Zbardhet buxheti/ Pas taksës së ndërtesës, në vitin 2020 rritet edhe tarifa për pastrimin. Ja çfarë ndryshon tjetër

Dec 20, 2019 | 12:47
SHPËRNDAJE

Pas taksës së ndërtesës, një tjetër barrë financiare për qytetarët e Tiranës vitin që vjen. Bashkia ka parashikuar një rritje të taksës së pastrim-gjelbërimit, duke e futur në parashikimet e të ardhurave në buxhetin e viteve 2020-2022.kazane plehrash

Rritja arsyetohet me koston e lartë që i duhet të mbulojë bashkisë për pastrimin e qytetit. “Për periudhën 2020-2022 janë propozuar ndryshime në tarifën e pastrimit dhe largimit të mbeturinave, në masën e një indeksimi të arsyeshëm për të mbuluar deri në një masë të caktuar kostot e dyfishuara të ofrimit të shërbimit”.

Një tjetër taksë që është menduar të ndryshohet është ajo e infrastrukturës arsimore. Por në rastin konkret nuk bëhet fjalë për ta rritur, por për ta ulur atë. Ndryshe nga tarifa në rritje e pastrimit që mendohet të aplikohet për të gjithë, taksa e dytë do të ulet vetëm për biznesin e vogël me xhiro 0-2 milionë lekë, për të ekuilibruar ngarkesën fiskale. Ndonëse nuk thuhet masa e rritjes apo e indeksimit, siç shprehet në relacion, ndryshimi i vetëm në politikën fiskale është parashikuar të rrisë të ardhurat në arkën e bashkisë. Kështu, nëse për vitin që po lëmë pas janë mbledhur mbi 18 miliardë lekë, për 2020-ën kjo vlerë do të kalojë 20 miliardët.

Sipas bashkisë, niveli i të ardhurave të planifikuara është mbëshstetur në politikat e reja, kapacitetin ekzistues të taksave e tarifave vendore, ecurinë e realizimit të tyre në vitet e mëparshme dhe vlerësimet mbi zhvillimet e mundshme ekonomike. Sa u takon shpenzimeve, transporti zë pjesën madhore të investimeve, 34%. Përveç projekteve infrastrukturore me rrugë të reja e rikonstruksione, modernizimi i transportit publik përmes biletës elektronike është risia në këtë drejtim.

Arsimi do të zërë gjysmën e peshës së shpenzimeve në buxhet që bashkia ka paracaktuar. I vetmi projekt në vazhdim janë 17 shkollat e reja (dhjetë 9-vjeçare dhe 7 të mesme) me financimin e koncesionarit. Programet për zhvillimin e komunitetit zënë një pjesë të konsiderueshme, 24%, duke parashikuar më shumë hapësira të reja, gjelbërim e ndriçim. Sa i takon strehimit, kthyer në emergjencë tashmë pas tërmeteve, bashkia nuk ka parashikuar buxhet shtesë.

Në relacion thuhet se ky zë ka një vend të konsiderueshëm, por pa e specifikuar sa. Projektet e reja strategjike ku do të shkojnë paratë e investimeve janë: Piramida, Kopshti Zoologjik, Teatri Kombëtar, Tirana Policentrike, Kampusi Universitar, pylli orbital, zona e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, zgjerimi i Lanës, axhenda e gjelbër e qytetit, Rruga e Arbrit dhe Unazat e Tiranës.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura