanë marrë dhe më pas sërish janë kthyer në luftë.
Nga Kosova në Siri dhe në Irak besohet të kenë shkuar rreth 300 veta, disa prej tyre janë vrarë, disa janë kthyer e disa vazhdojnë të jenë pjesë e ISIS-it.
Qeveria e Kosovës tash e disa muaj jep një version të njëjtë, të pandryshuar se në Siri kanë mbetur rreth 70 veta.
Ky numër nuk po ndryshon, duke vënë në dyshim të madh vërtetësinë e informatave që japin për opinionin publik zyrtarët qeveritarë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al