Ylli Polovina: Mehmet Shehu ishte i dënuar me vdekje

Aug 23, 2011 | 9:53
SHPËRNDAJE
Mehmet shehu dhe enver hoxha

Ndërsa të gjithë rendin pas argumenteve me “i the – të thashë”, ai del përmbi to për të treguar përplasje të mëdha.Kur dëgjon titullin “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”, menjëherë të shkon mendja tek ndonjë nga ato hulumtimet agjenturore, por emri i autorit të thotë krejt gjë tjetër. Cilado qoftë tematika, Ylli Polovina përpiqet ta ngrejë mbi rrëfimin e rëndomtë, herë-herë të pavërtetë, për të sjellë jo vetëm materiale e fakte, por edhe t’i hyjë një analize bindëse. Në 240 faqe libër, me një stil të këndshëm, gati letrar, nuk tregohen vetëm 27 ditë nga jeta e ish-kryeministrit shqiptar: udhëtimi drejt Amerikës në bordin e transoqeanikut “Queen Elisabeth” dhe 21 ditët në Ne—ë York, ku kryesonte delegacionin shqiptar në Sesionin XV të Kombeve të Bashkuara. Ky udhëtim dhe gjithë historia që u ngrit mbi të shërben për të kuptuar si funksiononte mekanizmi i diktaturës. Në një farë mënyre Polovina e ka “përdorur” Mehmet Shehun, për të na thënë ca të vërteta më të mëdha se “çështja Shehu”. Në një intervistë Polovina na tregon për librin, ç’e shtyu, sa e vështirë qe të mblidhte faktet, si i gjeti arkivat shqiptarë dhe, duke dalë përtej asaj çka ka thënë në libër, na zbulon se ish-kryeministri ishte “dënuar prej kohësh me dënimin me vdekje”. Ai kurrsesi nuk duhet të ishte pasardhësi i Enver Hoxhës.
Z. Polovina, në një kohë kur tregut të botimeve i shtohet çdo ditë një libër mbi agjentura e “fakte” nga vitet e diktaturës, ju vini me një tjetër libër në këtë temë. Ç’ju shtyu?

Ylli Polovina

E kundërta e asaj që parashtroni ju. Libri im i fundit, “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”, rrëfimin nga këndi agjenturor, pra luftën midis spiunazheve të huaja në Tiranën e kohës së diktaturës enveriane, e ka anashkaluar. Ndryshe në dyqind e dyzet faqet e tij do të kishit lexuar për funksionarë shumë të lartë në të dikurshmin Komitet Qendror, të cilët kanë qenë rezidentë të zbulimit sovjetik dhe kanë komanduar krerë të regjimit e madje politika reale. Po ashtu do të kishit ndeshur rreshta të shumtë mbi çështjen ende konspirative të “Luftës mes Pesë Yjeve” ose e treguar me pak fjalë se si tre breza agjentësh sovjetikë në disa nga pikat kyçe të Shqipërisë së para vitit 1990, për të fituar maksimumin e fshehtësisë dhe të mbijetesës, kanë likuiduar fizikisht njëri-tjetrin. Po të pëlqeja këtë këndvështrim, do t’i bija edhe më shkurt: do ta pranoja e përshkruaja Mehmet Shehun si agjent të vjetër të anglo-amerikanëve dhe Ramiz Alinë si të specializuar gjatë studimeve politike në Moskë, në vitet pesëdhjetë të shekullit të shkuar, edhe për zbulim në favor të sovjetikëve. Kështu do të më jepej dorë ta shpjegoja rivalitetin mes tyre edhe si kacafytje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe BRSS-së për të mbajtur nën kontroll Shqipërinë. Po të ndodhte që adhuroja subjektet dhe variantet konspirative të ngjarjeve të rëndësishme historike të vendit, do të ndiqja nga pas fare lehtësisht edhe një dëshmi të vetë njërit prej djemve të Enver Hoxhës, i cili të ëmës, Nexhmijes, i ka bërë kërkesë publike të pranojë se ka qenë e Moskës. Çdo autor e ka të ligjshme të shkruajë edhe kështu, madje libra të tillë kanë sukses të madh në treg. Thjesht unë thashë se nuk pëlqej dhe kurrë nuk do të merrem me stile të tilla krijimtarie dhe protagonizmi letrar.
Kur ju bëra pyetjen kisha parasysh një tekst hyrës që keni vendosur në libër. Ai, fjalë për fjalë thotë “Duke sjellë një sasi të madhe dokumentesh arkivore të papublikuara ndonjëherë, në mënyrë të veçantë për udhëtimin e Mehmet Shehut në vjeshtë të vitit 1960, me transoqeanikun britanik “Queen Elisabeth” për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pastaj 21 ditët e qëndrimit të tij në Nju Jork, i mbetet lexuesit të gjykojë nëse ajo që ndodhi më pas me kryeministrin shqiptar ishte pasojë e një lufte të brendshme pushteti apo pjesë e një beteje të gjatë agjenturash të huaja”.
Më duket se këtu është fare e qartë. Në këtë libër me ngjarje shumë të ndërlikuara dhe të ndikuara nga dhjetëra faktorë nuk prirem prej asnjë dëshire që nëpërmjet tij të influencoj drejt për së drejti në gjykimin e lexuesit, çfarë do të ngjante me siguri po ta nisja e përfundoja atë me objektiv ta dëshmoja si luftë për pushtet apo tërësisht si përleshje spiunësh. Në të gjithë krijimtarinë time të botuar në shqip apo në italisht (siç janë “Homo Balkanicus”, “Rai & Albania” apo një i tretë që del në fund të kësaj vjeshte) kam rrëfyer pjesë të veçanta, shumica të panjohura ose të zbuluara pak apo shtrembër, të historisë sonë. Nëse një subjekt nuk përfshin këtë rrethanë, pra të bartë tek lexuesi fragmente të rëndësishme të historisë kombëtare, sado joshës të jetë ai në elementë të tjerë, ngjarje triller apo me në qendër personazhe të rëndësishëm publikë, ai prej meje nuk përzgjidhet. Tek “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia” koha e veprimit të ngjarjeve shtrihet nga njëzet e shtatë ditë intensive, që përbëjnë bërthamën e tij, magmën (gjashtë janë udhëtimi i kryeministrit shqiptar me vaporin “Queen Elizabeth” dhe njëzet e një qëndrimi në Nju Jork), deri pothuaj në dyzet e pesë vite. Në këtë përmasë përfshihet diktatura dhe një dekadë e gjysmë nga pluralizmi. Por po e qartësoj më profesionalisht: subjekti i librit ka një kohë të vendosur në tre rrathë të ngërthyer me njëri-tjetrin. Në të parin si pikë fillimi është viti 1959, periudhë e përkeqësimit të shpejtë të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Moskës dhe ku sovjetikët përpiqen ta përdorin Shqipërinë si bazë të Traktatit të Varshavës kundër NATO-s dhe, kur në Tiranë, nën presionin e KGB-së, fabrikohet grupi çam i Teme Sejkos me legjendën e një sulmi të kombinuar mbi vendin tonë të Flotës së gjashtë Amerikane. Ky rreth i parë mbyllet në vitin dymijë, kur dy djemtë e mbetur të Mehmet Shehut gjejnë më në fund eshtrat e të atit, hedhur në një varr anonim. Rrethi i dytë i lëvizjes së kohës në libër përfshin gjysmën e dytë të vitit 1960 (nis në korrik) dhe përfundon në nëntor 1986. Ato fillojnë me përgatitjet e Mehmet Shehut për të shkuar në Nju Jork dhe në sfond të Hysni Kapos në një takim përgatitor të partive komuniste në Bukuresht. Mbyllen me të quajturin Kongres i Vazhdimësisë, ku Ramiz Alia, ndërsa Perëndimi priste ndryshimin apo të paktën liberalizimin e kursit politik, e nisi leximin e raportit të tij me akuzën e njohur të Hoxhës se Mehmet Shehu qe një armik i betuar i Partisë dhe i popullit, si edhe një poliagjent në shërbim të të huajve. Rrethi i tretë i zhvillimit të ngjarjeve dhe më kryesori përfshin periudhën nga 12 shtatori deri në 22 tetor 1960, koha e udhëtimit të Shehut për në Nju Jork dhe kthimi prej tij. Ato kanë të bëjnë me nisjen nga Aeroporti i Rinasit, hyrja në Itali, udhëtimi nga Roma në Paris, prej këtu, në 14 shtator në portin detar francez të Sherburgut dhe nisja me anijen oqeanike “Queen Elizabeth”. Pastaj vijojnë të treguara hollësisht, një për një, që prej 20 shtatorit deri në 12 tetor, të gjitha ditët e kryeministrit shqiptar në qytetin e madh, ku kishte shkuar për të marrë pjesë në Sesionin XV të Kombeve të Bashkuara. Më shkurt përshkruhet rruga e tij e kthimit, derisa më 22 tetor avioni qeveritar shqiptar e mori nga Aeroporti i Barit dhe e uli në Rinas.
Atëherë ju Mehmet Shehun e keni zgjedhur jo për t’u përqendruar tek ai…
E zgjodha për t’u përqendruar tek historia, tek përpjekja për ta sjellë këtë pjesë të anashkaluar në kujtesën kombëtare. Mes dhjetëra personazheve që ka libri, nga Ramiz Alia, Reiz Malile, Enver Hoxha e deri tek Nikita Hrushovi, Josif Bros Tito, Vladislav Gomulka, Antonin Novotni, George Dezhi, Janosh Kadari, Teodor Zhivkovi apo Fidel Kastro dhe presidenti amerikan Ajzenauer, Mehmet Shehu vërtet ka tepër dukshëm vendin e parë. Por këtë status në libër ia kam dhënë, sepse jeta dhe fati i tij më ndihmojnë të depërtoj e dëshmoj për pjesë të pashkruara të historisë sonë apo me forcën e pushtetit politik të manipuluar. Ndërkohë, nuk pëlqej të jem as “mehmetolog”, pasion ky dhe po aq virus i përhapur shumë së fundi mes nesh. “Mehmetologjia” tashmë është shndërruar në letërsi bulevardeske. Ajo po kërkon spektaklin, rënien në sy të vetë autorëve, shumë prej të cilëve, pa hyrë në asnjë arkiv e pa kryer fare punë studiuese, siç është e detyrueshme për çdo ngjarje dhe figurë historike, jo vetëm nuk po kthjellojnë, por po i turbullojnë të gjitha gjurmët akoma të mbetura nga e vërteta. Këta “mehmetologë” janë bërë shitës e blerës të thashethemeve “gota e zhdukur nga komodina” apo “tuneli i nëndheshëm”. Libri im nuk ka ndonjë merak në “e vranë” apo “u vetëvra” Shehu. Ai shkon përtej, tek mesazhi për një shoqëri si jona që duhet të ndërtojë një të ardhme të çliruar nga imponimi i gënjeshtrës dhe i dezinformimit. Ai merret me ndriçimin e njërës prej intrigave politike më të mëdha në jetën e shtetit tonë, të asaj që ka mbetur me emrin bombastik dhe po aq djallëzor “Tabloja sinoptike”. Deshifrimi i saj zbulon para lexuesit si veproi jo vetëm mekanizmi i akuzës së Hoxhës se Mehmet Shehu qe një poliagjent, por si funksiononte ai shtet, i cili mbante emrin e dëlirë si më i drejti dhe më i pafajshmi në botë e ndërkohë qe mjaft kriminal. Do të mjaftonte si dëshmi edhe ajo që ndodhi nga viti 1973 (kohë kur Enver Hoxha kaloi një infarkt të rëndë dhe lufta se cili do ta pasonte mori revansh) deri në 1983, kur me plumb prapa kokës u vranë hierarkët e fundit që duhej të zhdukeshin për të ardhur në krye pasardhësi ose më saktë “I Paracaktuari”. Është një dekadë makabre kufomash.
Ka qenë e vështirë ta ndërtoni historinë, të mblidhni copërat e shpërndara?
Shumë, mjaft e lodhshme, por ia vlente që prej çastit kur zbulova thembrën e mekanizmit manipulues. Tek “Tabloja sinoptike” Hoxha e ka akuzuar Mehmet Shehun pas vdekjes se takimin me Josip Bros Titon dhe të dërguarin e Inteligjencë Servisit, djalin e kryeministrit anglez Uinston Çurçill, Randolfin, e kishte kryer në një kthinat e fshehta të transoqeanikut britanik “Queen Elizabeth”, jo në Nju Jork. Ndërkaq, një dokument i vlerësuar tepër sekret në arkivin e Ambasadës amerikane në Buones Aires, i cili nëpërmjet një miku argjentinas me emrin Farran në tetor 1986 u sigurua nga Ambasada shqiptare, u mor i fotokopjuar dhe iu dërgua në Tiranë Ramiz Alisë (që në ditët e para të nëntorit e lexoi para të porsazgjedhurve nga Kongresi i Vazhdimësisë), nuk e përmendte fare anijen oqeanike, por thoshte se marrëveshja Mehmet Shehu-CIA qe kryer në Nju Jork gjatë ditëve të pranisë së kryeministrit shqiptar në punimet e OKB-së. Kjo mospërputhje ishte fare flagrante. Kështu u bë e qartë se me “Tablonë sinoptike” ishte prodhuar një antihistori nga ato që politika shumon pa fund.
Cilat janë burimet arkivore që keni shfrytëzuar?
Gjithçka që ishte e dobishme për të zbardhur sidomos 41 ditët e largimit nga Shqipëria të kryeministrit Shehu në shtator-tetor 1960: duke filluar nga arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme deri tek ajo Qendrore e Shtetit, si edhe të gjitha arkivat e hapura online në Londër, Budapest, Itali, Francë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu duke përfshirë edhe median.
Në ç’gjendje janë arkivat shqiptare? Mundët të gjenit atje materialet që ju duheshin apo ish-udhëheqja komuniste qe kujdesur të zhdukte gjurmët?
Arkivat tona janë të varfra e të pasura njëkohësisht, të plota e të zbrazura, me dosje dëng me letra, ku vetmitë e dëshmive nuk mungojnë, por analizat janë tepër të rralla. Ku po ashtu gjykimet janë shumë të personalizuara dhe të njëanshme. Gjysmëshekulli komunist është i rënduar skajshëm prej politizimit, shpesh duke mbërritur në shformim të së vërtetës historike. Po ashtu nuk është aq e pasur sa e meriton pas nëntëdhjeta, ka gropa në të. Në arkivat tona sheh vetveten, Shqipërinë e shqiptarët. Jemi popull e vend pa ndonjë strategji afatgjatë, me shekuj të ngulitur. Thjesht kemi dëshira të mira. Ja pse ndodh që në kujtesën tonë kombëtare, të ruajtur shtetërisht, janë të shumta fletët për rëndomësi dhe mjaft të mpakura ato për çështje madhore e të largpamësisë. Me një fjalë jemi ashtu siç jemi: shtyhemi përpara, por prej inercisë së vetë ngjarjeve, jo nga vullneti i hekurt i shoqërisë dhe i liderave të saj.
E kisha pyetjen edhe për vështirësitë tuaja personale gjatë kërkimit të dokumenteve për librin?
Qe terren rraskapitës. Çdo gjë që lidhet me Mehmet Shehun është shfarosur egërsisht dhe thellësisht. Askujt prej të djathtëve dhe të majtëve, dhjetëra mijërave që regjimi i shpalli armiq dhe i ndëshkoi dhunshëm, nuk i është kryer shkulje e çdo gjurme të shkruar, të fotografuar apo të filmuar sa ish-kryeministrit të komunizmit shqiptar. Urrejtja mbi të ka qenë patologjike, e domosdoshme për t’u studiuar nëse vinte prej një zelli thjesht tiranik, prej një hakmarrjeje personale, nga frika se mos ngjallej, apo prej një mendjeje tërësisht të sëmurë. Ju besoj se e dini që kur u zhvendos trupi i tij nga varrezat e Sharrës për t’u hedhur në gropën anonime u projektua edhe tretja, zhdukja totale e eshtrave me acid special. Sidoqoftë, unë nuk i humba shpresat për të rikrijuar e ringjallur jetën e Shehut gjysmë shekulli më parë, në Nju Jorkun e largët. Mes disa dosjeve të zbrazura që me varfërinë e tyre të trishtonin, pas shumë kërkimesh gjeta edhe atë me radiogramet personale të kryeministrit me Enver Hoxhën. Për fat kopjet e deshifruara bëheshin në dy kopje e ndërsa njëra binte në duart e Hoxhës, tjetra rrinte në arkiv. Mbase duarve që pas 18 dhjetorit 1981 bënin spastrimet e çdo gjurme të Mehmet Shehut, nuk u kishte shkuar në mendje se lënda që do ta kundërshtonte “Tablonë sinoptike” dremiste në një skaj rafti.
Ndonëse qysh në fillim të librit thoni se e lini lexuesin të vendosë vetë mbi çështjen “Shehu”, ju e jepni mendimin tuaj. Ishte apo jo agjent?
Ju mund ta keni nënkuptuar këtë sikur nuk ka qenë agjent dhe kjo është e drejta juaj, por unë nuk kam deklaruar asgjë. Në libër vetëm paraqes prova e dokumente, i rrëfej ngjarjet. Lexues të tjerë mund të dalin në vlerësimin e kundërt me tuajin.
Në librin që keni botuar qartazi na thoni se ai që përfitonte direkt nga përbaltja e Mehmet Shehut ishte Ramiz Alia, i cili e pasoi Hoxhën pas vdekjes së tij. Mos vallë e gjithë kjo lojë agjenturash është stisur nga vetë Alia?
Më lejoni që në këtë pjesë të bisedës të dal jashtë librit dhe të fshehtat e tij t’ia lëmë atyre që do ta marrin nëpër librari apo biblioteka.
Jeni i lirë t’u largoheni 240 faqeve të botimit tuaj me kusht që të na tregoni mistere të tjera.
Do të bëj publike vetëm një nga ato që kam mësuar në këtë hetim të gjatë. Mehmet Shehu ishte dënuar me vdekje shumë kohë para pasmesnatës së 18 dhjetorit.
Si?!
Qe i dënuar të humbte jetën, ta linte. Në pasditen e 17 dhjetorit, kur rinisi takimi i Byrosë Politike për të diskutuar gabimet e tij, nga trupa e sigurisë së Enver Hoxhës qenë marrë disa masa speciale. U vendos të ishin ngjitur me sallën e mbledhjes një grup mjekësh. Pritej që gjatë punimeve të saj Mehmet Shehu të përpiqej ta qëllonte me pistoletë Hoxhën. Mjekët do të qenë thirrur për çdo emergjencë, sepse realisht ishin marrë të gjitha masat që kryeministri të çarmatosej në vend. Për çdo të papritur në pozicionet e vendosjes së anëtarëve të Politbyrosë gjatë mbledhjes Kadri Hazbiu u gjykua të rrinte në hapësirën dramatike mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës. Plumbat, po të dilnin nga tyta e revoles “Makarov” të kryeministrit, le të godisnin mikun e bashkëpunëtorin e tij. Edhe për këtë qe vendosur të mos e kishte jetën të gjatë. Një pjesë e këtyre masave u zbut sapo Shehu hyri në sallën e mbledhjes dhe të dhënat e mbledhura provuan në mënyrë të sigurt se ai nuk kishte marrë me vete asnjë lloj arme. Kjo rrethanë e mbajtur fshehur dhe e papohuar asnjëherë prej atyre pak që e dinë, dëshmon se Mehmet Shehu konsiderohej armik shumë i rrezikshëm mjaft kohë para asaj mbledhjeje, ku gjoja do t’i jepej vetëm një vërejtje partie. Ai është trajtuar si i tillë edhe një muaj më parë, kur qe zhvilluar Kongresi i Shtatë i Partisë së Punës dhe ku, edhe pse në gjendje izolimi të plotë, u rizgjodh ftohtësisht kryeministër. Vlerësimi i tij si armik tepër kanosës i ka rrënjët edhe disa muaj më parë, para fillimit të vjeshtës, kur u krye fejesa e të birit të tij të pafajshëm me një nga vajzat më të bukura e më fisnike të familjeve të ditura të Tiranës. Kemi një provë që ditëvendimi për ta shpallur armik e kapërcen fillimin e gushtit dhe hyn gjer në korrik. Mundet që fillesat ajo akuzë t’i ketë edhe më tej, në muajt e pranverës, por duhet bërë kërkim. Ndërkohë, këtë pasion zhbirimi në këtë temë nuk e kam, madje as më gjendet kohë t’i kushtohem. Për mua ka rëndësi një element: Mehmet Shehut duhej t’i pritej çdo mundësi për të qenë pasardhësi i Enver Hoxhës dhe në këtë vendim politik qe përfshirë çdo zgjidhje, edhe ajo e likuidimit fizik.
Në librin e tij “Jeta ime”, i cili duket qartë se është një testament dhe ka interpretimet më të dëshiruara e më përfundimtare për çfarë ka parë e kryer në tetë dekada, Ramiz Alia ka një episod që duhet parë më vëmendshëm. Në mëngjesin e tetëmbëdhjetë dhjetorit, pasi u njoftua se është gjetur i vdekur Mehmet Shehu, Alia shkon në shtëpinë e Enver Hoxhës dhe ky i thotë “Sot besoj se nuk do të zgjatemi shumë. Të dëgjojmë Mehmetin, pastaj do të flas edhe unë e ta mbyllim me kaq këtë çështje”. Siç e ka shkruar në librin testament Ramiz Alia, iu përgjigj “Nuk ka më se çfarë të mbyllim, sepse atë e mbylli vetë Mehmeti, duke mos duruar më gjatë. Sapo më njoftuan që ai ka vrarë veten”. Menjëherë më pas Alia shkruan “Për një copë herë Enveri u shtang dhe nuk foli. Pas pak tha “Po përse? Përse e bëri këtë gjë?”
Në këtë mikrofragment të librit “Jeta ime”, duke qenë se Enver Hoxha nuk jeton më dhe në mijërat e faqeve të shkruara prej tij, ndonëse pas dhjetorit 1981 botoi edhe shumë kujtime, nuk e përmend këtë episod me asnjë fjalë e rrokje, mbetet ta pranojmë të përshkruar nga Alia si më realin e mundshëm. A nuk dallohet qartë se pasuesi i ardhshëm i Enver Hoxhës nuk vuan asnjë dhimbje apo reflekton tronditje nga jetëhumbja e kryeministrit, i cili ishte edhe rivali i tij i vetëm për postin e “Pasardhësit”?
Nuk mund ta përfytyrojmë dot tonin e zërit me të cilin u shqiptuan fjalët “Nuk ka më se çfarë të mbyllim, sepse atë e mbylli vetë Mehmeti, duke mos duruar më gjatë…”, por si tekst janë të ftohta akull. Çuditërisht, për aq sa kuptohet prej germave, Hoxha duket jo vetëm i kapur në befasi, por edhe i tronditur.
Tani, e nderuara Alma, do të më lejosh ta mbyllim këtu bisedën, pra në fillim të një teme tjetër, për ta vijuar të plotë në një çast të ardhshëm. Veç përsëris: “Mehmet Shehu me kohë qe dënuar me vdekje”.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura