Këshilli i Lartë i Prokurorisë i dha dje statusin e magjistratit Bledar Valikajt, bashkëshortit të deputetes së Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, duke u bazuar në një vendim të Gjykatës Administrative të Apelit.
Por, ndërkohë që me ligjin e ri prokurorë mund të emërohen personat, të cilët kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës,KLP në vendimin e marrë dje arsyetoi se Këshilli është i detyruar të zbatojë një vendim të formës së prerë. Këshilli argumentoi gjithashtu se, në kohën kur Valikajt i është mohuar e drejta për të qenë në Prokurori ka qenë në fuqi një tjetër kuadër ligjor, që rregullonte emërimin e prokurorëve.
Në këto kushte, me 6 vota pro, KLP vendosi që të ekzekutojë kërkesën e Valikajt, ndërsa emërimi i tij do të bëhet pas kalimit të kontrollit të 3-fishtë. Ndërkohë, ndryshimet e reja ligjore nuk kaluan pa diskutim në seancën e KLPsë, dy prej anëtarëve Arben Dollapaj dhe Nurihan Seiti u shprehën se ky vendim është në shkelje të ligjit të ri dhe se duhej bërë një rekursim i vendimit dhe pezullim i vendimit të Gjykatës.
Gjatë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura, anëtari i KLPsë, Arben Dollapaj, u shpreh kundër pranimit të kërkesës së Valikajt, pikërisht për ndryshimet e reja në ligj, që parashikon se prokurori duhet patjetër të përfundojë Shkollën e Magjistraturës. “Në këtë çështje kemi Kushtetutën, themelin e shtetit tonë dhe një vendim gjykate. Në këtë kuadër, pa diskutuar elementë të tjerë, unë mendoj se e vetmja zgjidhje ligjore është rekursimi i vendimit të Gjykatës së Apelit Administrativ. Shoqëruar kjo, me pezullimin e ekzekutimit të vendimit për shkak të efekteve të pariparueshme që mund të japë ekzekutimi i tij”, tha Dollapaj.
I të njëjtit mendim, ishte edhe Nurihan Seiti, e cila tha se në Gjykatën e Apelit Administrativ, në fund të një vendimi 40 faqe, është diskutuar dhe është vendosur mbi një marrëdhënie e cila ka ndodhur para hyrjes në fuqi të paketës së re të drejtësisë. Sipas saj, Kushtetuta e Shqipërisë, e ndryshuar, ka të përcaktuar qartë se, “Prokurorë mund të jenë shtetasit shqiptarë, që emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre, sipas ligjit”. Seiti shtoi se në asnjë pikë të ligjit, me ndryshimet e reja nuk parashikohet që prokurori emërohet me një vendim gjykate që detyron institucionin e ri.
Valikaj nisi karrierën si oficer i Policisë Gjyqësore
Magjistrati i ri Bledar Valikaj, të cilit iu hap rruga drejt emërimit si prokuror, pavarësisht parashikimeve ligjore të kohës, ka përfunduar arsimin e lartë juridik. Ai në vitin 2002 është emëruar oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat. Ndërsa në datë 01.11.2013 është transferuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, po në detyrën e oficerit të Policisë Gjyqësore.
Në konkursin e zhvilluar nga Prokuroria e Përgjithshme, nga 49 kandidatë që kanë konkurruar për 9 (nëntë) vendet vakante të shpallura, ai ka rezultuar fitues, ku ka arritur që të grumbullojë 84.3 pikë, nga të cilat 65 pikë në testimin me shkrim dhe 19.3 pikë në testimin me gojë. Valikaj është bashkëshort i ish-ministres dhe deputetes së Partisë Socialiste, Ermonela Felaj.
Kjo e fundit, më herët ka qenë edhe vetë prokurore, ndërsa disa vite më parë, ish-Kryeministri Sali Berisha ka denoncuar se Valikaj është rrëmbyer nga disa persona në kohën kur Felaj ishte prokurore. “Kësaj ndrikullës i rrëmbyen burrin dhe disa ditë ia mbajtën bandat në zyrat e Bashkisë. Pse ia rrëmbyen burrin? Nuk donin të rrëmbenin këtë, jo. Kjo kishte marrë përsipër të lironte banditin. Burri kishte marrë paret. Kur kjo nuk e liroi banditin, atëherë i rrëmbyen burrin. Kjo ishte gati ta falte dhe burrin, por ia gjetëm ne. Kjo ishte gati që burrin t’ia falte dreqit. Kishte marrë paret kjo, nuk pyeste”, ka thënë Berisha.
PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al